Reforma e thellë e sistemit të pagave shtetërore në Shqipëri
2023-05-30 09:22:59

Rritja e pagave (Foto Këshilli i Ministrave)

Rritja e pagave (Foto Këshilli i Ministrave)

Më 25 maj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për rritjen e pagave për administratën shtetërore.

Ky projektligj i kthyer në ligj me votimin e deputetëve të Kuvendit në seancë plenare dy ditë më vonë, synon një reformë të plotë dhe të thellë të pagave, duke enisur nga hierarkia shtetërore e pagave, e deri kompetencat në fushën e pagave apo trajtimet, si dhe përfitimet e tjera financiare të të punësuarve në administratën shtetërore.

Reforma kërkon ta kthejë administratën publike në sa më profesionale dhe tërheqëse në tregun e punës, duke nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë. Qeveria ka marrë përsipër brenda një viti, deri në korrik 2024, një shtim deri pak vite më parë të pamenduar në këto nivele të larta, duke e çuar pagën mesatare të nëpunësit publik (kemi mbi 131 mijë të tillë) në nivelin e 900 eurove, në harkun e një viti.

Rritja do të ndodhë në dy faza. Faza e parë ka filluar për një pjesë të administratës publike dhe faza e dytë do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Nga 530 euro që ishte deri pak javë më përpara paga mesatare në vendin tonë për administratën publike, në vitin 2024 ajo do të rritet në 900 euro.

Në rajonin e Ballkanit Perendimor do të ngjitemi në vend të tretë, për nga niveli i pagës mesatare në shtet, pas Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe në të njëjtin nivel me Maqedoninë e Veriut.

Ministrja Ibrahimaj në Kuvend (Foto Ministria e Financave dhe Ekonomisë)

Ministrja Ibrahimaj në Kuvend (Foto Ministria e Financave dhe Ekonomisë)

Sikurse e përmendi në fjalën e saj edhe ministrja Ibrahimaj, qeveria ka vijuar ndërkohë me reformën e rritjes së pagës minimale, ku që prej 1 prillit 2023, ky nivel page është rritur me 6 mijë lekë, duke arritur në 40 mijë lekë në muaj. Synimi i qeverise është që brenda vitit 2025, paga minimale të shkojë në vlerën 45 mijë lekë, ose 405 euro në muaj. Kjo është një politikë që kërkon t’u vijë në ndihmë punonjësve në shtet me të ardhura më të pakta.

E gjithë reforma e pagave është ndërmarrë pas një analize të thellë per mundësitë dhe burimet ekonomike për të përballuar një rritje të tillë. Atë e ka ndihmuar në nisjen e saj, sufiçiti i krijuar në të ardhurat shtetërore, pas rritjes së ndjeshme të çmimeve, pas marsit të vitit 2022. 

Shqipëria po kalon në një epokë të re të transformimit dixhital dhe përparimeve të shpejta teknologjike dhe është thelbësore që sistemet e përcaktimit të pagave në shtet të përputhen me kërkesat e zhvillimit të tregut të punës.

Reforma e pagave synon të përmirësojë edhe hierarkinë e tyre, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Ajo realizon një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse, me pagën që punonjësi do të marrë këtej e tutje në shtet.

Reforma përbën një ndryshim thelbësor në politikën buxhetore dhe fiskale të Shqipërisë. Është ndryshim historik, pasi ajo e sjell politikën buxhetore më shumë në shërbim të qytetarëve. Për çdo dy lekë të ardhura të mbledhura nga taksat dhe tatimet, nëpërmjet reformës, një lek shkon për transferta direkte, paga, pensione dhe ndihmë ekonomike. Gjysma e parave të buxhetit të shtetit shkon drejtpërdrejtë të qytetarët, ndërsa gjysma tjetër për përmirësimin e shërbimeve, investime dhe të tjera aktivitete buxhetore.

Reforma e rritjes se pagave synon të krijojë një piramidë sa më të përshtatshme dhe efiçiente të nivelit të pagave për disa institucione të pavarura kushtetuese, në përputhje me rëndësinë dhe përgjegjësinë e tyre.

Kryeministri Rama për pagat (Foto Telegrafi)

Kryeministri Rama për pagat (Foto Telegrafi)

Ajo ndihmon specialistët në gjirin e administratës publike. Mjekut specialist i shkon paga bruto 174 mijë lekë ose 115 mijë lekë në muaj më shumë se dhjetë vite më parë. Mjekut të përgjithshëm i shkon paga 137 mijë lekë, ose 77 mijë lekë më shumë; infermierit i shkon paga në 87 mijë lekë, ose 25 mijë lekë më shumë dhe mësuesit në arsimin parauniversitar i shkon paga 99 mijë lekë, ose 40 mijë lekë më shumë se dhjetë vite më parë.

Me këtë reformë, paga në arsimin publik rritet me 72.4 % dhe në shëndetësine publike me 99.2 %. Rritje të tjera të ndjeshme do të pësojë edhe paga mesatare edhe në sektorë të tjerë të administratës shtetërore.

Fatos Çoçoli