Logoja e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Kinë (Foto CMG)
Në ceremoninë e krijimit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Kinë zhvilluar javën e kaluar në Tiranë mund të takoje ish-studentë shqiptarë në universitetet e Kinës nga vitet ’60, të tjerë ish studentë që sot punojnë në Shqipëri, por edhe të rinj që po studiojnë gjuhën kineze në Institutin Konfuci.
Në fjalën përshëndetëse, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Winston Wang, theksoi se veprimtaria e kësaj shoqate do të ofrojë më shumë shërbime dhe mbështetje për numrin e madh të studentëve që studiojnë në Kinë, duke kontribuuar në shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme midis Kinës dhe Shqipërisë, si dhe në promovimin e miqësisë mes dy vendeve, duke u bërë një hallkë e re për përshpejtimin e zhvillimit të miqësisë në epokën e re.
Kryetari i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Kinë, Artan Lakrori vuri në dukje se ajo do të jetë shtëpia e të gjithë të rinjve shqiptarë që ndër vite kanë studiuar në Kinë, por dhe e atyre që dëshirojnë të ndjekin studimet në shtetin aziatik.
Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Artan Lakrori zbulon synimin, veprimtaritë e pritshme, mundësitë e anëtarësimit dhe organizimit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Kinë.
Artan Lakrori në intervistë për CMG
CMG: Shoqata e studentëve shqiptarë në Kinë sapo është krijuar dhe ju jeni kryetar i saj. Si lindi ideja e krijimit të kësaj Shoqate?
Artan Lakrori: Shoqata i ka fillesat me historinë e secilit prej nesh, që marrim pjesë në të. Jemi shqiptarë që kemi mbaruar studimet në Kinë. Unë personalisht kam shkuar për studime në Universitetin e Pekinit në vitin 2006. Tashmë i kthyer në atdhe ku punoj me disa kompani kineze. Bashkë me disa studentë shqiptarë që kemi qenë në ato vite në Kinë, por dhe të tjerë që kanë qenë më pare menduam që duhet krijuar një platformë komunikimi, ndihme për të gjithë ne.
Praktikisht Shoqata është krijuar për të gjithë ata që kanë qenë me studime në Kinë, duke filluar nga vitet 60-të të shekullit të kaluar dhe ne jemi duke punuar për të krijuar një database të të gjithë studentëve shqiptarë në Kinë. Bëhet fjalë për brezin e pare që nisën të shkonin për studime në Kinë në vitet 60-të.
CMG: Në ceremoninë e krijimit të Shoqatës pamë 80 vjeçarë të cilët kujtonin që në moshën 18 vjeçare kanë nisur studimet në Kinë. Besoj se dhe ata janë pjesë e kësaj platform.
Artan Lakrori: Patjetër që janë sepse nuk mund të ndërtojmë një perspective për të ardhmen pa ditur të kaluarën dhe të tashmen. Shoqata shërben edhe për studentët që janë aktualisht në Kinë si një platformë informacioni dhe ndërlidhje mes tyre, por dhe për ata që kanë dëshirë të studiojnë në Kinë dhe mundet të na kontaktojnë për t’u informuar.
CMG: Është një lloj network-u dhe duke jetuar në një epokë digjitale është më e lehtë për t’u realizuar edhe në rastin e një vendi të largët si Kina. Për të rinjtë ndoshta shërben kontakti me ju për t’u orientuar rreth mundësive të studimit në Kinë.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Winston Wang në aktivitetin e krijimit te Shoqates se Studenteve Shqiptare ne Kine (Foto CMG)
Artan Lakrori: Për këtë qëllim kjo Shoqatë ishte një nevojë dhe një domosdoshmëri e kohës për të krijuar një platformë të tillë. E konsideroj si platformë sepse ne shpresojmë që së shpejti të kryejmë disa aktivitete kulturore. Bashkë me anëtarët e tjerë jemi duke diskutuar për zhvillimin e Vitit të Ri Kinez, siç zhvillohet në të gjitha vendet e tjera të botës. Ndoshta në një rrugë të Tiranës mund të krijojmë një atmosferë festive me elemente tradicionale kineze.
CMG: Ka aktivitete të tilla. Vjet ishte një nismë për t’u përshëndetur Java e Kulturës Ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet dhe sivjet, ku Java e Kulturës Kineze do të jetë në javën e fundit të shtatorit deri më 1 tetor, që përkon me festën e themelimit të Republikës Popullore të Kinës. Besoj se Shoqata juaj do të jetë pjesë e këtyre organizimeve
Artan Lakrori: Patjetër që do të jemi, ndërsa Vitin e Ri Kinez e kemi si një pike referimi.Përveç këtyre për disa festa të Kinës ne mund të mblidhemi duke ftuar edhe shqiptarë të tjerë, të cilët jo domosdoshmërisht kanë studiuar apo kanë qenë në Kinë.Mendojmë t’i njohim qytetarët shqiptarë me këtë pjesë shumë të rëndësishme të botës, siç është kultura kineze.
CMG: Lidhur me pjesmarrjen në Shoqatën tuaj, sa studentë apo ish studentë shqiptarë kanë studiuar në Kinë, apo studiojnë aktualisht?
