Presidenti i Bullgarisë i kërkon koalicionit PP-DB të formojë qeverinë
2023-05-31 10:33:22

Foto nga VCG

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i kërkoi të hënën koalicionit “Ne vazhdojmë ndryshimin - Bullgaria Demokratike (PP-DB)”, forca e dytë më e madhe e vendit në Parlament, të formojë një qeveri.

Radev ia dorëzoi mandatin Nikolai Denkov, kandidatit të PP-DB për kryeministër, bën të ditur “Xinhua”.

“Në ditët në vijim, ne do të negociojmë me forcat e tjera parlamentare në mënyrë që të jemi në gjendje të formojmë një qeveri të rregullt”,- tha Denkov, koalicioni i të cilit mban 64 vende në Parlamentin prej 240 anëtarësh.

“Shpresoj që kjo përpjekje e sinqertë e jona do të mbështetet”,- tha Denkov.

Ai ka shtatë ditë për të propozuar një qeveri, e cila më pas do të ketë nevojë për mbështetjen e Parlamentit me një shumicë të thjeshtë votash.

Radev fillimisht ia besoi më 15 maj detyrën e formimit të qeverisë së re koalicionit GERB-UDF, forcës më të madhe politike në vend, e cila mban 69 vende, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë parlamentare.

Nëse PP-DB nuk arrin të formojë qeverinë, presidenti ia beson detyrën njërit prej katër grupeve të vogla parlamentare. Nëse nuk arrihet marrëveshje, presidenti do të shpallë zgjedhje të reja parlamentare. (Elona)