Qeveria daneze propozon rritje historike për shpenzimet e mbrojtjes
2023-06-01 13:06:46

Foto nga VCG

Qeveria daneze propozoi një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me vlerë 143 miliardë korona daneze (21.7 miliardë dollarë amerikanë) gjatë 10 viteve të ardhshme, në një lëvizje strategjike të paprecedentë, bën të ditur “Xinhua”.

“Ne duhet të ngrihemi më të fortë përballë kërcënimit serioz që po shikojmë tani dhe në të ardhmen. Qeveria do të forcojë ndjeshëm mbrojtjen dhe sigurinë daneze me afërsisht 143 miliardë korona daneze gjatë 10 viteve të ardhshme, me një kuadër në rritje të vazhdueshme për iniciativat e reja nga viti 2024”,- tha ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.

Zgjidhja e propozuar përfshin një marrëveshje kornizë fleksibël që përshkruan drejtimin e përgjithshëm strategjik dhe kufizimet financiare për mbrojtjen dhe sigurinë daneze, ndërsa detajet e mëtejshme do të vendosen në nënmarrëveshjet që fillojnë në vjeshtën e vitit 2023.

Qeveria daneze ka identifikuar tri zona gjeografike të veprimit për Forcat e Armatosura Daneze, ku, sipas planit, vendi duhet të marrë më shumë përgjegjësi: Komonuelthi i Kombeve (Grenlanda dhe Ishujt Faroe), rajonet fqinje lindore dhe pikat e nxehta të konfliktit global.

Plani do të sigurojë gjithashtu që Danimarka të përmbushë objektivin e saj të NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2030.

Ky angazhim është në përputhje me ambicien e qeverisë daneze për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërisë ndaj kërcënimeve në zhvillim, të tilla si sulmet kibernetike dhe sulmet kritike të infrastrukturës. (Elona)