Këshilli i Sigurimit/ Ministrja Xhaçka: Interneti dhe teknologjia nuk duhet të përdoren si armë
2023-05-27 12:34:23

Foto nga RTSH

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit, në Nju Jork, ku Shqipëria së bashku SHBA-në ishin bashkëdrejtuese të takimit “Përgjegjësia dhe reagimi i shteteve ndaj sulmeve kibernetike”.

Ministrja Xhaçka, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, deklaroi se interneti dhe teknologjia nuk janë e nuk duhet të përdoren si armë. Sipas saj, ato duhet të mbeten mjete dhe forca për të mirën e përbashkët.

“Na takon ne të përcaktojmë rrugën që duhet të marrë teknologjia. Duke identifikuar dhe dënuar sjelljen në kundërshtim me normat ligjore të shtetit dhe duke inkurajuar veprime pozitive për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës kibernetike, Këshilli i Sigurimit mund të zvogëlojë rrezikun e konfliktit që rrjedh nga veprimet keqdashëse. Shqipëria rithekson pozicionin e saj në favor të një hapësire kibernetike globale, të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt, ku respektohen ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në dobi të zhvillimit social, politik dhe ekonomik”,- deklaroi ministrja Xhaçka, citon “RTSH”.

Ajo vuri theksin te digjitalizimi, që sipas saj kërkon një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt. Por përpos treguesve pozitive, përparimi i shpejtë teknologjik mbart gjithashtu rreziqe dhe sfida. Në këtë kuadër, ministrja shprehu shqetësimin mbi rritjen alarmante të sulmeve kibernetike që synojnë shtetet dhe infrastrukturat e tyre jetike. Këto sulme, sipas ministres Xhaçka, përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhen trajtuar si të tilla.

“Është koha që vullnetin e mirë ta kthejmë në veprime konkrete. Ne mezi presim të punojmë me të gjitha shtetet anëtare për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët për një hapësirë kibernetike të hapur, të sigurt dhe të qëndrueshme, nga e cila përfitojmë të gjithë ne”, deklaroi ajo. (Irma)