Artan Lakrori: Për momentin janë rreth 200 studentë shqiptarë në Kinë, të cilët kanë shkuar nëpërmjet formave të ndryshme. Për shembull ka të rinj që studiojnë në universitete, të tjerë që mësojnë gjuhën kineze, apo të tjerë që kryejnë specializime të ndryshme.
E rëndësishme është që po shtohet ky numër. Nëse para viteve 90-të ka patur shumë studentë shqiptarë në universitetet kineze, pastaj pati një rënie të numrit dhe tashmë sërish ky numër ka ardhur në rritje. Besoj se zhvillimi i shton shkëmbimet, madje edhe numri i studentëve kinezë që vijnë në Shqipëri për të mësuar gjuhën shqipe do të shtohet
Krijimi i Shoqates se Studenteve Shqiptare ne Kine (Foto CMG)
CMG: Përderisa flasim për studentë kemi parasysh dhe studimet, ndaj arsimi është në qendër të shkëmbimeve, ashtu si dhe kultura, sporti.
Artan Lakrori: Unë dhe të tjerë shqiptarë që kemi patur fatin të studiojmë në Kinë, e them këtë sepse përveç pedagogëve shumë të mire dhe shokëve të shkollës, me të cilët ende i mbaj marrëdhëniet, kujtoj se kemi patur një jetë sociale shumë të pasur. Duke filluar nga aktivitetet sportive, pasi kampusi i Universitetit të Pekinit ishte një qytet më vete ku ke mundësi të zhvillosh disa sporte.
Në atë periudhë pata fatin edhe të bashkëpunoja me Radion e Jashtme të Kinës, që atëkohë quhej CRI, ku kam bërë një internship për një periudhë të caktuar. Të gjitha aktivitetet që përmenda kanë lidhje me shkëmbimet kulturore.
CMG: Flasim për ju. Keni kryer studimet në Kinë, duke filluar nga viti 2006 pastaj keni punuar, si ka qenë në vijimësi lidhja juaj me Kinën?
Artan Lakrori: Aktualisht punoj për një kompani kineze që quhet “Maotai”, e cila është një ndër dhjetë kompanitë më të mëdha në Kinë dhe merret me alkoolin tradicional kinez. Jemi përfaqësues të kësaj kompanie për Shqipërinë dhe këtë pjesë të Ballkanit. Paralelisht kam krijuar një shoqëri në Tiranë e cila merret me import-eksportet nga Kina, jo vetëm Shqipëri-Kinë, por kryejmë eksporte nga Kina dhe nga vende të tjera. Edhe ata që janë të përfshirë në këtë kompani kanë mbaruar studimet në Kinë. Kjo ka lindur edhe si nevojë e tregut me të cilin punojmë, pasi furnitorët i kemi nga Kina.
Tani kemi filluar dhe një veprimtari tjetër duke çuar produkte europiane në tregun kinez. Pavarësisht se pandemia na stopoi por përpara saj bëmë përpjekje me disa produkte shqiptare si vera “Arbri”, një verë shumë e mire shqiptare, vaji i ullirit “Musai”, cilësi e pare, por edhe mjalti, erëza të ndryshme etj. Ne duke patur një treg të vogël fokusohemi vetëm te cilësia e lartë.
I ngarkuari me pune i Ambasades se Kines ne Shqiperi, Winston Wang (Foto CMG)
CMG: Kthehemi te Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Kinës. Si mund të anëtarësohesh në këtë shoqatë?
Artan Lakrori: Tani anëtarësimi është vullnetar dhe nuk kemi rregulla strikte anëtarësimi, madje do të kemi dhe anëtarë nderi, të cilët mund t’i përkasin shkëmbimeve Shqipëri-Kinë, por edhe të tjerë. Ndërkohë një student shqiptar që ka mbaruar studimet në Kinë dhe kthehet në Shqipëri, ai ka nevojë për një urë mbështetëse dhe shoqata jonë duke patur këtë anëtarësim, mund t’ia shtrojë atij rrugën. Ne do të vendosim kritere sepse sapo kemi krijuar shoqatën, por janë të mirëpritur të gjithë.
CMG: Ka shoqata të tjera simotra në vende të tjera të botës? Mendoni të bashkëpunoni me to?
Artan Lakrori: Po, ka. Ne jemi vonë në raport me të tjerët. Sa i përket vendeve në Europë ka shoqata të tilla në Itali, Greqi Francë, por nuk e di nëse ka në vende të tjera të Ballkanit. Sigurisht që ne do të fillojmë bashkëpunimin me shoqata simotra pasi kemi një qëllim të përbashkët.
CMG: Ndonëse sapo keni nisur si Shoqatë, cila do të jetë veprimtaria e radhës?
Artan Lakrori: Fillimisht është Java e Kulturës Kineze, për të cilën do të nisim përgatitjet.Të gjithë ata që janë të interesuar për Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Kinë, apo duan të mësojnë për kulturën kineze ne kemi qendrën “Pse jo”, e cila ndodhet në Rrugën e Durrësit, pranë Kafe Florës, ku mund të shijoni dhe ushqimin kinez, por dhe mundësi për të shkëmbyer përvoja rreth Kinës, për të mësuar kaligrafinë dhe më shumë për jetën dhe kulturën kineze.
Intervistoi Eda Merepeza