Eljo Agolli ka lindur në Filadelfia, Pensilvani të SHBA-së. Prindërit e tij kanë 21 vjet që kanë emigruar në SHBA. Eljo e ka patur pasion futbollin që fëmijë dhe në moshën 8 vjeçare është spikatur dhe duartrokitur për talentin e tij. Deri tani Eljo ka luajtur për disa ekipe dhe ishte kapiten për ekipin e shkollës së mesme për dy vjet. Ai ka mbaruar shkollën e mesme dhe studion për financë, ku shkëlqen me rezultate shumë të larta. Eljo luan sot futboll në Penn State Abington dhe u shpall si golshënuesi më i mirë i vitit. Dëshira e tij e madhe e tij është që një ditë të luajë në futboll profesional, dhe është duke punuar fort për ta bërë realitet ëndrrën e tij. Në një intervistë për Radio Ejani Eljo Agolli tregon pasionin e tij për futbollin si dhe ëndrrat për të ardhmen.
Eljo Agolli (Foto personale)
CMG: Ju keni lindur në SHBA dhe gjuhën shqipe e flisni mirë.
Eljo Agolli: Unë gjithmonë jam marrë me sport dhe në fundjavë nuk ikja dot te shkollat shqipe këtu për të mësuar, por e kam mësuar gjuhën shqipe në shtëpi, duke folur me prindërit.
Eljo Agolli gjate nje ndeshje futbolli ne SHBA (Foto personale)
CMG: Kur ka nisur pasioni për sportin dhe veçanërisht për futbollin?
Eljo Agolli: Pasioni për futbollin ka nisur kur isha i vogël dhe shikoja sportin me babin në televizor. Ai kur vinte nga puna ishte i lodhur dhe nuk loznim dot por shikonim bashkë futboll. Babai im dhe disa familje që jetojnë këtu në Filadelfia luanin futboll në fundjavë në një park dhe unë gjithmonë shkoja me të dhe e pëlqeja shumë futbollin në atë kohë kur isha i vogël.
CMG: Kur kanë emigruar prindërit tuaj në SHBA dhe cila është lidhja që mbani me Shqipërinë?
Eljo Agolli: Prindërit e mi kanë ardhur këtu në SHBA në vitin 2002. Unë kam shumë familjarë në Shqipëri, kam nënën, kisha dhe gjyshin dhe gjithmonë flisnim nëpërmjet internetit me skype. Ndërsa tani që kanë ardhur këto rrjetet sociale flasim me videocall dhe gjithmonë flas me familjarët tanë në Shqipëri.
CMG: Keni ardhur ndonjëherë në Shqipëri?
Eljo Agolli ne fushe (Foto personale)
Eljo Agolli: Unë kam ardhur njëherë në Shqipëri sepse një kushëriri jonë u martua dhe bëri dasmën në Shqipëri. Unë shkova atje për dy javë, por nuk pashë shumë sepse isha për dasëm, por takova familjarët e mi dhe u kënaqa shumë. Dua që të vij prapë në Shqipëri sa më shpejt.
CMG: Ju pëlqeu dasma shqiptare?
Eljo Agolli: Dasma ishte shumë e bukur dhe unë u kënaqa shumë.
CMG: Cilat ishin përshtypjet tuaja për Tiranën?
Eljo Agolli: Unë nuk dola shumë sepse nëna nuk kishte makinë ose njeri për të më shoqëruar, por kur dola më pëlqeu shumë. Sidomos ushqimi dhe në kalçeto ku luaja futboll brenda.
Eljo Agolli ne moshe te vogel ne SHBA (Foto personale)
CMG: Aktualisht vazhdoni studimet për financë, por si i lidhni bashkë të dyja këto fusha?
