Gevio Tabaku është i riu nga Tirana i cili teksa ishte ende në qytetin e lindjes, Gramshin punonte fort për të drejtat dhe detyrimet që të rinjtë kishin në komunitet. Zëri i tij është dëgjuar shpesh lidhur me të drejtat e studentëve, por ndërkohë ai është pjesëmarrës në shumë aktivitete të jetës sociale.
Për të përcjellë më tej zërin e të rinjve ai themeloi, Portalin" Portalistudentor.al". Ky është një portal online, i cili ndihmon të gjithë studentët të komunikojnë me njëri-tjetrin si edhe të shprehin mendimin e tyre hapur rreth çështjeve të ndryshme. Portali gjithashtu shërben si një mënyrë efektive ku studentët dhe nxënësit e gjimnazeve mund të mësojnë online.
Që prej dhjetorit të vitit 2019 Gevio është pjesë e Grupit Këshillmor Rinor (YAG) pranë Prezencës së OSBE në Shqipëri, ku si pjesë e grupit, punon për t'i dhënë Prezencës një perspektivë rinore mbi programet që ata zhvillojnë në Shqipëri.
CMG: Ju gjithnjë keni pasur një fokus arsimin. Pse jeni angazhuar në arsim ?
Gevio Tabaku: Unë jam fokusuar në arsim për shkak se ka qenë edhe terreni im dhe kam dashur të bëj gjëra ndryshe. Çdo gjë nis me arsimin dhe në këtë prespektivë të gjithë ne do jemi më mirë nëse fokusin e kemi tek kjo e fundit. Jetojmë në Tiranë, por Shqipëria është më shumë se kaq ndaj duhet të merret parasysh që të rinjtë kanë nevojë për mbështetje ndaj dhe unë çështje kryesore kam arsimin.
CMG: Ju keni studiuar edhe për shkenca kompjuterike, si e shihni kombinimin e arsimit me teknologjinë?
Gevio Tabaku: Vitet e fundit ndërmjet këtyre dy fushave ka një ndërthurje të madhe që në perspektivën time ndihmon të dyja fushat. Teknologjia në thelb është arsim ne jemi të prirur të kërkojmë gjëra të reja dhe të kërkojmë të avancojme dhe kjo është kulturë arsimi në thelb. Nëpërmjet botës së teknologjisë unë kam ndërtuar edhe portalin e studentëve dhe këtë gjë e kam bërë kohë më parë ku kam pretenduar që të sjell një lloj ndryshimi në shoqëri. Më pas duke u aftësuar edhe unë vetë dhe duke marrë dije në teknologji arrita që të perfeksionoj portalin apo edhe një tjetër mundësi të re që kam hapur tani për të rinjtë që të ndjekin kurse online.
CMG: Çfarë ju ka ofruar portali të rinjve ?
Gevio Tabaku: Ju ka ofruar gjthçka, duke nisur që tek komunikimi më i mirë që kanë pasur me njëri-tjetrin pasi mbajmë parasysh se jo të gjithë studentët banojnë në Tiranë dhe jo të gjithë kanë të njëjtat mundësi të barabarta. Ndaj komunikimi ndërmjet tyre i bën ata të marrin me tepër siguri dhe informacion.
CMG: Të qenit aktivist, çfarë ndjesie krijon tek ju?
Gevio Tabaku: Në 23 vite të jetës sime pasi un jam shumë i ri në moshë, momentet më të të bukura kanë qenë ato kur unë kam reflektuar dhe reaguar për shoqërinë dhe për të rinjtë. Të qenit aktivist në jetën sociale është të jesh i drejtë dhe i barabartë përballë së vërtetës dhe unë e kam respektuar këtë ligj të pashkruar, kur kam qenë në vendin tim të lindjes që është një vend i vogël, apo edhe tani në Tiranë.
Qëkurse kam ardhur në Tiranë kam zgjedhur këtë drejtim, i cili më ka sjellë vetëpërmbushje. Unë e kam provuar të iki nga Shqipëria përkohësisht, por më ka marrë malli për vendin tim. Shqipëria dhe aktivizimi është frymëmarrje për mua dhe besoj që kjo ka për të qenë kështu përherë.
CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj për të shkuar edhe tek kujtimet tuaja ?
Gevio Tabaku: Fëmijëria ime ka qenë e bukur, por në lëvizje. Kur isha ende i vogël familja ime për shkaqe ekonomike emigroi, por kjo nuk më përmbushi asnjëherë mua. Më merrte malli për gjyshin dhe gjyshen, për njerëzit këtu edhe për vendin sigurisht dhe në këto kushte unë gjithnjë kam dashur të rikthehem në vendin tim. Ndërsa koha kalonte malli rritej dhe dashuria për vendin shtohej. Ndoshta të gjithë këtë dashuri që kam për vendlindjen e kam përjetuar gjatë emigracionit ku çdo gjë mungonte në jetën time dhe të familjes.
CMG: Cilët njerëz kanë qenë udhëtarët tuaj të pandërprerë, duke ju mbështetur në çdo hap?
Gecko Tabaku: Absolutisht prindërit. Janë ata, të cilët në të gjitha format kanë shprehur tek unë gjuhën e paqes dhe të dashurisë. Mbështetja nuk ka munguar kurrë pasi ata e kanë parë botën me të njëjtin ideal që e shoh unë, kanë qenë dhe vijojnë të jenë shembulli ideal për çdo fëmijë që dëshmon vlera qytetarie.
CMG: Duke qenë se merreni me të rinjtë, a mund të na jepni një mesazh për ta?
Gecko Tabaku: Studentët kanë treguar në histori që kanë ndryshuar çdo gjë, duket dhe jemi tashmë të bindur që ata kanë bërë historinë e një vendi ndaj dhe duhet të jenë më aktive në jetën sociale sepse në këtë këndvështrim mund të rriten në kapacitetet e tyre dhe të ndërgjegjësohen fillimisht për veten dhe më pas për vendin. Çdo gjë nis nga vetja. Për të bërë ndryshimin duhet të ndryshosh qëndrimin tënd ndaj botës .
Intervistoi: Megi Latifi