I dërguari i posaçëm kinez zhvillon bisedime me zyrtarë të BE-së
2023-05-27 13:49:08

Foto nga VCG

Përfaqësuesi i Posaçëm i Qeverisë Kineze për Çështjet Euroaziatike Li Hui ritheksoi se Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim objektiv e të paanshëm për çështjen e Ukrainës dhe ka promovuar në mënyrë aktive bisedimet e paqes.

Ai i bëri këto komente gjatë bisedimeve me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE) të enjten në Bruksel, duke përfshirë Frederic Bernard, shefi i kabinetit të Presidentit të Këshillit Evropian, dhe Enrique Mora, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Të dy palët shkëmbyen mendime mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë dhe marrëdhëniet Kinë-BE.

Kina dhe BE-ja kanë shumë mendime të përbashkëta për këtë çështje, vuri në dukje Li, duke shtuar se Pekini mbështet vendet evropiane të forcojnë autonominë e tyre strategjike dhe të bëjnë përpjekje për qëndrueshmërinë afatgjatë të kontinentit evropian.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe BE-së, ai tha se Pekini është i gatshëm të punojë me Brukselin për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të liderëve të të dyja palëve, për të përballuar pasigurinë e situatës ndërkombëtare me qëndrueshmërinë e marrëdhënieve Kinë-BE.

Zyrtarët e BE-së vlerësuan lart rolin pozitiv që luan Kina në zgjidhjen paqësore të konfliktit, si edhe parimet e dokumentit që përshkruan qëndrimin kinez për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës.

BE-ja ndan me Kinën shumë interesa të përbashkët për çështjen e Ukrainës dhe është e gatshme të punojë së bashku me Kinën për të rritur konsensusin nëpërmjet bashkëpunimit, për të zgjidhur dallimet nëpërmjet dialogut dhe për të promovuar zgjidhjen paqësore të konfliktit, për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Evropë, shtuan ata. (Çang Çuo)