Jeris Kaso: Muzika, partnerja ime në jetë
2023-05-31 14:22:41

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën dhe a keni pasur ndonjë gen muzikor në familje?

Jeris Kaso: Prindërit e mi nuk kanë studiuar për muzikë, por janë jashtëzakonisht shumë artëdashës. Në kohën e trazirave në Shqipëri ata po mendonin se çfarë të bënin që unë të hyja në një rrugë sa më afër gjërave të bukura dhe të merrja një drejtim të mirë në jetë. Ata e shihnin që unë i vogël i kisha të gjitha lidhjet me muzikën dhe vendosën të më shkollonin në Liceun Artistik të Vlorës. Pastaj ndodhi që unë e lidha jetën time fort me muzikën dhe gjithmonë kam qenë i fokusuar vetëm me këtë punë.

CMG: Për çfarë studiuat në Liceun Artistik të Vlorës?

Jeris Kaso: Unë kam studiuar për violinë nga mosha 6 vjeçare deri në Universitetin e Arteve ku i kam mbylluar studimet dhe në master profesional për instrumentin e violins. Ajo është dashuria ime më e madhe, pavarësisht se  tani bëj muzikë, jam producent dhe kompozitor, por shpirti im rreh fort për atë instrument.

CMG: Sa kohë i kushtoni instrumentit të violinës tani?

Jeris Kaso: Violina është pjesë e turpit tim, pjesë e qenies time dhe më duket sikur është një zgjatim i gjymtyrëve të mia, aq shumë e dua. Nuk mund ta konceptoj jetën të shkëputur nga ai instrument. Ndodhka që njeriu për diçka që e bën për vite me radhë investon kohë dhe shpirt. Kështu që të bëhet shumë e afërt dhe është e vështirë të shkëputesh emocionalisht, shpirtërisht dhe fizikisht.

CMG: Pse zgjodhët pikërisht këtë instrument për studimet tuaja në shkollën e muzikës?

Jeris Kaso: Ishte një zgjedhje rastësore sepse unë kisha gjymtyrët pak të gjata dhe duart i kisha të përshtatshme për instrumentin e violins. Më rezultoi se ishte një zgjedhje që unë u dashurova me violinën, pavarësiht se luajta dhe instrumenta të tjerë muzikorë. Unë luaj në piano dhe bateri, por instrumenti im primar që e njoh shkëncërisht është instrumenti i violinës.

CMG: Mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur me muzikën?

Jeris Kaso: Muzika është një emocion që nuk duhet t’i vendosim barrier apo kufij. Mjafton që diçka të jetë e bukur, të të bëjë të emocionohesh, të të japë një ndjesi dhe një udhëtim shpirtëror dhe ja ka arritur qëllimit. Unë mendoj që muzika është një gjuhë universale dhe jam i kënaqur që kam bërë këtë zgjedhje në jetën time.

CMG: Keni pasur zgjedhje të dytë apo muzika ishte zgjedhja e vetme?

Jeris Kaso: Jam lidhur aq fort me këtë gjë sa asnjëherë nuk kam menduar që të bëj diçka tjetër në jetën time, por nëse unë do kisha dëshirë të bëja diçka tjetër do isha duke u përpjekur për ta bërë. Gjithmonë këtë kam dashur, këtu jam fokusuar, këtu kam punuar dhe harxhuar invesimin tim monetar, shpirtëror apo dhe në kohë fizike. Çdo gjë timen e kam shfrytëzuar vetëm për këtë punë.

CMG: Si ka vijuar rrugëtimi jmë tutje me muzikën si producent dhe kompozitor?

Jeris Kaso: Muzika në dukje është e thjeshtë, e dëgjon dëgjuesi, i transmeton emocion dhe kënaqet, gëzohet, dëshpërohet dhe trishtohet, por për ta krijuar dhe për t’u futur në këtë rrugëtim nuk është e lehtë. Ka shumë rrugë dhe ti duhet të zgjedhësh një nga këto rrugë se ku do të shkosh dhe çfarë dëshiron të bësh. Nuk është e lehtë, por e vetmja formulë është që me dashurinë dhe vullnetin e punën e duhur mund t’i arrish.

