Firmoset në Romë marrëveshja për realizimin e transplantit të organeve në Shqipëri
2023-05-27 14:07:24

Foto nga RTSH

Midis Shqipërisë dhe Italisë është krijuar një mundësi e re bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, ajo e transplatimit të organeve, duke u firmosur në Romë marrëveshja tripalëshe mes Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Universitetit “Tor Vetgata” të Romës dhe Universitetit “G. D'Annunzio” të Chieti-Pescara.

Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e konsideroi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për realizimin e transplanteve në Shqipëri si dhe thellimin e bashkëveprimit në fushën e shëndetësisë me Italinë, citon “RTSH”.

“Çelet një dritare e re për bashkëpunimin në fushën e transplanteve të organeve, falë iniciativës që jetësohet me firmosjen e marrëveshjes tripalëshe. Marrëveshja do të mundësojë shkëmbimet në fushën akademike dhe klinike, me përgatitjen e protokolleve në fushën e transplantit të veshkës, mëlçisë dhe pankreasit, formimin dhe fuqizimin e burimeve njerëzore, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit klinik, për të realizuar transplanet e organeve dhe asistencën e nevojshme për hartimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për dhurimin”,- deklaroi ministrja Manastirliu. 

Sipas saj, marrëveshja e bashkëpunimit që u firmos mes titullarëve të tre universiteteve do të çojë në një nivel të ri bashkëpunimin në fushën e mjekësisë mes Shqipërisë dhe Italisë. (Irma)