Ministri i Jashtëm: Irani nuk e njeh qeverinë e përkohshme të Afganistanit
2023-05-27 14:26:45

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, deklaroi se vendi i tij nuk e njeh qeverinë e përkohshme talebane të Afganistanit dhe këmbëngul në formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në vend, njoftuan mediet vendase, citon “Xinhua”.

Ai shprehu pakënaqësinë e Iranit për dështimin e vendit fqinj për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse.

Sipas tij, talebanët janë vetëm një pjesë e realitetit të Afganistanit.

Amir-Abdollahian tha se gjatë muajve të fundit, kanë ndodhur herë pas here përplasje përgjatë kufirit të përbashkët me Afganistanin, të cilat janë bërë një burim shqetësimi.

Një burim tjetër argumentimi mes dy palëve janë të drejtat e përbashkëta ujore të lumit Hirmand. Zëdhënësi i Agjencisë Hapësinore Iraniane tha javën e kaluar se fotot satelitore tregojnë se talebanët kanë bërë ndryshime në rrugën e lumit, duke penguar që uji i tij të arrijë në Iran.

Amir-Abdollahian theksoi se të drejtat e ujit të Iranit nga lumi Hirmand duhet të respektohen sipas një traktati të vitit 1973 midis dy vendeve, i cili i jep të drejtë Iranit të marrë 820 milionë metra kub ujë nga lumi në vit.

Qeveria talebane publikoi një deklaratë javën e kaluar, duke thënë se kërkesat e shpeshta të Iranit për ujë dhe komentet e papërshtatshme në media janë të dëmshme, duke shtuar se është e përkushtuar ndaj traktatit të vitit 1973. (Irma)