foto nga CFP
Anija kozmike me astronautë "Shenzhou-16" u lëshua në hapësirë paraditen e së martës dhe, pas hyrjes në orbitë, u lidh me sukses vertikalisht me modulin kryesor "Tianhe" të stacionit hapësinor në orën 16:29. Tërë procesi i lidhjes u realizua brenda gjashtë orë e gjysmë. Kështu, dy ekuipazhet, përkatësisht të anijeve kozmike "Shenzhou-16" dhe "Shenzhou-15", u takuan në stacionin hapësinor.
Ky është misioni i parë i lidhjes së anijes kozmike me astronautë me stacionin hapësinor të Kinës gjatë periudhës së funksionimit e të zhvillimit dhe gjithashtu detyra e parë e lidhjes vertikale të një mjeti hapësinor me stacionin hapësinor në formën "T"-je me tre module.
Gao Xu, kryeprojektuesi i sistemit të anijeve kozmike me astronautë nga Instituti i Pestë i Grupit të Teknologjisë së Fluturimeve Kozmike, tha: "Kësaj here përdorëm mënyrën vertikale të lidhjes, sepse horizontalisht stacioni hapësinor është lidhur me anijen kozmike 'Shenzhou-15'."
foto nga CFP
Gjatë periudhës së ndërtimit të stacionit hapësinor i Kinës, janë bërë lidhje vertikale edhe me anijet kozmike "Shenzhou-13" dhe "Shenzhou-14", por kësaj here misioni i lidhjes me anijen "Shenzhou-16" ishte më i vështirë. Nga njëra anë, stacioni i tanishëm hapësinor është një kompleks i përbërë nga dy modulet laboratorike "Wentian" e "Mengtian", anija me astronautë "Shenzhou-15" dhe anija e mallrave "Tianzhou", prandaj ka një përmasë dhe peshë më të madhe se më parë dhe është më e vështirë të kontrollohet qëndrimi i tij. Nga ana tjetër, ky kompleks kolosal do të pengojë fushëpamjen e aparateve matëse në anijen "Shenzhou-16", të cilat lëshojnë sinjale në bazë të vëzhgimit të sfondit kozmik dhe të diellit.
Lidhur me këto vështirësi, Li Meng, zv.kryeprojektuesi i anijes kozmike me astronautë nga Instituti i Pestë i Grupit të Teknologjisë së Fluturimeve Kozmike, tha se grupi kërkimor ka marrë masa përballuese. "Kundrejt peshës dhe plogështisë së madhe të mjeteve hapësinore, bëmë disa rregullime për pajisjet e lidhjes, dhe disa instalime zbutëse mund të thithin energjinë e përplasjes. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër, e pajisëm anijen kozmike edhe me aparate matëse që punojnë me metoda të ndryshme, të cilat janë rezervë për ato që punojnë në bazë të vëzhgimit të sfondit kozmik dhe të diellit. Kështu, nëse stacioni hapësinor mbulon fushëpamjen e një pjese të tyre, do të përdorim sinjalet nga pjesa tjetër."
Pas lidhjes me stacionin hapësinor, ekuipazhi i "Shenzhou-16" doli nga anija kozmike dhe hyri në modulin orbital të stacionit hapësinor.
foto nga CFP
Në orën 18:22 të së martës, astronautët e anijes "Shenzhou-15" hapën "derën" e stacionit hapësinor dhe mirëpritën ekuipazhin e ri në shtëpinë e tyre në hapësirë. Më vonë, të dy ekuipazhet dolën së bashku në fotografi si një "familje e plotë", duke i raportuar se ishin të sigurt të gjithë popullit kinez.
Në pesë ditët e ardhshme, astronautët e të dy ekuipazheve do të punojnë bashkërisht në stacionin hapësinor për punët e dorëzimit. (Wang Lei/ Artan)