Të huajt blejnë prona në bregdetin shqiptar
2023-05-31 10:13:44

Kërkesa nga shtetasit e huaj për të blerë prona në bregdetin shqiptar sa vjen e rritet. Kjo gjë vërehet edhe nga ekspertët e pasurive të paluajtshme, të cilët ndjekin trendin e interesit. Në një intervistë për mediat, eksperti Florian Tahiri, i cili operon me një agjenci imobiliare në Durrës tregon çmimet aktuale të pronave në bregdet.

“Nëse flasim për zonën e Durrësit, kemi si çmime reference, tre zonat kryesore dhe me kërkesën më të lartë, që janë zona e Vollgës, qendra e qytetit dhe zona e plazhit, që fillon nga ura e Dajlanit deri në Qerret të Kavajës. Kemi pasur një rritje nga 2021 deri në 2022 dhe vazhdojmë me të njëjtin trend, ose jemi nga 15-20% rritje gjë që është goxha për sektorin dhe për ekonominë. Në zonën e Durrësit, në qendër çmimi varion nga 900 deri në 1100 Euro, në zonën e Vollgës në apartamentet me pamje nga deti shkon deri në 1500 Euro metri katror dhe e njëjta gjë ndodh edhe në plazh që janë ballore me detin ku çmimi varion 1200 apo 1300 Euro metri katror. Ndërkohë për vijën e dytë dhe vijën e tretë e kështu me radhë çmimi fillon me një zbritje me nga 20% për distance, në varësi të vijës bregdetare apo detit. Kjo dukuri ndodh edhe në qytetet e tjera, ku qytetet me kërkesë më të lartë janë Vlora dhe Saranda. Nëse flasim për zona lungomare, secila ka kërkesën më të lartë, çmimet variojnë nga 1000 deri në 1500 Euro metri katror. Në qytetin e Vlorës apo qendrën e tij çmimi  varion nga 800-900 Euro metri katror, ndërkohë që në Sarandë jemi pak më lart se Vlora, ndoshta për shkak të numrit, ose sepse si qytet është më i vogël. Çmimet këtu variojnë nga 1300-1600 Euro metri katror”- tha Tahiri.

Ardhja e turistëve për pushime në Shqipëri, shumë prej tyre i ka nxitur që të mendojnë për të investuar. Ata kanë blerë apartamente, të cilat i shfrytëzojnë vetë kur vijnë me pushime dhe më pas pjesën tjetër i lënë me qira në sezonin veror.

“Tregu imobiliar ka pasur një kërkesë, e cila është reflektuar goxha, por edhe nëse marrim qytetin e Durrësit ka ndikuar, përveç inflacionit në përgjithësi edhe mungesa e ndërtimeve të reja. Duke mos pasur ndërtime të reja, automatikisht çmimi i atyre ekzistuese është rritur. Ky është një faktor, ndërkohë që faktori tjetër është ardhja e të huajve. Në Durrës të huajt e parë që kanë filluar të vijnë janë italianët, të cilët janë të konsiderueshëm në numër, por ata kanë strategjinë që  vijnë me qira dhe pasi e studiojnë qytetin vendosin dhe për të investuar apo për të blerë prone. Kryesisht blerësit i përkasin moshës së tretë,  të cilët e përdorin dhe për shkak të defiskalizimit, sepse nëse largohen nga Italia i largohen edhe taksave. Kjo është reale dhe për aq kohë sa e pranon ligji nuk kemi çfarë të themi. Pas italianëve erdhën çekët dhe polakët, të cilët janë të konsiderueshëm në numër dhe kanë investuar në Durrës.  Ata kanë një vizion biznesi shumë të mirë sepse apartamentet që kanë blerë afër plazhit i japin me qira ditore. Janë bërë sipërmarrës sepse i përdorin ato dy apo tre javë që vijnë vetë gjatë vitit dhe apartamentin apo investimin e japin me qira ditore. Ata kanë marrë një agjenci, që ia lë në menaxhim dhe i japin me qira ditore për gjithë vitin. Pra e shohin edhe si mundësi investimi, ndërkohë që pas 5 apo 10 vitesh, dihet që në përgjithësi tregu i real estate nuk ka rënie, ka vetëm pak stanjacion, por është gjithmonë në rritje. Kjo gjë është ndërkombëtare, nga statistikat në vite dhe ata e dinë shumë mirë që nuk ka vend më të sigurtë sesa për të investuar në tulla, në prona të patundshme. Kanë ardhur si turistë, por kanë parë dhe mundësi investimi.” – thotë eksperti.

Aktualisht sipas shifrave të agjencive imobiliare, afro 30 përqind e investimeve, e blerjeve të pronave në bregdetin shqiptar janë nga shtetasit e huaj. Ndër këta të huaj shquhen më së shumti italianët,çekët, ukrainasit, polakët, rusët, por dhe nga vende të tjera.

“Në Shqipëri kemi një xhiro prej 1.1 miliardë, Euro nga të cilat 300 milionë vijnë nga të huajt, pra gati 30% janë investime të huaja, para që vijnë nga jashtë. Normalisht këtu futet dhe një përqindje e shqiptarëve emigrantë, por kryesisht janë italianët, çekët dhe polakët, si dhe  shtetasit ukrainas dhe rusë. Ndërsa ukrainasit preferojnë më shumë të marrin prona me qira, rusët janë të prirur të blejnë. Për muajin maj prisnim të ishte një bum, sepse ishte muaji që do të fillonte pa viza dhe muaj turistik, por shteti ynë vendosi që duhet të vazhdojnë me viza dhe kjo gjë normalisht që ka rrudhur pak kërkesat që ne kishim, sepse kishim një numër të konsiderueshëm klientësh, që do vinin gjatë muajit maj. Sidoqoftë vazhdojmë të kemi klientë ruse. Ata shohin me shumë potencial Durrësin si qytet, por dhe Shqipërinë në tërësi ashtu si rajonin e Mesdheut. Me interes ata shohin çeshtjen e  lejes së qëndrimit. Sipas ligjit shqiptar, nëse një person zotëron një apartament 20 metër katror, një familje me katër persona duhet minimumi të ketë një apartament me sipërfaqe 80 metra katrorë, që të mund të aplikojnë për leje qëndrimi”- u shpreh eksperti i pasurisë së paluajtshme.

Sipas ekspertëve të pronave, interesi i shtetasve të huaj për pasuri të paluajtshme në bregdetin shqiptar vijon të jetë i lartë për shkak se çmimet janë ende atraktive krahasuar me vende të tjera si Greqia, Kroacia apo Mali i Zi.