CMG-ja: "Shmangie rreziku"? “Shkëputja” nga Kina është e rrezikshme
2023-05-27 10:02:06

Foto nga VCG

Kohët e fundit, raportet nga shumë dhoma tregtie të huaja në Kinë dëshmojnë plotësisht se ato janë optimiste për tregun kinez. Për shembull, një sondazh nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë tregoi se 66 % e kompanive të saj do të ruanin ose do të rrisnin investimet në Kinë në dy vjetët e ardhshëm. Sipas raportit nga Dhoma e Tregtisë e Bashkimit Evropian në Kinë, 60 % e ndërmarrjeve do të rritin shpenzimet për studimin e zhvillimin në Kinë.  Ndërsa një sondazh nga Dhoma Australiane e Tregtisë në Kinë zbuloi se mbi 60 % e kompanive australiane e konsiderojnë Kinën një ndër tre destinacionet kryesore të investimeve në botë.

Vlen të theksohet se investimi i kompanive të huaja  tani nuk është vetëm në ndërtimin e fabrikave, por ato po vendosin gjithnjë e më shumë edhe qendrat e tyre të studimit dhe të zhvillimit në Kinë. Cila është arsyeja e kalimit nga "Prodhuar në Kinë" në "Bashkëkrijuar me Kinën"? pyet në një koment të vetin Grupi Mediatik i Kinës, duke shtuar se ka analistë  që mendojnë se perspektivat e tregut, marzhet e fitimit, mjedisi i inovacionit dhe vazhdimësia e politikave janë arsye të rëndësishme për investimet e ndërmarrjeve.

Politika e Kinës për zgjerimin e vazhdueshëm të hapjes së saj ndaj botës ka sjellë shpresa të qëndrueshme për investimet e huaja. Kina e ka zvogëluar vazhdimisht listën negative për hyrjen e investimeve të huaja, zbaton në thellësi ligjin e investimeve të huaja dhe ka forcuar mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Një sërë masash të marra nga Kina e kanë përmirësuar vazhdimisht mjedisin e saj të biznesit. Sipas rezultateve të sondazhit të fundit të Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës, 97 % e ndërmarrjeve pjesëmarrëse me financim të huaj i vlerësuan si "të kënaqshme" ose më shumë se "të kënaqshme" politikat për investimet e huaja të shpallura nga qeveria kineze qysh nga tremujori i katërt i vitit të kaluar. Pak ditë më parë u mbajt me sukses Ekspozita e 3-të Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, gjatë së cilës u nënshkruan 62 projekte të financuara nga jashtë, me një investim të përgjithshëm prej 17.78 miliardë dollarësh amerikanë, 17.7% më shumë se në edicionin e kaluar. Një seri platformash të krijuara nga Kina po ndihmojnë kapitalin e huaj të vijë në Kinë dhe të ndajë dividentët e zhvillimit të saj, vijon komenti i CMG-së.

Aktualisht ekonomia botërore po përballet me sfida të tilla si unilateralizmi dhe proteksionizmi tregtar. Ndërsa bëjnë thirrje për "shkëputje dhe prishjen e zinxhirëve", disa vende kanë sajuar termin "shmangie rreziku" për të mbuluar qëllimin e shtypjes dhe frenimit të Kinës. Por në fakt, shkëputja nga Kina është e rrezikshme. Një raport studimor nga një institut austriak i studimit të politikave vlerëson se, nëse Gjermania "shkëputet" nga Kina, PBB-ja vjetore e Gjermanisë do të bjerë me 2 %, domethënë një humbje prej 60 miliardë eurosh. CEO i “Nike”, John Donahoe, tha sinqerisht se "shkëputja" nga Kina do të ishte katastrofike për tregtinë globale.

Rregullat e tregut tregojnë se vendi që mund të sjellë përfitime është zgjedhje instinktive e ndërmarrjeve. Nuk është çudi që CEO i “Siemens” Roland Busch tha se tregu kinez jo vetëm duhet "mbrojtur", por edhe duhet zgjeruar. Ekziston besimi që Kina do të vazhdojë të jetë zgjedhja e parë për investimet e huaja dhe zhvillimin e biznesit. Arsyeja është që, në një pyll të harlisur, do të rriten natyrshëm pemë të larta, e mbyll komentin e vet CMG-ja. (Çang Çuo)