Kina rrit mbrojtjen gjyqësore për të miturit kundër shkeljeve seksuale
2023-05-28 10:44:42

Foto nga VCG

Gjykata e Lartë Popullore dhe Prokuroria e Lartë Popullore publikuan së bashku një interpretim gjyqësor, duke premtuar dënime të rënda për krime të tilla si përdhunimi, ngacmimi seksual dhe paturpësia që synojnë të miturit.

Po ashtu, këto institucione, Ministria e Sigurisë Publike dhe Ministria e Drejtësisë publikuan një dokument tjetër për trajtimin e rasteve që përfshijnë sulme seksuale ndaj viktimave të mitura.

Interpretimi gjyqësor zotohet të forcojë përpjekjet për të garantuar mbrojtje të veçantë dhe preferenciale për të miturit, bën të ditur “Xinhua”. Më tej, ai specifikon rregulla të hollësishme në lidhje me rrethanat për të cilat të dënuarit duhet të marrin dënime më të rënda, siç janë krimet nga ata që janë përgjegjës për kujdesin e viktimave të mitura.

Gjithashtu, interpretimi thekson se gjatë rasteve duhet të merret parasysh gjendja mendore e të miturve.

He Li, gjyqtar i lartë i Gjykatës Penale, tha se përdhunimi dhe shkeljet e tjera seksuale ndaj të miturve cenojnë seriozisht mirëqenien fizike dhe mendore të viktimave dhe dënohen nga publiku, duke vënë në dukje se gjykatat do të përmirësojnë punën e tyre në çështjet përkatëse për të siguruar rritje të shëndetshme të të miturve.

Sipas dokumentit, këto raste duhet të trajtohen nga departamente speciale ose personel special.

Për më tepër, udhëzimi mbulon rregullat për hetimin dhe proceset e mbledhjes së provave në rastet përkatëse.  (Irma)