Ministrja Krifca: Eksportet bujqësore janë rritur me 5.3%
2023-05-31 10:35:06

Foto nga ATSH

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, vizitoi pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore në Lushnjë, ku bëri të ditur se eksportet e produkteve bujqësore janë rritur me 5.3%.

Sipas ministres Krifca, rritja në eksportet bujqësore vjen pas politikave të duhura që kanë mbështetur zinxhirin prodhues-grumbullues e standardizues të produkteve, citon “ATSH”.

“Gjatë 4-mujorit të parë të vitit eksportet u rritën me 5.3% dhe po ecet drejt rrugës së duhur për përmbushjen e objektivit prej 1 miliard dollarë eksporte bujqësore brenda vitit 2030”,- deklaroi Krifca. Sipas saj, produktet bujqësore po shkojnë kryesisht në vendet e rajonit dhe Itali, Evropën Lindore, Letoni e më gjerë.

“Me fuqizimin e pikave të grumbullimit jemi përpjekur të rrisim edhe sipërfaqen e serrave. Në rang vendi janë 2200 ha serra”, - tha ajo. (Elona)