Europol godet grupin kriminal në Ballkanin Perëndimor, 37 të ndaluar
2023-05-27 14:31:54

Foto nga rtsh

37 anëtarë të një celule kriminale në Ballkanin Perëndimor janë ndaluar në një operacion ndërkombëtar të koordinuar nga Europoli.

E udhëhequr nga një shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, kjo celulë e fuqishme kriminale ishte e përfshirë kryesisht në trafikun në shkallë të gjerë të drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Europën, bën të ditur “RTSH”.

Një sërë bastisjesh u kryen njëkohësisht në Kroaci, Slloveni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani kundër anëtarëve të kësaj bande.

Kreu i bandës, një shtetas nga Bosnja dhe Hercegovina, ishte aktualisht duke vuajtur një dënim me burg 4-vjeçar në Itali, ndërsa hetuesit arritën të zbulonin se si ai vazhdoi të drejtonte aktivitetet kriminale të bandës së tij nga qelia e burgut. Prej aty, ai besohet se ka dhënë rregullisht urdhra dhe udhëzime për çështje që lidhen me trafikun e drogës dhe armëve të zjarrit.

Gjatë operacionit u sekuestruan 148 mijë euro, 18 armë zjarri, mbi 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, 7 kilogramë marijuanë. (Irma)