Kryeministri Rama: Plani Kombëtar i Pastrimit do të vazhdojë pa u ndalur
2023-05-27 14:28:11

Foto nga ATSH

Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale momente nga aksioni i pastrimit në disa qytete të vendit, bëri të ditur se Plani Kombëtar i Pastrimit do të vijojë pa u ndalur në të gjithë territorin, sidomos në zonat turistike.

Kryeministri Rama falënderoi të gjithë qytetarët dhe institucionet e angazhuara në këto aksione, të cilët janë bërë bashkë për një mjedis më të pastër.

“Plani Kombëtar i Pastrimit vijon si punë përditshme në gjithë vendin dhe do të vazhdojë pa u ndalur, sidomos tani edhe në nisje të sezonit turistik, ku flukset e vizitorëve, siç tregojnë të dhënat, do të jenë në nivele rekord”, theksoi Rama.

Gjatë vitit 2022, falë këtij aksioni, u pastruan mbi 126 mijë tonë mbetje.

Plani Kombëtar i Pastrimit rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe përfshiu të gjitha qytetet e vendit, përcjell “ATSH”.

Ky plan është një ndër angazhimet kryesore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me qëllim menaxhimin e integruar të mbetjeve, së bashku me miratimin e ligjit për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimëshme, mbështetjen e katër bashkive bregdetare me dyfishim të forcave të pastrimit përgjatë sezonit turistik, si edhe rehabilitimin e shumë venddepozitimeve që ishin shndërruar në gangrena mjedisore. (Irma)