Adrian Demiri, mjeshtër i klarinetës
2023-05-27 14:55:05


Adrian Demiri gjate nje koncerti 

Adrian Demiri është një nga klarinetistët virtuozë të folkut shqiptar, i cili ka shoqëruar me instrumentin e tij këngëtarët më të njohur të muzikës popullore si dhe ka realizuar mjaft orkestrale të trevave të jugut dhe Shqipërisë së mesme. Ai ka punuar prej 20 vitesh si klarinetist i parë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, duke marrë pjesë në shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kohët e fundit ka realizuar disa orkestrale popullore, të cilat i ka publikuar në kanalin e tij YouTube dhe janë pritur mjaft mirë nga publiku.  Në një intervistë për Bio Folk Adrian Demiri tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe produksionet e fundit muzikore

CMG: Ju keni mbi katër dekada që kontribuoni në muzikën shqiptare. Kohët e fundit keni publikuar disa materiale të reja muzikore.

Adrian Demiri: Në radhë të parë unë e kam në shpirt muzikën dhe klarinetën. Kohët e fundit kam realizuar një orkestrale me dy këngë të Shqipërisë së mesme, të cilat i kam realizuar në muajin dhjetor. Janë këngët “Çezmja e kishës” që  i përket Shqipërisë së Mesme dhe “I hipa kalit të bardhë”. Me këto dy kam bërë një orkestrale, të cilën e kam realizuar në studion e Arkied Hajredini,  që i ka orkestruar. Jam shumë i kënaqur me të dyja këto orkestrale sepse kanë dalë materiale shumë të mira.

CMG: Gjatë vitit 2022 keni sjellë për publikun dhe disa materiale të tjera muzikore.

Adrian Demiri: Kam realizuar dhe një orkestrale tjetër, një valle e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore, që e kam realizuar dhe e kam vënë unë si muzikë. Këtë valle e kam bërë orkestrale vitin e kaluar me muzikantin e talentuar Dritan Baftjari. Edhe kjo orkestrale ka dalë e bukur dhe është pëlqyer.

Adrian Demiri

CMG: Ju e keni nisur rrugëtimin muzikor që në moshën 14 vjeçare, por si erdhi ky pasion për klarinetën?

Adrian Demiri: Unë kam pasur një shok në lagje, i  cili ka qenë regjistruar në kursin e klarinetës. Një ditë më tha që ta shoqëroja dhe të shikoja sesi ai i binte klarinetës. Kështu shkova tek kursi i klarinetës dhe profesori më pyeti nëse kisha dëshirë të regjistrohesha për klarinetë. Unë isha në klasën e pestë dhe i thashë se dua të regjistrohem në kurs. Kur u regjistrova në kurs më hyri në qejf dhe kisha dëshirë të studioja. Më vonë bleva një klarinetë dhe punova gati katër vjet aty.

CMG: Pas viteve 90-të për 20 vjet keni punuar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore si klarinetist. Si i kujtoni ato vite të karrierës suaj muzikore?

Adrian Demiri: Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka një pozicion shumë të lartë nga ana artistike dhe për mua ka qenë një gjë e veçantë që të filloja në këtë ansambël. Ata më provuan dhe më panë si klarinetist dhe fillova punë në ansambël. Në fillim mësova materialet dhe gjithë repertorin e ansamblit. Kemi qenë në 17 vende të botës me ansamblin. Kam pasur një kënaqësi të veçantë për 20 vjet që kam punuar aty.

Adrian Demiri duke regjistruar ne studio muzikore 

CMG: Si është pritur Ansambli në vende të botës ku ju keni shkuar dhe çfarë kujtimesh ruani nga këto turne?

Adrian Demiri: Ansambli është pritur shumë mirë sepse ai ka një repertor shumë të mirë, sidomos vallet të cilat janë të gjata me motive të ndryshme. Profesor Panajot Kanaçi ka bërë punë të madhe me vallet në ansambël sepse ka pasur larmi vallesh. Gjithashtu dhe këngët kanë qenë prezent, me këngëtarët e mirënjohur Irini Qirjako, Hysni Zela e shumë të tjerë. Unë kam bërë edhe orkestrale në këto turne dhe në përgjithësi jemi pritur shumë mirë në skena prestigjoze nga publiku i këtyre vendeve.

CMG: Cilin nga turnetë me Ansambiln jashtë shtetit do të veçoni si më të suksesshmin?

Adrian Demiri: Të gjitha turnetë kanë qenë të bukura, por mbaj mend njëherë në Mynih kemi dhënë një koncert jashtëzakonisht të bukur, një koncert me vlera. Unë jam pritur shumë mirë nga publiku atje me orkestrale dhe kabanë me klarinetë “Gjeneral gramafoni”.

Adrian Demiri duke i rene klarinetes 

CMG: Ju keni bashkëpunuar me pothuajse të gjithë këngëtarët e njohur të muzikës popullore, duke i shoqëruar me klarinetë gjatë interpretimeve të tyre. Cilët kanë qenë artistët që ju keni bashkëpunuar më shumë gjatë këtyre viteve?

Adrian Demiri: Pothuajse të gjithë këngëtarët e Shqipërisë nga jugu në veri, sepse të gjithë këngëtarët kanë qenë në ansambël. Unë kam bashkëpunuar më shumë me Bujar Qamilin, Merita Halilin, Irini Qirjako, Hysni Zela, Liri Rasha, Artiola Toska dhe shumë këngëtarë të tjerë, të cilët kanë ardhur dhe kanë kënduar në Ansambël.

