Jasmina Dervishi një zë premtues
2023-05-28 14:22:32


Jasmina Dervishi në intervistë për CMG

Jasmina Dervishi është një këngëtare e re e talentuar, e cila ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Fëmijëve në Tiranë në vitin 2013, si dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme në 3 edicionet pasuese të këtij festivali. Jasmina është fituese e çmimit të tretë dhe të dytë në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, në vitet 2014 dhe 2015. Ajo ka qenë pjesëmarrëse  në disa festivale në Kosovë në qytetet Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Deçan si edhe në edicionin e dytë të “The Voice Kids Albania 2”. Gjatë vitit 2021, ishte fituese e vendit të dytë në formatin muzikor “Mam, po ti!?”, një vendim i marrë nga juria e festivalit “Kënga Magjike”.

Jasmina e ka trashëguar talentin për këngën nga babai i saj, i cili ka studiuar për kanto. Ajo është angazhuar në aktivitete muzikore që në moshën 7-vjeçare, ka studiuar në Liceun Artistik në Tiranë dhe vazhdon studimet në Universitetin e Arteve për Kanto. Ajo  pëlqen shumë muzikën pop, por edhe atë klasike dhe të ardhmen e saj e sheh në këto zhanre muzikore.  Në vitin 2022, Jasmina Dervishi mori pjesë në festivalin “Kënga Magjike” me këngën "Asaj".

Në intervistën  për Radio Ejani ajo tregon për dashurinë që ka për muzikën dhe planet për të ardhmen.

Jasmina Dervishi (Foto nga instagrami)

CMG: Të kam ndjekur në talent show-n ku ti ke marrë pjesë, por edhe në interpretimet live, si nisi marrëdhënia jote me mzuikën?

Jasmina Dervishi: Me muzikën është një marrëdhënie shumë e bukur dashurie (qesh). Muzikën e kam nisur shumë e vogël, ku kam marrë pjesë në festivalet e fëmijëve në Tiranë, Shkodër, dhe në Kosovë. Më pas mora pjesë në “The Voice Kids” në Tiranë dhe më pas pas në programin  televiziv “Mam, po ti?!” ku arrita në finale në vendin e dytë dhe më pas përfundova në “Kënga Magjike”.

CMG: Je shumë aktive me netët live. Si është marrëdhënia jote me live-n?

Jasmina Dervishi: Unë kam 2-3 vite që merrem sistematikisht me interpretime në netët live, ku performoj me grupe të ndryshme. Vitin e fundit kam qenë në “AG Show” ku kam kënduar me këngëtaren Aurela Gaçe dhe kemi bërë prova 2-3 here në javë për një live. Çdo fundjavë, të premte e të shtunë gjithmonë ka muzikë live si te Aurela, por edhe në lokale të tjera.

Jasmina Dervishi ne Talent Shovv-n  -Mam po ti  (Foto nga instagrami) 

CMG: Cili është repertori yt muzikor aty?

Jasmina Dervishi: Unë këndoj këngë të muzikës pop. Çdo këngëtar aty këndon zhanre të ndryshme të muzikës, ka secili një rrymë të vetën. Kjo bën shumëllojshmërinë, duke sjellë te publiku këngët më të pëlqyera të tyre.

CMG: Në edicionin e fundit të “Kënga Magjike” more pjesë me këngë “Asaj”. Na trego për këtë pjesëmarrje.

Jasmina Dervishi: Kur doja të merrja pjesë në “Kënga Magjike”, kisha qejf të sillja një temë që nuk e kishin trajtuar më parë, që ishte shumë delikate në shoqërinë tonë. Ja shpreha  idenë time prindërve dhe më pas gjeta kontaktin e Ardit Çunit, i cili ishte i gatshëm. Ja shpjegova idenë dhe ai ndërkohë e kishte atë material që unë kërkoja. Pasi e dëgjova këngën, menjëherë më pëlqeu, ishte ajo që doja. Por pse e kisha kaq të rëndësishme këtë temë? Sepse kjo është një temë që e dëgjoj dhe e ndjej shumë në shoqërinë e përditshme.

CMG: Për çfarë flet konkretisht kjo këngë?

Jasmina Dervishi: Tema e këngës flet për një fëmijë që ka parë prindërit të grinden, babin e tij të dhunojë nënën dhe këtë gjë në këngë unë e kam parë nga ana prindërore, e jo nga ana e fëmijës se çfarë ndjen. Gjatë këngës fëmija i drejtohet prindërve të tij, mamin e pyet se përse duroi kaq shumë babain për një fëmijë, babain e pyet si mundi t’ja bëjë këtë nënës. Kjo temë mua më emocionon shumë, sepse e shoh shumë të prekur në shoqërinë tonë. Në fillim e kisha me frikë se si do e prisnin këtë temë, por ashtu si doja unë, kënga u prit shumë mirë.

Jasmina Dervishi -Kenga Magjike (Foto nga instagrami)

CMG: Ky ishte materiali yt i parë në mënyrë profesionale si një vajzë e rritur. Por ti e ke prekur skenën që në moshë të vogël, në festivalet e fëmijëve, ku je ndarë edhe me çmime.  Flasim për pjesëmarrjen tënde të parë

Jasmina Dervishi: Patjetër që më kujtohet, ka qenë një këngë e kompozuar nga Edmond Zhulali dhe  titullohet “Poliglote”. I mbaj mend mirë emocionet  dhe në atë festival mora vendin e tretë.

