Der Leyen: Plan i ri rritjeje për Ballkanin Perëndimor
2023-06-01 09:56:37

Foto nga VCG

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar një plan të ri rritjeje ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

“Ne duam të ofrojmë para kohe te popullata e Ballkanit Perëndimor disa nga avantazhet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”,- tha von der Leyen në forumin “Globsec 2023”, në Bratislavë. Ajo renditi reformat si themelore për besimin e investitorëve.

Plani i paraqitur nga von der Leyen do të bazohet në katër shtylla: afrimi i Ballkanit Perëndimor me tregun unik të BE-së; integrimi ekonomik rajonal; përshpejtimi i  reformave kyçe dhe rritja e fondeve të paraanëtarësimit, përcjell “ATSH”.

“Ballkani Perëndimor mund t’i bashkohet tregut tonë unik digjital në fusha të tilla si tregtia elektronike ose kompjuterike. Ne mund të lehtësojmë tregtinë tonë në mallra dhe pagesa. Unë dua që tregu ynë i vetëm të jetë një motor ndryshimi, jo vetëm për vendet që tashmë janë anëtarësuar si pjesë e familjes, por edhe për ata që po ecin drejt nesh. Ne jemi të gatshëm të mbështesim Ballkanin Perëndimor me rritjen e financimit të paraanëtarësimit. Ekziston një nevojë e dëshpëruar për investime në Ballkanin Perëndimor. Këto investime do të përmirësojnë jetën e njerëzve”,- deklaroi kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen. (Elona)