“Danfoss” do të shfrytëzojë më tej mundësitë e biznesit të gjelbër në Kinë
2023-06-01 11:21:51

Fabrika e komponentëve elektronikë të nivelit të lartë të konglomeratit danez të teknologjisë dhe inxhinierisë “Danfoss Group” në Nanjing, në provincën kineze Jiangsu, do të fillojë prodhimin në gjysmën e dytë, pas hapjes së laboratorit global të kompresorëve të ftohësve të gjelbër në Tianjin javën e kaluar, tha drejtuesi më i lartë i kompanisë.

 

Me një investim total prej 100 milionë euro (rreth 108.8 milionë dollarë), fabrika e re në Nanjing, e grupit me seli në Nordborg të Danimarkës, do të prodhojë module IGBT (tranzitori dypolar me portë të izoluar), të cilat janë produkte gjysmëpërçuese të energjisë. Sipas “Danfoss”, kjo sipërmarrje do të mbështesë fuqishëm bizneset e saj në “e-mobility”, energji dhe aplikimet industriale në Kinë.

foto: Xinhua

foto: Xinhua

“Mundësitë e rritjes vijnë nga lëvizjet e shumë kompanive kineze për të ndjekur rritje të qëndrueshme, paketat stimuluese të tregtisë së jashtme dhe konsumit të qeverisë dhe ritmin e shpejtë të përmirësimit industrial”, tha Kim Fausing, president dhe drejtor ekzekutiv i “Danfoss Group”.

 

Një modul i energjisë IGBT funksionon si një çelës dhe mund të përdoret për të ndezur dhe fikur energjinë elektrike jashtëzakonisht shpejt dhe me efikasitet të lartë energjie, duke siguruar humbje të ulëta elektrike. Duke mbuluar një sipërfaqe prej 7000 metrash katrorë me një investim total prej 140 milionë juanë (20.1 milionë dollarë), Fausing tha se laboratori i ri i kompresorëve të ftohësve të gjelbër në Tianjin është projektuar për t'u fokusuar në kërkimin dhe testimin e kompresorëve komercialë, veçanërisht në teknologjinë e frekuencës së ndryshueshme, si dhe zgjidhjet alternative të ftohësit të gjelbër.

 

“Teknologjitë dhe zgjidhjet e testuara dhe të vërtetuara në laborator do të përdoren gjerësisht për pompat e nxehtësisë, qendrat e të dhënave, zinxhirët e ftohtë dhe ruajtjen e energjisë. Kjo pritet të luajë një rol të rëndësishëm në tranzicionin global të gjelbër, veçanërisht në reduktimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit dhe zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimaterike”,- tha ai.

 

“Kemi një perspektivë pozitive për ekonominë e Kinës, si dhe për bizneset tona në vend këtë vit”,- tha Fausing, duke shtuar se biznesi i kompanisë është në një linjë të fortë me axhendën e gjelbër të Kinës, e cila po nxit këndvështrimin optimist për performancën e saj.

 

foto: VCG

foto: VCG

Prej fillimit të vitit, ndërmarrjet shtetërore në Kinë kanë përshpejtuar ndërtimin e projekteve të reja energjetike, nga stacionet e energjisë fotovoltaike te fermat e erës në det të hapur. Shumë prej tyre kanë krijuar partneritete me kompani globale në këto fusha, për të rritur fuqinë e biznesit të tyre, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Komisioni i Mbikëqyrjes dhe Administrimit të Pasurive në pronësi të Këshillit të Shtetit.

 

Fausing tha se biznesi i “Danfoss” në Kinë ka përjetuar rritje të shpejtë vitet e fundit. Shitjet në Kinë arritën rreth 4 miliardë juanë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2022 shifra është dyfishuar në rreth 10 miliardë juanë. Një nga nxitësit kryesorë të rritjes së saj të vazhdueshme dhe të fuqishme është investimi i gjelbër, ardhur dhe prej premtimit të Kinës për të arritur objektivat e saj për emetimet e karbonit.

 

Ding Rijia, profesor i specializuar në energji në Universitetin e Minierave dhe Teknologjisë në Pekin, tha se planet e Kinës për të arritur kulmin e emetimeve të dyoksidit të karbonit deri në vitin 2030 dhe për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060 do të inkurajojnë më shumë korporata shumëkombëshe të kenë më shumë kujdes për produktet dhe zgjidhjet e tyre më të fundit, veçanërisht ato në fushat e prodhimit, aviacionit, kimikateve, transportit dhe prodhimit të energjisë elektrike.

 

foto: VCG

Të shtyrë nga këta faktorë, si dhe nga një mjedis i përmirësuar biznesi dhe një sërë aktivitetesh promovuese, investimet e huaja direkte në territorin kinez u rritën me 4.9 për qind në bazë vjetore në 408.45 miliardë juanë në tremujorin e parë të vitit. Investimet në prodhimtarinë e teknologjisë së lartë u rritën me 18 për qind nga e njëjta periudhë e një viti më parë, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Tregtisë.

 

E etur për të siguruar më shumë pjesë tregu në Kinë, kompania “Danfoss” nënshkroi javën e kaluar një marrëveshje me autoritetet lokale në Haiyan, në provincën Zhejiang, për të nisur zyrtarisht ndërtimin e kampusit të dytë industrial në qytet.

 

Ky projekt do të ndërtohet nga pushteti vendor, të cilin “Danfoss” do ta marrë me qira dhe do të investojë për pajisjet me fondet e veta.

 

E mbështetur nga më shumë se 42.000 punonjës globalisht, vitet e fundit kompania daneze ka bërë investime të vazhdueshme në fusha të tilla si teknologjia e gjelbër, zgjidhjet digjitale dhe elektrifikimi. Investimet e saj në inovacion u rritën me 39 për qind në bazë vjetore në 457 milionë euro në vitin 2022, që korrespondon me 4.5 për qind të të ardhurave të saj nga shitjet.

 

Me 11 baza prodhuese në komuna dhe provinca si Tianjin, Zhejiang dhe Liaoning “Danfoss” aktualisht ka më shumë se 5500 punonjës në Kinë.