Për katër netë me radhë u mbajt në jug të Shqipërisë “South Outdoor Festival”. Publiku i pranishëm mundi të ndiqte rreth 40 aktivitete kulturore të zhvilluara në natyrë, në këtë festival, që vjen çdo vit në rritje. Turistë të shumtë nga vendi dhe të huaj shijuan për katër ditë dhe netë një fundjavë të paharrueshme. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit, është dyfishuar pjesa e kampingut. Realizimi i këtyre eventeve është një mënyrë e mirë për të tërhequr sa më shumë turistë edhe në periudha të ndryshme të vitit, pikërisht atëherë kur zona është edhe më e qetë, duke e nisur sezonin e verës më shpejt. Turistët përveç se kanë shijuar këtë festival, gjithashtu janë argëtuar me sporte ndryshme edhe ato ujore, por kanë patur mundësinë që të njihen edhe me historinë e vendit. Në intervistë për Radio Ejani janë prononcuar dy të rinj të cilët e kaluan fundjavën në bregdetin shqiptar.
CMG: Si ishte për ty që e ndoqe nga afër edicioni i 6-të i “South Outdoor Festival”?
Beni: Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe unë kam vite që e ndjek këtë festival. Këtë vit kishte shumë gjallëri, kishte shumë të huaj dhe shqiptarë. Muzika ishte shumë e bukur, ne ndoqëm artistët tanë të preferuar “Tre Muskëtjerët” bandën e vjetër muzikore, por edhe Dj të ndryshëm kanë luajtuar përgjatë këtyre netëve. Ishte një atmosferë e paharrueshme.
CMG: Ishit aty për të ndjekur koncertin, festivalin apo edhe për të pushuar buzë detit?
Beni: Të dyja bashkë. Prenotuam çadra për t’u akomoduar këtë herë, ndyshe nga herët e tjera. Atmosfera ishte elektrizuese, nuk ishim si herët e tjera me dhoma, por u akomoduam të gjithë si shoqëri nëpër çandra, duke u krijuar një atmosferë ndryshe. Ne u organizuan dhe erdhëm nga Tirana, ishim një grup prej 10 personash dhe vërtetë mbetëm mjaft të kënaqur.
Përshtypjet e saj nga festivali ka shprehur dhe Ani
Ani: Kaluam dy ditë të bukura në Borsh, shijuam plazhin, atmosferën , por shijuam edhe muzikën e bukur që na ofruan Dj të ndryshëm, si dhe koncertin me artistët shqiptarë. Për mua ishte hera e parë që isha këtë vit në Borsh dhe u kënaqa shumë, si unë dhe shoqëria ime. Shpresoj që të jemi përsëri vitin e ardhshëm.
Nga 25-28 maj ky aktivitet mblodhi shumë turistë të huaj pranë bregdetit të Borshit, duke çelur dhe sezonin turistik verë 2023.
“South Outdoor Festival” këtë herë ofroi për turistët mbi 40 aktivitete, kampingje, aktivitet nga ajri, deti, ecje në natyrë për turistët e aventurës dhe mjaft aktivitete kulturore, etj. Aktivitetet nuk munguan edhe përgjatë mbrëmjeve, kur në ambjet të hapur u organizuar koncerte me artistë të ftuar shqiptarë dhe për herë të parë ishte kantautori Redon Makashi, së bashku me Elton Dedën dhe Aleksandër Gjokën dhe bandën e tyre muzikore, që publiku i njeh si Tre Muskëtjerët, ndërsa në skenat e tjera luanin muzikë Dj ndërkombëtarë.
Këtë herë u ndërtuan 3 skena të ndryshme ku të pranishmit mundën të shijonin muzikën e tyre të preferuar nga interpretimet live të këngëtarëve, por edhe për të ndjekur muzikën e ofruar nga Dj në tre ambjete. Ky festival përveç argëtimit po ndihmon edhe turizmin në fshatin Borsh në jug të vendit. Festivali ka pasur me mijëra bileta të shitura, ku pjesëmarrës kanë qenë turistë nga vende të ndryshme të botës.
Sava Lena