foto/I dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për Çështjet Euroaziatike, Li Hui takohet me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba
Nga 15 deri më 26 maj, i dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për Çështjet Euroaziatike, Li Hui, vizitoi Ukrainën, Poloninë, Francën, Gjermaninë, selinë e BE-së dhe Rusinë. Ai zhvilloi takime dhe shkëmbime të gjera me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës ukrainase, duke shpjeguar pozicionin dhe propozimet e Kinës, duke dëgjuar mendimet dhe sugjerime nga të gjitha palët për të ndërtuar më shumë konsensus ndërkombëtar. Përfaqësuesit e vendeve europiane konfirmuan plotësisht rolin pozitiv të Kinës në nxitjen e paqes dhe bisedimeve dhe presin që Kina të vazhdojë të luajë rol konstruktiv.
Ish-kryeredaktori i gazetës polake “Trybuna” dhe një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, Piotr Gadzinowski, theksoi se ekziston një fjalë e urtë në polonisht, “Nëse doni paqe, filloni të komunikoni”. Ai tha se pas bisedës telefonike mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të dyja palët kanë një kanal komunikimi të besueshëm dhe të shpejtë. Vizita e ambasadorit Li Hui në Evropë tregon se kanali për bisedimet e ardhshme ruso-ukrainase po hapet.
foto/VCG
Dr.Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare të landit Hesen të Gjermanisë, këshilltar i lartë i Qendrës së Nxitjes së Investimeve Ndërkombëtare të Kinës, u shpreh se Kina ka bërë përpjekje serioze për të ndërmjetësuar konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës për arritjen e paqes botërore, ndërkohë që ShBA-ja, si fuqi e madhe, nuk ka arritur të luajë një rol konstruktiv në frenimin e konfliktit dhe forcimin e bisedimeve.
Profesori i asociuar i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Rio-de-Zhanejros të Brazilit, Elias Jabbour, shpreh opinionin se vizita e të dërguarit të posaçëm të qeverisë kineze është e rëndësishme për zgjidhjen diplomatike që nga shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë. Ai beson se aktualsiht vetëm Kina ka aftësi të sjellë vende me pozicione të ndryshme në tryezën e bisedimeve.
Personaliteti i njohur mediatik shqiptar dhe komentator i pavarur politik Artur Nura u shpreh se në takimin me sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme polake Wohciech Gerwel, ambasadori Li Hui vuri në dukje se Pekini shpreson se lufta do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe se bisedimet e paqes mund të rifillojnë. Kina, është e gatshme të mbajë vazhdimisht komunikimin me vendin për zgjidhjen politike të krizës ukrainase, duke mbështetur krijimin e një arkitekture të sigurisë evropiane të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme, në mënyrë që të ofrojë garanci të qëndrueshme për paqen evropiane.
Ambasadori Li Hui u emërua si përfaqësues i posaçëm për çështjet euroaziatike, duket ky një post i ri i krijuar për diplomatin me përvojë në raport me një strategji të qartë largpamëse të Pekinit ndaj botës, qartazi në raport me interesat ekonomike të Kinës të cilat shtyjnë në favor të paqes në Ukrainë e jo vetëm.
foto/VCG
Lidhur me njoftime nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, që “Kina propozon një marrëveshje armëpushimi që do t'i lejonte Rusisë të zotëronte pjesë të Ukrainës”, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning tha se: “Ministri i Jashtëm ukrainas deklaroi publikisht se sipas kontakteve të tij me palë të ndryshme, asnjë vend nuk ka deklaruar se ambasadori Li Hui ka bërë deklaratën e përmendur në raport, siç është përmendur nga gazeta ‘The Wall Street Journal’.” (Fang Xiaoyu/Eda)