Foto nga ATSH
Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u takua në Romë me homologun italian, Orazio Schillaci, me të cilin biseduan për programe trajnimi e shkëmbimi për personelin mjekësor, mbështetjen në fushën e mjekësisë nukleare, bashkëpunim në fushën e digjitalizimit, telemjekësisë dhe sektorit farmaceutik, përcjell “ATSH”.
Ministrja Manastirliu deklaroi se ndërtimi i programeve konkrete të shkëmbimit dhe trajnimit të personelit mjekësor mes dy vendeve do të adresonte një sfidë të përbashkët, atë të mobilitetit të profesionistëve të shëndetësisë.
Lidhur me bashkëpunimin në fushën farmaceutike, ministrja Manastirliu tha se kjo gjë mund të arrihet duke rritur kapacitetet e burimeve njerëzore për analizat laboratorike të barnave në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Barnave.
Duke garantuar mbështetjen për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes Italisë dhe Shqipërisë, ministri Schillaci u shpreh për bashkëpunim edhe në fusha të tjera, përveç programeve të shkëmbimit për personelin mjekësor dhe në fushën farmaceutike.
“Një tjetër fushë ku mund të zgjerojmë bashkëpunimin është dhe mjekësia nuklerare. Ne do t’ju mbështesim konkretisht për të zgjeruar dhe rritur cilësinë e shërbimit në këtë fushë. Gjithashtu duhet të forcojmë bashkëpunimin e fushën e digjitalizimit dhe telemjekësisë”,- tha ministri Schillaci.
Ministrat Manastirliu e Schillaci u angazhuan për rifreskimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, për të ngritur në një nivel të ri shkëmbimin dypalësh. (Irma)