Një instrument unik, i përdorur për shumë vite nga një personalitet i muzikës shqiptare, një piano e vjetëruar nga koha, por me shumë dashuri të derdhur bashkë me notat, piano e sopranos Tefta Tashko Koço, ndodhet e ekspozuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, duke na kujtuar se ajo relikë ka shumë kujtime për të treguar.
Tastet e saj janë zverdhur nga koha. Motivet në formë harpe janë gërvishtur, por jo historia e saj. Mes objekteve luftarake, dëshmive arkeologjike, etnografike e mijëra artefakteve, në Muzeun Historik Kombëtar, ndodhet edhe një piano.
Ndonjëherë gjërat i kemi parasysh dhe nuk ua dimë vlerën. Kështu ka ndodhur edhe me pianon e sopranos, për të cilën nëse pyesni se ku ndodhet, përgjigjia është: në muze. Nga një objekt gati anonim, që para disa vitesh mbahej në ambientet e Liceut Artistik në Tiranë, prej disa vitesh ndodhet në hollin e muzeut dhe mund ta kundrojnë të gjithë.
Pianoja ka një histori për t’u treguar. Eno Koço, biri i këngëtares, ka rrëfyer se kjo piano është e të dy prindërve të tij, të cilët e kishin blerë gjatë kohës që ishin në Itali në vitin, 1942.
Në fakt, sa dëshmohet, sopranoja Tefta Tashko Koço nuk e përdori asnjëherë në Liceun Artistik këtë piano, sepse ndërsa priste të niste mësimet, pikërisht në vitin 1947, ajo u kthye e sëmurë rëndë nga Rusia, ku kishte shkuar për t’u kuruar. Lirikja shqiptare nuk e mundi dot sëmundjen e rëndë, që i mori jetën.
Si kaloi pianoja në Lice është një situatë enigmatike dhe e pashpjeguar. Por dihet se prej vitit 1953, ajo ka qëndruar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të mësuar në të breza të tërë pianistësh, deri në fillimet e viteve ’90-të. Rrënimi i saj filloi më pas.
Ajo heshti në vitet ’90, kur nuk mund të ishte më funksionale, duke u lënë në harresë për vite të tëra. Tanimë ajo është pjesë e MHK-së.
Pianoja e vjetër ka kaluar në një proces të gjatë restaurimi, përpara se të ekspozohej në Muze. Ajo ka pasur sidomos probleme me karkasën e drunjtë për shkak të përdorimit në vite.
Ekspozimi i këtij objekti vjen si një homazh për artisten e madhe që do të thyente tabutë e kohës, në një vend ende feudal e ku femrat e shkolluara dhe intelektuale numëroheshin me gishtat e duarve.
Një zë i bukur, që solli në Shqipëri jo vetëm kulturën perëndimore, ariet më të bukura të repertorit operistik botëror, por që ngriti në një nivel më të lartë këngën qytetare korçare. Po ashtu, kjo piano është një dëshmi e jetës kulturore në Shqipëri në vitet ’40.
Tefta Tashko Koço ka qenë pjesë e atij grupi të artistëve shqiptarë në fillim të shek. XX, që e pasuruan repertorin e muzikës popullore tradicionale dhe qytetare me teknikë të re.
Artistja i takonte muzikës së dhomës, duke treguar origjinën e këngës tradicionale gojore dhe operës. Ende dhe sot janë të pranishme te publiku shqiptar këngët e repertorit të saj si “Kroi i fshatit tonë”, “Dola në dritare“, “Kur më vjen burri nga stani”, “Unë o ty moj të kam dasht, “Kenke nur i bukurisë” etj. Shumë prej tyre i përkisnin poezive të krijuara nga miku i saj më i mirë, poeti i madh Lasgush Poradeci. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.
Neritana Kraja