CMG: Para shumë vitesh keni debutuar me klarinetë në një kolazh këngësh popullore të interpretuar nga Merita Halili dhe Eli Fara. Si u realizua ky kolazh?

Adrian Demiri: Ka qenë shumë e vecantë ajo potpuri me Elin dhe Meritën, një kolazh që është regjistruar në studion e kompozitorit Edmond Zhulali dhe është pritur shumë mirë. Ajo si potrpuri ka ngelur në veshin e publikut.

Adrian Demiri gjate nje emisioni televiziv

CMG: Gjatë karrrierës suaj keni luajtur shumë orkestrale të Shqipërisë së Mesme dhe të jugut. E keni më të lehtë të luani motivet e jugut apo Shqipërisë së Mesme?

Adrian Demiri: Jugu ka diçka të veçantë, por edhe Shqipëria e mesme e ka veçantinë e saj. Jugu është më në brendësi, ka më shpirt dhe duhet të punosh më i shtrirë me notat, duhet të jesh në karakter. Gjithashtu dhe në Shqipërinë e Mesme duhet të jesh në karakter sepse janë pozicione më të vështira se të jugut. Pra të dyja këto treva dallojnë nga njëra- tjetra.

CMG: Preferoni të luani kabanë, muzikën e jugut apo të Shqipërisë së Mesme?

Adrian Demiri: Edhe Shqipëria e Mesme është e bukur, por mua më pëlen më shumë jugu se edhe vetë jam korçar. Shqipëria e Mesme është e bukur sepse ka vallet dyshe të vjetra, këngët  i ka perlë, ka orkestralet dhe vallet shumë të bukura.

CMG: Një korçar që  interpreton po aq bukur muzikën e Shqipërisë së Mesme. Si arrite të përshtatesh me këtë trevë?

Adrian Demiri: Unë kam pasur fatin të luaj me shumë mjeshtra. Në Ansamblin “Tirana” ka qenë klarinetisti i madh Remzi Lela dhe kam punuar me të, e kam dëgjuar dhe kam marrë shumë gjëra nga ai  dhe Hekuran Xhambali. Hekuranin e kam mik dhe është klarinetist i shkëlqyer për mua. Këta dy klarinetista i kanë dhënë shumë Shqipërisë së Mesme, por dhe muzikës së jugut.

CMG: Keni pasur rastin të bashkëpunoni me klarinetistë virtuozë të muzikës popullore?

Adrian Demiri: Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1998 kam marrë pjesë me Remzi Lelën dhe Ansamblin “Tirana”, ku kam luajtur një orkestrale bashkë me Remziun. Jemi pritur shumë mirë nga publiku.

CMG: Keni marrë pjesë në festivalet e tjera të Gjirokastrës si solist?

Adrian Demiri: Pas viteve 90-të kam marrë pjesë njëherë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Ka qenë viti 1995 dhe ka qenë një eksperiencë e bukur për mua sepse Festivali Folklorik i Gjirokastrës ka vlerë.

CMG: Edhe djali juaj Erald Demiri e ka trashëguar këtë instrument. Sa keni ndikuar ju në formimin e tij si klarinestist?

Adrian Demiri: Me thënë të drejtën Eraldi e ka marrë zanatin vetë. Unë i kam dhënë  sugjerime dhe ja kam shpjeguar, por të gjithë e ka marrë vetë sepse e ka pasur dhunti.

CMG: Keni pasur ndonjë bashkëpunim me Eraldin?

Adrian Demiri: Unë kam dëshirë të bëj diçka me Eraldin, por do ja lemë kohës.

CMG: Mendoni se klarineta ka tingull më të bukur se çdo instrument tjetër  të muzikës popullore?

Adrian Demiri: Klarineta është një instrument shumë i veçantë, është një vegël që do durim, do që të kesh shpirt brenda sepse vetë ky instrument është i tillë.

Adrian Demiri ne interviste per CMG

CMG: A ka moshë ky profesion?

Adrian Demiri: Kufi nuk ka nëse ti i bie me shpirt, e ndjen atë dhe e dashuron si instrument. Unë kam qejf që t’i bie klarinetës edhe kur të jem 80 vjeç. Çobani i ka rënë deri në moshën 75 vjeç.

CMG: A bëhen dasmat pa klarinetë?

Adrian Demiri: Asnjëherë pa klarinetë nuk bëhet dasma sepse ky instrument nuk zëvendësoshet. Klarineta është traditë e Shqipërisë.

CMG: Gjatë fundjavave jeni prezent në shumë ambjente familjare, duke shoqëruar këngëtarë të ndryshëm me klarinetë. Si jeni pritur në këto evente?

Adrian Demiri: Unë aktualisht punoj te “Natyra e qetë”  dhe jam pritur mire. Njerëzit që vijnë aty kënaqen sepse ne bëjmë muzikë qytetare, kaba dhe muzikë të Shqipërisë së Mesme.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për këtë vit?

Adrian Demiri: Kam disa projekte dhe dua të realizoj diçka, por do ja lemë më mirë kohës.

CMG: A jeni i kënaqur që këtë instrument e ka trashëguar djalit juaj?

Adrian Demiri: Jam shumë i kënaqur dhe ai ndjehet shumë mirë në këtë zanat sepse e ka qejf.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Adrian Demiri: Unë i përshëndes të gjithë muzikantët, këngëtarët dhe ju them që të jenë brenda muzikës së tabanit.

Intervistoi: Gazmend Agaj