Firma kineze e teknologjisë hap një fabrikë të re në Bangladesh
2023-05-27 11:00:46

Foto nga VCG

“Transsion Holdings”, një prodhues i smartfonëve me bazë në Kinë, përuroi fabrikën e saj “ISMARTU” në Bangladesh, për të përmbushur kërkesën në rritje për pajisje inteligjente në këtë vend, citon “Xinhua”.

“ISMARTU Technology BD Limited”, një degë e “Transsion Holdings”, përfaqëson markat e njohura inteligjente si “TECNO”, “Itel”, “Infinix”, “Oraimo” dhe “Syinix”.

Fabrika e re, e vendosur në Zonën Ekonomike Industriale Meghna, Narayanganj, ka një investim total prej rreth 22 milionë dollarë amerikanë në fazën e parë të ndërtimit të saj dhe mbulon një sipërfaqe prej mbi 22.000 metra katrorë. Ajo është e pajisur me teknologjinë më të fundit dhe i përmbahet standardeve të larta ndërkombëtare për cilësi dhe siguri.

Lidhur me një popullsi të madhe dhe rritjen e kërkesës së konsumatorit për telefona inteligjentë të përballueshëm dhe të nivelit të lartë në Bangladesh, kreu i “Transsion Holdings”, Zhu Zhaojiang, e quajti vendin e Azisë Jugore një treg strategjik për zgjerimin e biznesit të kompanisë.

Zhu shprehu optimizëm se investimi në Bangladesh nëpërmjet “ISMARTU” jo vetëm që do të përshpejtonte zhvillimin lokal të kompanisë, por gjithashtu do të kontribuonte në procesin e digjitalizimit dhe modernizimit të Bangladeshit.

Duke u fokusuar në thjeshtimin e procesit të prodhimit, kompania kineze përpiqet të ofrojë pajisje celulare inteligjente me cilësi të lartë për të përmbushur kërkesën në rritje të Bangladeshit për produkte.

Fabrika pritet të gjenerojë mundësi punësimi për mbi 2000 individë vendas, duke kontribuar në ekonominë lokale dhe duke mbështetur rritjen e karrierës brenda rajonit.

Kjo është fabrika e dytë në Bangladesh e kësaj kompanie kineze. Në shtator 2018, u vu zyrtarisht në funksion fabrika e parë, e cila prodhon dhe monton produktet e telefonisë celulare të “Transsion”. (Irma)