Shkrimtarë shqiptarë që lanë pas vdekjes dorëshkrime dhe fati i tyre
2023-05-29 10:20:56

Jo pak vepra të mëdha të letërsisë botërore janë botuar kur autorët nuk jetonin më. Disa prej tyre konsiderohen si klasike sot. Kjo na bën të mendojmë për padrejtësinë që fati ka bërë ndaj tyre, duke i bërë të famshëm, kur nuk mund ta gëzojnë suksesin e veprës së tyre.

Mirëpo shkrimtarët para se të vdesin, shpesh lënë porosi që dorëshkrimet e tyre të botohen dhe këtë amanet zakonisht ia lënë familjarëve apo njerëzve që u kanë qëndruar pranë në çastet e fundit të jetës.

Çajupi

Të gjithë e njohim kontributin e Andon Zako Çajupit në letërsinë shqipe. Ai ka lindur në vitin 1866 dhe vdiq në vitin 1930. Mirëpo kontributi I tij, sidomos si dramaturk nuk do të kishte qenë ky që njohim sot, nëse dy komeditë e tij brilante: “Përrallë nga e kaluara” dhe “Pas vdekjes”, të shkruara më 1910 të mos publikoheshin 7 vjet pas vdekjes së tij, në vitin 1937.

Migjeni

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Ai lindi në vitin 1911 dhe vdiq i ri, në moshën 27 vjeçare, në vitin1938.

Në vitin 1936 u shtyp përmbledhja poetike “Vargjet e Lira”, e cila u përzgjodh nga vetë Migjeni, por, e ndaluar nga censura, ajo nuk qarkulloi. Megjithatë kopje dhe vjersha të veçanta të saj u lexuan të kopjuara dhe të shpërndara dorë më dorë. Përmbledhja e vargjeve të lira u botua disa vjet pas vdekjes së autorit, më 1944. Ndërsa vepra e plotë e tij u botua prej Skënder Luarasit, në vitin 957, nën kujdesin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Më pas, krijimtaria e tij është botuar disa herë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Sidoqoftë dorëshkrimet origjinale të shkrimeve të tij, në poezi dhe prozë, ruhen në dosjet e Arkivit Qendror të Shtetit. Brenda saj janë sistemuar me kujdes 125 fletë, shumica dërrmuese dorëshkrime të poezive shumë të njohura, e të tjera më pak të ndeshura në botimet tona. Në këtë dosje, mundet çdo studiues a adhurues i Migjenit të shohë nga afër dorëshkrimet.

Ndërkohë herë pas here kanë dalë copëza dorëshkrimesh, në prozë apo poezi të panjohura të Migjenit, siç është rasti i poezisë “Malli rinuer”, që për herë të parë është përmbledhur në një vëllim kushtuar Migjenit nga mbesa e tij në formën e një faksimileje. Është një poezi dashurie kushtuar të dashurës së Migjenit, Bojka.  

Lasgush Poradeci

Lasgush Poradeci është ndër poetët më të vlerësuar shqiptar. Ai lindi në vitin 1899 dhe vdiq në vitin 1987. Shkroi herët por poezitë i botoi nga fillimi i viteve '20. “Vallja e yjeve” është titulli i vëllimit me poezi që e ka publikuar në vitin 1933, ndërkohë që ka shkruar edhe tre poema. Pas vdekjes së tij, dy vajzat e Lasgush Poradecit ia kanë dhuruar të gjithë arkivin personal, Arkivit të Shetetit, por ky arkiv nuk ka dorëshkrime të pabotuara, pasi e gjithë vepra e tij është botuar. Të pabotuar mbeten ditaret e poetit.

Kasem Trebeshina

Kasem Trebeshina lindi në vitin 1926 dhe vdiq në vitin 2017. Për shkak të desidencës së tij, vepra nuk qe e mundur të publikohej e plotë deri pas viteve ’90. Pjesa më e madhe e veprës së tij është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Përkthyesi i Trebeshinës në gjermanisht, Hans Joachim Lanksch e sheh si një shkrimtar të papërkrahur dhe gjerësisht të panjohur.

Martin Camaj

Martin Camaj lindi në vitin 1925 dhe vdiq në vitin 1992. Ai ka qenë shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar dhe pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij e ka shkruar në Gjermani. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vepra e tij është botuar në shumë vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë, ndërkaq që pas vdekjes me veprën e tij është marrë gruaja et ij gjermane, Erika.

At Zef Pllumi

Zef Pllumi lindi në vitin 1924 dhe vdiq në vitin 2007. Ai ka qenë frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist shumë i njohur. I njohur për memuaret me titull “Rrno për me tregu”, në formën e një triologjie, të cilat u botuan në të gjallë të jetës së tij, dy vjet pas vdekjes botohet tregimi autobiografik i At Zef Pëllumbi me titull “Saga e fëmijnisë”. Libri është botuar në vitin 2009 dhe është  redaktuar nga dhe pajisur me shënime nga Ledi Shamku Shkreli.

Dritëro Agolli

Pas ikjes së tij, në moshën 87 vjeçare ka lënë pas mjaft dorëshkrime, të llojeve të ndryshme, të cilat pak e nga pak po zbulohen për lexuesit. I tillë është dorëshkrimi “Fletorka e mesnatës”, një fletore me shkrim dore, plot me poezi, që familjarët ia kanë dhuruar Akademisë së Shkencave. Një dorëshkrim interesant, plot poezi, ndjenjë epasion, që gjithsesi akoma nuk ka mbërritur tek lexuesi, derisa ai të gjejë rruën e botimit. Ndërkohë një punim shkencor, Teza e diplomës së shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni”, është botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke dëshmuar një tjetër dimension të Agollit.

Teodor Keko

“Amaneti” është libri me tregime dhe novela botuar pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit Teodor Keko. Janë tregime të pabotuara më parë, të shkruara gjatë periudhës 2001-2002. Të gjitha shoqërohen me datat përkatëse. “Amaneti”, është libri që është kuruar me mjaft kujdes nga e shoqja, Xhulieta Keko, në bashkëpunim me një grup miqsh e familjarësh. Shkrimtari vuante nga një sëmundje e rëndë dhe mjekohej në një spital në Greqi, nga ku nuk u kthye më. Në një dosje që kishte marrë me vete për ta punuar ndërsa ishte në spital, të mbushur me dorëshkrime tregimesh, familjarët kanë gjetur edhe një letër amaneti drejtuar djalit të tij të vogël, ku mes të tjerash i kërkonte që libri të redaktohej nga miku i tij i ngushtë, Andi Bejtja. Dhe kështu u bë, libri u botua siç e kishte lënë amanet shkrimtari.  

Ndërkohë plot 25 vjet që nga botimi i pjesës së parë të poemës satirike “E të tjera, e të tjera”, botohet pjesa e dytë e poemës, lënë nga Teodor Keko në dorëshkrim, duke ia dhënë në duar lexuesit të poemën e shkruar një çerek shekulli më parë.

Neritana Kraja