Shqipëria, ndër vendet me hetimin e më shumë rasteve në bashkëpunim me Eurojust
2023-05-28 12:37:59

Foto nga ATSH

Delegacioni i BE-së në Shqipëri njoftoi se Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) shënoi një tjetër vit të suksesshëm duke publikuar raportin e saj për vitin 2022.

Sipas një njoftimi të publikuar në mediet sociale, Delegacioni i BE-së bën të ditur se Shqipëria renditet si vendi i katërt për hetimin e më shumë rasteve në bashkëpunim me Eurojust-in për vitin 2022.

Në njoftim theksohet se Shqipëria vlerësohet sidomos për nivelin e lartë të bashkëpunimit në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ndërkufitare.

Në tabelën e publikuar nga delegacioni i BE-së, një postim në rrjetet sociale, Shqipëria renditet në vendin e katërt me numrin më të madh të rasteve të bashkëpunimit me Eurojust-in, 85 të tilla.

“Shqipëria po dëshmon edhe një herë se është një vend partner i besueshëm në çështjet e sigurisë dhe të drejtësisë”,- bëhet e ditur në njoftimin e publikuar në “Facebook” nga Delegacioni i BE-së. (Irma)