Erdogan fiton zgjedhjet presidenciale në Turqi, bën thirrje për unitet dhe solidaritet
2023-05-30 10:42:06

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u zotua të ndërtojë shekullin e Turqisë, së bashku me kombin, dhe bëri thirrje për unitet, pasi fitoi balotazhin presidencial që do ta zgjasë mandatin e tij deri në vitin 2028, njofton “Xinhua”.

“Ne duhet të bashkohemi në unitet dhe solidaritet”,- iu drejtua ai mbështetësve jashtë rezidencës presidenciale, në kryeqytetin Ankara.

“Askush nuk ka humbur sot, të gjithë 85 milionë janë të fituar. Tani është koha për t'u bashkuar dhe integruar rreth synimeve dhe ëndrrave tona kombëtare. Ne nuk jemi të vetmit fitues. Fituesi është Turqia, fituesi është kombi ynë me të gjitha segmentet e tij. Demokracia jonë është fituese”, tha ai, duke shtuar se do të jetë president i gjithë kombit.

Erdogan premtoi të lehtësojë vështirësitë ekonomike dhe theksoi se shërimi i plagëve të tërmeteve masive të 6 shkurtit do të ishte prioriteti i tij.

Për trajtimin e problemeve të shkaktuara nga inflacioni, ai tha se kompensimi i humbjes së mirëqenies është prioriteti më urgjent i qeverisë dhe se inflacioni është ngadalësuar.

Erdogan siguroi 52.10 për qind të votave gjatë balotazhit të së dielës, ndërsa kandidati tjetër, Kemal Kilicdaroglu, lideri i Partisë Popullore Republikane të qendrës së majtë (CHP), mori 47.90 për qind, pasi u hapën 99.49 për qind të kutive të votimit, bëri të ditur agjencia turke e lajmeve “Anadolu”. (Fatosi)