Ukraina gati për kundërsulm, Rusia pakëson sulmet ndaj Bakhmutit
2023-05-29 10:56:23

Foto nga VCG

Trupat ruse kanë pakësuar përkohësisht sulmet në dhe rreth qytetit të rrethuar lindor të Ukrainës, Bakhmut, për t'u rigrupuar dhe forcuar aftësitë e tyre, deklaroi një zyrtar i lartë ukrainas, njofton “CGTN”.

Zyrtarë të lartë ukrainas treguan se forcat e tyre ishin gati për të nisur një kundërofensivë të premtuar prej kohësh për të rimarrë territorin e marrë nga Rusia që nga fillimi i konfliktit.

Grupi mercenar i Rusisë, Wagner, filloi t'u dorëzojë pozicionet trupave të rregullta këtë javë pasi shpalli kontrollin e plotë të Bakhmutit pas betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të konfliktit.

Megjithatë, Ukraina ka këmbëngulur se forcat e saj ende kontrollojnë një pjesë të vogël të qytetit.

Në një postim në “Telegram”, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar tha se trupat ruse po vazhdonin të sulmonin, por se aktiviteti i përgjithshëm sulmues ishte ulur.

Ndihmëszyrtari presidencial, Mykhailo Podolyak, deklaroi për gazetën britanike “The Guardian” se operacionet paraprake, të tilla si shkatërrimi i linjave të furnizimit ose hedhja në erë e depove, kishin filluar tashmë.

Gjenerali më i lartë i Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, postoi një video të shtunën, që tregonte trupat ukrainase duke u betuar dhe duke u përgatitur për betejë.

“Ka ardhur koha të kthejmë atë që është e jona”, ka shkruar ai. (Fatosi)