CMG: Prej disa vitesh ke hapur studion muzikore ku prodhon muzkë, duke bashkëpunuar me artistë të ndryshëm. Cilat kanë qenë bashkëpunimet?

Jeris Kaso: Unë jam gjithë kohës duke punuar, duke prodhuar materiale dhe duke kompozuar për artistë të rinj dhe ato me emër zhanre të ndryshme muzikore. Kjo është një e mirë që shkollimi na e ka dhënë, që mund të lëvrojmë në zhanre të ndryshme muzikore. Unë ndjej kënaqësi shumë të madhe kur punoj edhe në teatro, bashkëpunoj në filma të ndryshëm.

Gjithmonë kam punuar në Teatrin kombëtar apo atë eksperimental, madje dhe në Teatrin e fëmijëve ku marr shumë kënaqësi. Muzika është komponent shumë i rëndësishëm në teatër dhe ka në dorë që diçka komike ta bëjë më enigmatike ose të kundërtën, është gjithmonë një bashkëudhëtar me interpretuesin, që në këtë rast është aktori. Pra muzika i bëhet aktorit një partner në skenë dhe i jep nuanca të ndryshme performancës se tij.

CMG: Si erdhi momenti që të përfshiheni me krijimtarinë tuaj muzikore në artin skenik?

Jeris Kaso: Unë jam artëdashësh, jam teatërdashës dhe shkoj gjitmonë për të ndjekur shfaqjet e teatrit. Duke pasur dhe shumë miq që janë aktorë, regjisorë dhe duke e ditur që unë e dua shumë këtë punë më afruan fillimisht që të bëja diçka. Ne patëm sukses dhe bashkëpunimi vijoi sepse unë e dua shumë atë punë dhe e përjetoj shumë gjithë proçesin e kompozimit të një vepre për teatër.

CMG: Sa kohë kaloni në studion tuaj muzikore?

Jeris Kaso: Praktikisht unë gjithë ditën e kaloj në studio, ku një pjesë e madhe e ditës time shkon duke kompozuar dhe prodhuar materiale të reja, por dhe duke punuar ato të vjetrat. Pra është një proces që nuk duhet të shkëputesh, është shumë e ngjashme me sportistët. Duhet ta fokusosh gjithë kohën tënde në këtë punë, duhet ta duash këtë punë sepse muzika është një gjuhë e fortë universale.

CMG: Cilat janë dëshirat që mund të arrini me artin muzikor?

Jeris Kaso: Dëshira ime më e madhe është që të vazhdoj të jetoj me këtë punë. Nëse unë prodhoj muzikë të mirë dhe bëj punë të mirë, gjithmonë do vazhdoj rritjen në karrierë. Por unë do vazhdoj të jetoj me këtë punë dhe çdo gjë tjetër pastaj varet sesi do të shkojë krijimtaria apo rrugët e tjera. Kjo punë mua më jep kënaqësi shpirtërore dhe më përmbush nevojat e mia në jetë, kështu që do të jem shumë i kënaqur nëse jetën do ta kem shumë të lidhur me muzikën dhe muzika do jetë partnerja ime në jetë.

CMG: Si një djalë nga Vlora a ju pëlqen iso-polifonia?

Jeris Kaso: Ne jetojmë në Shqipëri dhe jemi pjesë e Ballkanit dhe e kontinentit europian. Europa ka investuar shumë vite në muzikë, sidomos në muzikën klasike dhe ka pasur emra shumë të mëdhenj që e kanë bërë muzikën të jetë këtu ku jemi sot, pra kanë qenë gjigantët e kësaj pune.

