Ministrja Ibrahimaj: Synojmë mbështetjen e 6 mijë familjeve për strehim social
2023-05-31 11:30:05

Foto nga RTSH

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paraqiti në Komisionin kuvendor të Punës dhe Çështjeve Sociale ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”.

Ibrahimaj bëri të ditur se ndryshimet ndër të tjera sigurojnë zgjerimin e përfituesve edhe me kategorinë e të punësuarve në administratën publike, të rinjtë dhe familjet e reja, përcjell “ATSH”.

“Përmes ndryshimeve po i japim zgjidhje njërës prej sfidave të kohës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e BE-së - atë të largimit të shtresës së mesme dhe përkeqësimit të situatës së tyre ekonomike, duke krijuar mbështetje për familjet e reja, të rinjtë dhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë shpenzuar kohë e kapital për t’u shkolluar dhe që kontribuojnë në ekonominë e vendit”,- tha ministrja.

Sipas saj, krahas masave që qeveria po ndërmerr për rritjen e pagave, programi politik qeverisës 2021-2025 synon të adresojë nevojën e familjeve të reja për strehim dhe krijimin e më shumë mundësive dhe siguri për të rinjtë në krijimin e familjes dhe ndërtimin e të ardhmes në vendin e tyre.

“Ndryshimet propozojnë riformulimin e kategorisë “çift i ri” në “familje të reja” (shpeshherë është keqinterpretuar se çifti i ri nuk përfshin fëmijët) si dhe ndryshimin e kufirit moshor, duke qenë se familjet e reja po krijohen gjithnjë e më shumë në një moshë më të madhe se më parë”,- u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se ndryshimet ligjore propozojnë shtimin e një kapitulli të ri që adreson mbështetjen me kredi të lehtësuara për strehimin e të punësuarve të administratës publike.

“Programi i kreditimit të lehtësuar është nga programet më të kërkuara nga qytetarët. Në vitin 2013, ky program u pezullua për shkak të mbartjes së një borxhi prej mbi 300 milionë lekë ndaj bankës me të cilën zbatohej ky program. Në vitin 2019 e rihapëm programin duke parë edhe rënien e normave të interesit. Nga viti 2020 kanë përfituar 1150 familje dhe janë në proces edhe 1500 familje të tjera, por procesi është ngadalësuar për shkak të vështirësive në gjetjen e banesave me çmime të përballueshme në treg”,- tha Ibrahimaj.

Lidhur me këtë të fundit, ministrja informoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar udhëzimin mbi metodologjinë e llogaritjes së vlerave mesatare të shit-blerjes së banesave në treg. Kjo metodologji ka munguar deri më sot dhe tashmë bëhet e mundur që, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Enti Kombëtar i Banesave të llogarisë sa më parë vlerat e rishikuara të tregut të banesave.

Një tjetër risi që sjell ligji i ri është digjitalizimi i plotë i sistemit të strehimit.

Nga viti 2014 deri më 2020-n, fondet në dispozicion të programeve të strehimit janë shumëfishuar dhe, konkretisht: janë shpërndarë rreth 3.3 miliardë lekë për strehimin e 12.750 familjeve, nga të cilat mbi 8 mijë familje të komuniteteve të varfra dhe të pafavorizuara.  (Elona)