Ukrainë – Rusi, luftimet në muajin e 16-të. Kina rikonfirmon angazhimin që konflikti të marrë fund
2023-05-31 16:16:48

Lufta Ukrainë – Rusi i ka kaluar më shumë se 450 ditë dhe duket se konflikti po agravohet jo thjesht në arenën territoriale midis dy shteteve, por më shumë në arenën ndërkombëtare, dhe kjo, kryesisht në lidhje me ekonominë, burimet natyrore, zinxhirët e furnizimit, etj.

Kina nga ana e saj, edhe pse nuk ka ndonjë interes të drejtpërdrejtë në lidhje me aspektet ekonomike, burimet natyrore dhe zinxhirët e furnizimit që ndërthurin këto dy vende, përsëri është e angazhuar tërësisht për zgjidhjen e këtij konflikti në mënyrë sa më humane dhe sa më përfituese, jo vetëm për të dy palët e përfshira në konflikt, por edhe për të tërë palët e përfshira ndërkombëtarisht. Për këtë, ajo po bën përpjekje të pakursyera për të rivendosur paqen në Evropë dhe në botë, dhe për këtë organizoi javët e fundit, midis datave 15 – 26 Maj 2023, edhe turneun e të dërguarit të saj të posaçëm Li Hui në Europë, për ndërmjetësimin e konfliktit Rusi-Ukrainë, i cili vizitoi gjatë këtyre ditëve Ukrainën, Poloninë, Francën, Gjermaninë dhe Brukselin, selinë e Bashkimit Evropian.

Gjatë udhëtimit gati dy-javor, përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike, u takua me liderë dhe diplomatë të lartë, duke shkëmbyer mendime mbi zgjidhjen politike të krizës.


Li Hui në Ukrainë

Ky udhëtim erdhi vetëm pasi krerët e shteteve të Kinës dhe Ukrainës patën një bisedim telefonik, në të cilën udhëheqja kineze rikonfirmoi angazhimin e Pekinit për të qëndruar në anën e paqes mbi krizën në Ukrainë.

Në fillim, Li Hui u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, dhe më pas zhvilloi bisedime të veçanta me shefin e zyrës së Presidentit ukrainas Andriy Yermak, Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe zyrtarë të ministrive ukrainase të infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes. Në këto takime ai kërkoi që palët e përfshira të dalin nga vetja, të grumbullojnë besim të ndërsjellë dhe të krijojnë kushte për përfundimin e konfliktit dhe të nxitin bisedimet për paqe.

Nga ana saj pala ukrainase konfirmoi se shprehte kënaqësinë e saj për pritjen e të dërguarit special të Kinës menjëherë pas bisedimeve telefonike midis liderëve të këtyre dy vendeve dhe se i kushton rëndësi të madhe rolit të rëndësishëm të Kinës në çështjet ndërkombëtare si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e mirëpritur rolin pozitiv të Kinës në përfundimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes.

Li Hui në Ukrainë

Më tej në Poloni Li Hui zhvilloi bisedime me Wojciech Gerwel, nënsekretar i shtetit të Polonisë, dhe në këtë takim ai vlerësoi rolin e rëndësishëm të Polonisë në çështjet rajonale, duke shprehur angazhimin që Kina është e gatshme të mbajë komunikimin me Poloninë për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, duke mbështetur vendosjen e një arkitekture të ekuilibruar, efektive dhe të qëndrueshme evropiane të sigurisë për të ofruar një garanci të qëndrueshme për paqen në Evropë, ndërsa pala polake deklaroi se shpreson që Kina do të vazhdojë rolin e saj pozitiv në çështjen e Ukrainës për të lehtësuar dhe qetësuar tensionet aktuale dhe për të siguruar paqen sa më shpejt të jetë e mundur.


Li Hui në francë

Më pas, në Francë, Li Hui zhvilloi bisedime me Frederic Mondoloni, drejtor i përgjithshëm i çështjeve politike dhe sigurie të Ministrisë së Jashtme franceze, takim në të cilin ai deklaroi se Kina dhe Franca kanë shumë mirëkuptime të përbashkëta për çështjen e Ukrainës, ndërsa pala franceze deklaroi se e vlerëson shumë vizitën e Përfaqësuesit Special Li Hui dhe pret që Kina të vazhdojë rolin e saj konstruktiv në ndërprerjen e armiqësive.


Li Hui në Gjermani

Në Gjermani, ndalesa e katërt, i dërguari kinez, Li Hui zhvilloi bisedime me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane, Andreas Michaelis, duke deklaruar se Kina mbështet përpjekjet e vendeve evropiane për të adresuar shkaqet kryesore të krizës dhe për të gjetur një zgjidhje si për simptomat ashtu edhe për shkaqet kryesore për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme të kontinentit evropian, ndërsa pala gjermane deklaroi se Gjermania vlerëson shumë përpjekjet pozitive të Kinës për të de-përshkallëzuar krizën në Ukrainë. Është shumë e dobishme dhe e nevojshme që Gjermania dhe Kina të forcojnë dialogun për një sërë çështjesh kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë çështjen e Ukrainës.


