Avioni i parë me udhëtarë i Kinës C919 u nis të nga Shangai për në Pekin më 28 maj 2023/ foto nga CFP
Avioni i parë me udhëtarë i Kinës C919, që iu dorëzua kompanisë “China Eastern Airlines” (CEA) kreu fluturimin e tij të parë komercial të dielën nga Shangai në Pekin. Fluturimi i identifikuar si MU9191 nisi nga Aeroporti Ndërkombëtar Hongqiao i Shangait në orën 10:32 dhe mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit në orën 12:31 minuta.
Mbi 130 udhëtarë ishin në bord për të përjetuar udhëtimin e parë të C919-ës. Secili prej tyre mori një kartë imbarkimi të dizenjuar posaçërisht nga CEA, në shenjë kujtimi për debutimin komercial të këtij avioni. Për herë të parë udhëtarët mund të shijojnë në qiell video me rezolucion të lartë 1080p, të shfaqura në secilin prej 20 ekranëve 12 inçësh të instaluar në pjesën e lartë të tavanit të avionit. CEA ka regjistruar edhe një video udhëzuese sigurie me stilin e vizatimit tradicional kinez për t’u ofruar udhëtarëve të C919-ës një shfaqje të vërtetë audiovizive.
Avioni i parë me udhëtarë i Kinës C919 mbërriti në Pekin më 28 maj 2023/ foto nga CFP
C919-ta është avioni i parë i madh me udhëtarë i zhvilluar nga vetë Kina, i prodhuar nga Korporata Komerciale e Avionëve të Kinës (COMAC). Programi i C919-ës u lançua zyrtarisht në vitin 2009 dhe gjatë 14 viteve ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme drejt objektivit të tij të shërbimit komercial. Me fluturimin e tj të parë më 5 maj 2017, që zgjati afërsisht 1 orë e 19 minuta, avioni i parë C919 me numrin 101, shfaqi aftësitë e tij dhe hapi një kapitull të ri në industrinë e aviacionit të Kinës.
Qysh nga ajo kohë, C919-ta i është nënshtruar një programi të gjerë testimi, me gurë të rëndësishëm kilometrikë gjatë procesit. Në dhjetor 2017, COMAC njoftoi përfundimin me sukses të fluturimit të parë të avionit të dytë C919 në distanca të gjata, që zgjati 2 orë e 23 minuta. Kjo shënoi një hap të rëndësishëm drejt vërtetimit të gamës së tij operacionale dhe performancës. Në nëntor të 2020-ës, C919-ta arriti një moment historik vendimtar kur mori Autorizimin e tij të Inspektimit (TIA) nga Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC). Ky autorizim vërtetonte se C919-ta plotëson kërkesat e vlefshmërisë ajrore për testimin e fluturimit. COMAC shpalli kryerjen e testimit të parë të forcës statike për trupin e avionit C919 në dhjetor 2020. Ky test, ku ngarkesat aplikohen në strukturë për të vlerësuar integritetin e saj, demonstroi fuqinë e dizajnit të avionit.
“China Eastern Airlines” mori avionin e parë C919 më 9 dhjetor 2022/ foto nga CFP
Në mars 2021, “China Eastern Airlines” nënshkroi një kontratë për pesë C919-të, që është edhe marrëveshja e parë tregtare për këtë avion. Kjo kompani me seli në Shangai mori avionin e parë C919, me numër B-919A, në dhjetor 2022 dhe filloi fluturimet provë të verifikimit pa udhëtarë prej 100 orësh.
Me fillimin e operimit tregtar, C919-ta jo vetëm do të riformësojë peizazhin global të aviacionit komercial, por gjithashtu simbolizon edhe përparimin e Kinës në industrinë e fluturimeve ajrore. Që nga janari 2023, numri i porosive për avionin C919 kishte arritur në 1.200, sipas zv.presidentit të COMAC-ut Zhang Yujin.