Lehtësi fiskale për zhvillimin e infrastrukturës inovative
2023-05-29 11:19:57

Inovacioni (Foto Interreg Europe)

Inovacioni (Foto Interreg Europe)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj mori pjesë në çeljen e fazës së dytë të projektit EU4Innovation, një aktivitet i cili mblodhi më shumë se 150 aktorë të ekosistemit të inovacionit, përfaqësues nga sektori publik dhe privat, akademia e komuniteti i donatorëve dhe përcolli frymën inkurajuese për përshpejtimin e transformimit të ekonomisë shqiptare, përmes inovacionit dhe aftësive.

Ministrja Ibrahimaj në veprimtari (Foto Mnistria e Financave dhe Ekonomisë)

Ministrja Ibrahimaj në veprimtari (Foto Mnistria e Financave dhe Ekonomisë)

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si partneri kryesor politik i projektit nga ana e Qeverisë shqiptare dhe shprehu besimin se EU4Innovation mund të luajë një rol të fortë në zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të start-up-eve dhe inovacionit.

“Projektet inovative që po mbështeten nga qeveria shqiptare, nga ministria për sipërmarrjen duket që janë të suksesshme. Duket që janë ide që jo vetëm kemi nevojë si biznes, por dhe si ekosistem të cilat na japin si politikëbërës energji më të mira për të karikuar iderat potenciale dhe për të parë potencialet që ka ky ekosistem. Në fakt nuk është surprizë, por ky ekosistem në vitet e fundit ka patur rritje të jashtëzakonshme në gjithë botën dhe Shqipëria nuk mund të mbetej prapa. Ne kemi punuar intensivisht me qëllim hartimin e legjislacionit të duhur për të marrë masa, që ekosistemi të krijohet dhe të zhvillohet ndërkohë që vetëm pritet të miratohet një ndryshim për start up inovative që do t’i hapë rrugë atyre që përkufizohen në botën e inovacionit si nomadët digjitalë, duke i dhënë mundësinë nomadëve digjitalë të mos konsiderohen rezidentë tatimorë shqiptarë, të paktën ata që vijnë nga jashtë apo regjistrohen si nomadë digjitalë”- tha Ibrahimaj.

 

Pamje nga takimi (Foto Ministria e Financave)

Pamje nga takimi (Foto Ministria e Financave)

Ministrja tha se qeveria shqiptare ka punuar intensivisht vitet e fundit për hartimin e legjislacionit të duhur me qëllim krijimin dhe zhvillimin e ekosistemit të start up-eve dhe inovacionit dhe një nga ndryshimet më të fundit ligjore është ai në ligjin e start up-eve, përmes të cilit u jepet mundësia “nomadëve digjitalë” që të mos konsiderohen rezidentë tatimorë në Shqipëri të paktën për një vit.

 

“Është e rëndësishme që politikat tona të mbështesin fazat fillestare të start up pasi ju e dini shumë mirë se 40% e start up në botë dështojnë dhe nuk arrijnë që të kalojnë në fazën tjetër të rritjes së kapitalit të zhvillimit dhe të benefitit ekonomik. Për këtë arsye ne kemi menduar që t’i konsiderojmë të tillë, t’u japim këtë lehtësi fiskale, ndonëse jo të gjitha idetë do të kenë sukses. Ndërkohë nuk është vetëm e rëndësishme për ekosistemin, por edhe për krijimi e mjedisit të duhur me qëllim që këto biznese të zhvillohen dhe të nxiten dhe është projekti BE-së për inovacionin dhe bashkëpunimi që do të kemi me gjithë aktorët qoftë ndërkombëtarë dhe aktorët publikë dhe privatë me qëllim krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit dhe për mbështetjen e të gjitha këtyre start up dhe nderave që do të ndërtojnë inftrastrukturën e inovacionit në vend”- tha Ministrja Ibrahimaj.

 

Startup (Foto ATSH)

Startup (Foto ATSH)

Sipas ministres, me rëndësi nuk është vetëm legjislacioni për mbështetjen e ekosistemit në fjalë, por krijimi i mjedisit të duhur me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e këtyre bizneseve.

Në këtë kuadër, Ministrja tha se projekti EU4Innovation dhe bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve do të kontribuojë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit, për mbështetjen e start up-eve apo ideve inovative, të cilat do të ndërtojnë infrastrukturën e inovacionit në vend.

 

“Unë besoj që kemi potencialin e duhur për ta cuar përpara këtë  si sektor dhe besoj që në vitet në vijim do të zërë një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit. Për këtë arsye ne jo vetëm jemi duke zbatuar këtë projekt dhe duke hartuar disa baza ligjore, duke mbështetur me fonde të buxhetit të shtetit vecanërisht sistemin, por jemi duke punuar fort me qëllim rritjen e kapaciteteve të të rinjve për të qënë të aftë të punojnë në këtë ekosistem që është shumë dinamik dhe shumë i lëvizshëm për të cilin aftësitë dhe nevojat për dije të ndryshojnë nga momenti në moment. Pra ajo që ne duam të bëjmë është që të kemi të rinj, të cilët të kenë aftësitë e duhura teknike për t’u përfshirë në këtë ekosistem, por edhe disa soft-skills, të cilat janë mjaft të rëndësishme me qëllim trajnimin e vazhdueshëm dhe që individët të ndryshojnë gjatë gjithë kohës. Mësimi që marrim nga këta të rinj dhe kur vizitojmë biznese të tilla, është që duhet të jemi gjithmonë një hap përpara dhe të mendojmë dy hapa apo më shumë përpara në këtë sektor që të kemi sukses. Jam e bindur se bashkëpunimi i të gjithëve ne do të ketë sukses.”- thekson më tej Ibrahimaj.

 

Në fund të fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj ritheksoi faktin se bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve të përfshirë në implementimin e projektit të BE-së për Inovacionin do të jetë i suksesshëm dhe do të ndihmojë në krijimin e infrastrukturës së duhur me qëllim zhvillimin e start up-et inovative.

EU4Innovation është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe SIDA. Projekti zbatohet nga GIZ Shqipëri si organizatë kryesuese në zbatim dhe SIDA si përgjegjëse për Challenge Fund. Periudha e zbatimit është janar 2023 – qershor 2026 (42 muaj), me një kontribut të BE-së deri në 10,000,000 EUR, BMZ deri në 1,200,000 EUR dhe SIDA deri në 550,000 EUR. Projekti mbështet qeverinë e Shqipërisë në arritjen e objektivave kryesorë në fushën e zhvillimit ekonomik, përmes përshpejtimit dhe transformimit në një ekonomi të nxitur nga inovacioni dhe të bazuar në njohuri, duke i dhënë hov kapitalit të saj njerëzor, potencialit sipërmarrës si dhe të kërkimit dhe duke rritur konkurrueshmërinë.