Li Hui në Bruksel

Më tej, në Bruksel i dërguari kinez, Li Hui zhvilloi bisedime të veçanta me Frederic Bernard, kreun e kabinetit të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe Enrique Mora, zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, në Bruksel, duke deklaruar se Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim objektiv dhe të paanshëm për çështjen e Ukrainës dhe promovon në mënyrë aktive bisedimet e paqes.

Kina dhe BE ndajnë shumë konsensus mbi këtë çështje. Kina mbështet forcimin e autonomisë strategjike të vendeve evropiane dhe përpjekjet për stabilitetin afatgjatë të kontinentit evropian, ndërsa pala e BE-së vlerësoi rolin pozitiv që Kina luajti në zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe se vlerësojnë parimet në dokumentin që përshkruan pozicionin e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. BE ndan shumë interesa të përbashkëta në lidhje me çështjen e Ukrainës me Kinën.

Li Hui në Rusi

Ndalesa e fundit për këtë mision ishte në Rusi. Më 26 maj, Li Hui zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe dy zëvendësministrat e jashtëm Andrei Rudenko dhe Mikhail Galuzin. Në këtë takim, Hiu deklaroi se Kina ndjek gjithmonë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, mban një qëndrim objektiv dhe të drejtë dhe promovon në mënyrë aktive bisedimet e paqes. Kina gjithmonë bën gjykimin e saj në mënyrë të pavarur bazuar në meritat e çështjes. Kina qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe dialogut dhe në anën e duhur të histories, ndërsa pala ruse vlerëson dëshirën e sinqertë dhe përpjekjet praktike të Kinës për të promovuar një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë dhe beson se parimet dhe qëndrimi përkatës i Kinës janë të favorshme për një zgjidhje paqësore.

Në mënyrë jo surprizuese, në lidhje me angazhimin e Kinës në këtë problem madhor transnacional, disa media po luajnë, ashtu si edhe në disa raste të mëparshme, lojën e informacioneve të rreme. The Wall Street Journal për shembull, raportoi se “Një zyrtar Perëndimor që di bisedimet midis ambasadorit kinez dhe qeverive europiane” bëri të ditur se, Kina propozoi një plan të ndalimit të zjarrit, duke pranuar që Rusia të zërë tokën e pushtuar të Ukrainës. Por, në lidhje me këtë aspekt, ishte vetë kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, që publikoi në datën 27 maj një video në Facebook, për të hedhur poshtë këtë njoftim të pabazuar dhe të pavërtetë të The Wall Street.

Ai deklaroi se ka kontaktuar të gjithë homologët e tij në vendet që i dërguari i posaçëm kinez vizitoi dhe nuk gjeti asnjë fakt dhe asnjë vërtetim që Kina ka biseduar me ata për këtë “propozim”.

Kjo nuk është hera e parë që media të ndryshme Perëndimore lëshojnë lajme të rreme për Kinën, në një kohë që Kina që në fillim të konfliktit ka mbajtur një qëndrim të pandryshueshëm, të palëkundur dhe konstruktiv për këtë çështje.

Mao Ning

Lidhur me këto zhvillime të Luftës Ukrainë - Rusi, agjencia më e madhe e lajmeve Reuters i bëri këtë pyetje zëdhënëses së diplomacisë kineze Mao Ning: “Sipas një raporti të The Wall Street, zyrtarët perëndimorë të njohur me udhëtimin e fundit të të dërguarit të posaçëm Li Hui në Evropë thonë se Kina po propozon një armëpushim që do të linte Rusinë në zotërim të pjesëve të Ukrainës A mund të konfirmoni se Kina po e propozon këtë dhe pse?”. Ning u përgjigj: “Kina ka lëshuar kohë më parë informacione për vizitën e Përfaqësuesit Special Li Hui në Evropë. Ju lutemi referojuni këtyre informacioneve autentike. Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha publikisht se ai kontaktoi palët e tjera dhe asnjë vend nuk tha se Përfaqësuesi Special Li Hui i bëri komentet e raportuara nga The Wall Street Journal”.

Kështu pra, përfundimisht në lidhje me këtë lajm autentik, më parë duhet pyetur përfaqësuesi i Ukrainës dhe zëdhënësi zyrtar i diplomacisë kineze dhe jo ndonjë agjenci lajmesh me qendër në Wall Street.

Nga: Dr. Enriko Ceko