Eljo Agolli: Në shkollë kam qenë gjithmonë student i mirë, por nuk kisha dëshirë që të bëhesha doktor ose të vazhdoja për ndonjë degë tjetër që duhet të studiosh për shumë vite. Degën e financës e zgjodha sepse më pëlqen shumë biznesi dhe mendova se nëse nuk bëj ndonjë gjë me futbollin, financa ka shumë gjëra për të bërë që më pëlqejnë mua.
CMG: Cili është pozicioni juaj në fushë dhe me cilat ekipe jeni aktivizuar?
Eljo Agolli: Pozicioni im në fushë është mesfusor ose në sulm dhe këtu në SHBA kam luajtur me disa skuadra të lagjes time, sepse kur isha i vogël nuk kisha mundësi që të luaja për një akademi. Kam luajtur me disa skuadra që ishin këtu afër, por dhe në Nju Jork dhe me disa skuadra nga Virxhinia dhe shtete të tjera në SHBA. Pra kam luajtur me 7-8 skuadra të shteteve të ndryshme.
CMG: Kohët e fundit jeni bërë anëtar i shoqatës “Bijtë e shqipes”, ku dhe jeni vlerësuar nga kjo shoqatë. Si ndjeheni për këtë vlerësim?
Eljo Agolli: Ndjehem shumë i gëzuar sepse më pëlqen shumë që të jem bashkë me fëmijët e tjerë të komunitetit shqiptar këtu në Filadelfia. Gjithashtu më pëlqejnë shumë edhe gjërat që ata organizojnë këtu.
Eljo Agolli ne nje ndeshje (Foto personale)
CMG: Keni shokë bashkëmoshatarë shqiptarë në Filadelfia?
Eljo Agolli: Kam shumë shokë shqiptarë që jetojnë këtu në Filadelfia.
CMG: Cilat janë dëshirat tuaja në lidhje me karrierën futbollistike në të ardhmen?
Eljo Agolli: Unë dëshiroj ta vazhdoj futbollin dhe dua që të luaj me ekipe profesioniste nëse do të më vijë shansi për të luajtur. Dua që ta vazhdoj futbollin me aq mundësi që do të kem, sepse atë e kam pëlqyer gjithë jetën dhe atë dëshiroj të bëj.
CMG: Keni menduar që në të ardhmen të luani dhe me kombëtaren shqiptare?
Eljo Agolli: Pse jo, edhe pse do të jetë një gjë shumë e vështirë për ta bërë, por të gjithë djemtë e moshës sime e kanë ëndërr të luajnë për kombëtaren e Shqipërisë ose shtetit që kanë origjinën prindërit e tyre. Unë do të punoj shumë që të arrij në atë nivel dhe nëse më vjen shansi kam shumë dëshirë.
CMG: Përveç futbollit a keni pasione të tjera?
Eljo Agolli: Nuk kam ndonjë pasion tjetër. Unë pëlqej shumë futbollin dhe më pëlqen shumë të jem trajner futbolli. Pra nëse nuk më ecën mirë për të luajtur në fushë dua që në të ardhmen të jem trajner.
Eljo Agolli pas nje ndeshje futbolli (Foto personale)
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Filadelfia?
Eljo Agolli: Kur jam në shkollë kam praktikë në orën 9, pra zgjohem nga ora 8 e pak, pasi ha mëngjes iki në praktikë dhe më pas kam shkollën. Pastaj merrem me disa ekipe të tjera jashtë shkollës, mund të kem praktikë ose lojë mbasdite. Vij në shtëpi dhe bëj detyrat, si dhe merrem me vëllain e vogël sepse edhe ai po merret me sportin dhe stëvitemi bashkë.
CMG: Sa ju kanë mbështetur prindërit në rrugën e sportit?
Eljo Agolli: Prindërit më kanë ndihmuar shumë, madje edhe pse ata nuk ngisnin dot makinën, gjithmonë vinin në këmbë kur unë isha në praktikë. Babi kishte raste që e linte punën pak herët dhe vinte të më shikonte kur luaja.
Intervistoi: Gazmend Agaj