CMG: Më pas u vlerësove me çmimin e parë, me çmime të dyta e me rradhë. A i mban mend sa këngë janë krijuar për ty?

Jasmina Dervishi: S’më kujtohen shumë mirë, por mendoj se kanë qenë ndoshta 7-8 këngë ku kam marrë pjesë në festival për fëmijë, të cilat  mund t’i këndoj edhe tani. Madje në shtëpi i kam ende disa kaseta, ku në to është dhe kënga “Poliglote”.

CMG: Eksperiencat e tua në vazhdimësi?

Jasmina Dervishi: Në vitin 2018 mora pjesë në “The Voice Albania 2”  ku u përzgjodha nga këngëtarja Miriam Cani për të më patur në skuadër.  Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur ku kam mësuar shumë.

CMG: Më pas zgjodhe një tjetër konkurs “Mam po ti?!” organizuar nga artisti Ardit Gjerbrea, ku ti u ndave me çmimin e dytë. Si ishte për ty kjo pjesëmarrje?

Jasmina Dervishi:  Kur mbarova “The Voice”, duket shumë e çuditshme, por doja shumë që kur të bëja 17 vjeç të merrja pjesë në një kompeticion për të rritur. Në të vërtetë ashtu ndodhi, u hapën për herë të parë audicionet e “Mam po ti?!”, kur unë isha 17 vjeç dhe nuk doja ta humbisja si rast. Bëra audicionet, fitova dhe hap pas hapi arrita në finale, e cila ishte shumë e vështirë. Ne duhej të përgatisnim tre këngë dhe kur arritëm në momentin e  fundit, ku mbeta vetëm unë me Michela, realisht nuk e prisja. Kjo gjë dukej edhe nga reagimi që pata në skenë, ku isha shumë e surprizuar dhe isha në një përballje me një konkurrente aq të fortë.

CMG: U mërzite që iu afrove aq shumë fitores, por nuk e fitove dot çmimin e parë?

Jasmina Dervishi: Normalisht që jo. Në fillim mua më kanë pyetur se cilin mendoja se do të fitonte çmimin e parë dhe unë thashë tre emra, Martini, Michela dhe unë. Patjetër që kushdo që do  ta fitonte, do ishte e merituar.

Jasmina Dervishi ne koncertin recital te kompozitorit Flamur Shehu (Foto nga instagrami)

CMG: Ke kënduar në koncertin recital  dedikuar jetës artistike të kompozitorit të mirënjohur Flamur Shehu. Si arrite të ishe pjesë e atij koncerti dhe çfarë kënge interpretove aty?

Jasmina Dervishi: Në fakt për të marrë pjesë në këtë koncert ka qenë e ftuar këngëtarja Aurela Gaçe. Por në pamundësi për të qenë ajo e pranishme, më mori një ditë në telefon dhe më tha që të shkoja në vend të saj. Në momentin që e mora këtë lajm, sigurisht që përgjegjësia, përveç këtij festivali dhe këtij koncerti kaq të rëndësishëm për një kompozitor kaq të madh si Flamur Shehu, kisha edhe përgjegjësinë tjetër se po shkoja në vend të Aurela Gaçes. Kam punuar shumë fort që t’ja arrija. Një nga këngët që kam interpretuar ishte  ajo e Aurela Gaçes me titullin “Nuk mjafton”, të cilën duhet ta sillja në versionin tim, por edhe të Aurelës. Ishte një eksperiencë dhe një nder për mua që të performoja në atë skenë me emra dhe figura të njohura si Irma Libohova, Myfarete Laze, etj.

CMG: Ti tashmë vazhdon studimet e larta për kanto. Si e sheh veten në të ardhmen?

Jasmina Dervishi: Akademia e Arteve ka qenë synimi im, pasi mbarova Lieun Artistik. Kjo ka qenë ëndrra që unë kam pasur që e vogël. Edhe pse nuk është muzikë  pop apo jazz, pasi është klasike edhe ajo ka teknikat e saj, të jep eksperiencën që të duhet.

Jasmina Dervishi ne Kenga Magjike 2022 (Foto nga instagrami)

CMG: Si e sheh veten pas një dekade, në opera apo në skenat e muzikës pop?

Jasmina Dervishi: Opera është një arritje për çdo këngëtar, nuk ka rëndësi çfarë këndon apo çfarë ka pasion. Nëse deri tani e kam pasur një plan, mendoj se vitet e ardhshme dua t’i lë surprizë, sepse dhe ky vit i fundit për mua ka pasur shumë surpriza.  Isha në “Kënga Magjike”, arrita të  punoja me këngëtaren Aurela Gaçe, të interpretoj me banda të ndryshme muzikore, etj. Synimi im është që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Nuk dua të  planifikoj gjë tani, por mendoj se në vazhdim dua që të më vijë çdo gjë surprizë. Muzikën pop do e kem kryesore, por nëse më krijohet mundësia edhe me muzikën klasike, pse jo.

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Jasmina Dervishi: Po punoj për një projekt për të cilin jam e sigurtë që publiku nuk më kanë parë ndonjëherë ashtu. Do vij me diçka të re nga mesi i verës dhe shpresoj që njerëzit ta pëlqejnë. Është një këngë shumë e veçantë.

CMG: Stina e verës ku do të të gjejë?

Jasmina Dervishi: Sigurisht me interpretime live, nuk kam vende të caktuara sepse vera na gjen gjithandej, të cilat patjetër që do i publikoj në rrjetet e mia sociale.

Intervistoi: Sava Lena