 Ne jemi në Shqipëri në një vend të vogël multikulturor, kemi multidimensione të njerëzve, por unë mendoj që ne kemi një pikë shumë të fortë përsa i përket iso-polifonisë labe kryesisht. Nëse do të duam që një ditë nga ana muzikore të hyjmë ku të na dëgjojnë, shikojnë dhe studiojnë gjermanët, pika jonë e fortë është iso-polifonia labe, e cila është një kryevepër, është e lashtë sa vetë jeta. Nuk e dimë sesi është zhvilluar dhe sesi është shpikuar, por daton që nga fiset ilire. Unë mendoj që kjo është diçka autentike e jona dhe më pëlqen shumë, i njoh të gjithë pionerët që nga himarioti Neço Mukaj, të gjithë njerëzit që e kanë zhvilluar këtë gjë kaq unikale që ka një shije aq shqiptare dhe aq të freskët, por ndonjëherë edhe të trishtë. Unë mendoj se iso-polifonia labe e prek jetën e njeriut në të gjitha dimensionet e saj, është një gjë shumë e natyrshme dhe na përfaqëson më së miri dhe duhet të jemi krenar për këtë gjë që kemi. Edhe të rinjtë duhet të jenë krenarë për këtë gjë dhe mos t’ju duket demode iso-polofonia labe, por është diçka që ka shumë vlera dhe është e bukur, duke na dhënë ndjesi të ndryshme.

CMG: Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga vendi dhe ta zhvilloni karrierën muzikore jashtë?

Jeris Kaso: Unë duke punuar me muzikën më ka lidhur puna që të punoj me artistë të ndryshëm si italianë, por dhe me artistë francezë kam punuar. Të them të drejtën kam pasur një ofertë në Itali dhe më bëri të mendohesha, por vendosa që jo për shumë arsye. Mua më pëlqen të jetoj këtu, e gjej veten time mirë në Shqipëri, pra e kam gjetur veten time në shoqërinë shqiptare. Për momentin mendoj se jam mirë këtu, pastaj në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë.

CMG: Cilat kanë qenë krijimet tuaja muzikore kohët e fundit?

Jeris Kaso: Unë sapo kam dalë nga një shfaqje e kryer në Teatrin Kombëtar dhe titullohej “Tërësisht të huaj” dhe ishte një inovacion përsa i përket skenografisë si dhe shunë e zhvilluar nga ana teknologjike, ku unë pata një fokus gati një muaj me këtë shfaqje. Për momentin jam duke punuar disa materiale me artistë italianë, por edhe me artistë shqiptarë të zhanreve të ndryshme. Gjithmonë jam i fokusuar në punë dhe në festivalin e madh të fundivitit isha i angazhuar, ku kisha një artist të ri shumë të talentuar dhe kënga hyri në finalen e festivalit. Unë gjithmonë jam i angazhuar vetëm duke bërë muzikë.

CMG: Si a kaloni kohën e lire, kur nuk merreni me muzikë?

Jeris Kaso: Unë jam shumë i lidhur me natyrën, duke qenë se puna jonë është në studio gjithë kohës dhe ka pak ngarkesë shpirtërore, sikur gjej një lloj paqeje te natyra, ku mundohem që sa më tepër të kem kontakt me natyrën. Pastaj në pjesën tjetër të kohës takoj miqtë e mi të mirë dhe dua të falenderoj shumë Alfrend Meminaj që na bëri ne bashkë sot. Gjithashtu më pëlqen kinematografia dhe në teatër shkoj shpesh. Më pëlqen që t’i jap vetes gjëra të shëndetëshme shpirtërore dhe fizike.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.

Jeris Kaso: Në radhë të parë të falenderoj shumë dhe ishte kënaqësi shumë e madhe që zhvilluam këtë bisedë kaq të këndshme. Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, të gjithë miqtë e mi dhe gjithë të rinjtë kudo që ndodhen, dhe duhet të vazhdojnë të ndjekin ëndrrën e tyre, duhet të duash, duhet të punosh dhe nuk duhet të ndalosh. Kjo është e vetmja formulë që ekziston.

Intervistoi: Gazmend Agaj