“Gjergj Kastrioti -Skënderbeu,Kryezot i Arbërit” duartrokitet në Tiranë dhe Prishtinë
2023-05-26 11:14:13

Gerald Murrja ne rolin e Skënderbeut Foto nga Instagrami

Gerald Murrja në rolin e Skënderbeut/ Foto nga Instagrami

Arti dhe historia shqiptare u shkrinë në një me premierën  e operës solemne “Gjergj Kastrioti -Skënderbeu,Kryezot i Arbërit”

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit  në Tiranë u vu me sukses në skenë  premiera e operas solemne “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Kryezot i Arbërit”  me kompozimin e Vasil S. Toles, shkruar mbi tekstin e Fan S. Nolit. Vepra është fituese e “Konkursit mbarëkombëtar të krijimtarisë muzikore”, shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2018 dhe kremton mes notash pentagrami historinë e kombit shqiptar.

Me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti, vepra operistike u prezantua me profesionalizëm nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB-së, si dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës, në drejtimin e dirigjentëve  Sieva Borzak, Dritan Lumshi dhe Hajrullah Syla.

Në rolet kryesore interpretuan katër solistë, baritoni Artur Vera, tenori Gerald Murrja, sopranoja Eva Golemi dhe mezzo-sopranoja  Amelda Papa. Shfaqja e kësaj opere do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut.  Në intervistë për Radio Ejani tenori Gerald Murrja i cili interpretoi në rolin e Skënderbeut na tregon më tepër rreth kësaj experience.

Foto  nga instagrami i TKOB

Foto  nga instagrami i TKOB

CMG: Në Operan "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" interpretove rolin e Skënderbeut.  Si ishte kjo eksperiencë për ty?

Gerald Murrja: Opera “Skënderbeu” ishte opera e parë premierë botërore e vendosur për herë të në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe ku kisha fatin të luaja në rolin e Skërderbeut. Ishte një opera e cila kërkoi shumë përgatitje, pasi ne kemi filluar para shumë kohësh përgatitjet për këtë opera si unë ashtu edhe kori i Teatrit të Operas  dhe Baletit, duke qenë se ishte një binjakëzim me Filarmoninë e Kosovës dhe ishte një emocion mjaft i madh.  Për këtë rol u bë një audicion dhe unë pata fatin që ta fitoja dhe të bëja këtë rol kaq të rëndësishëm. Ishte një emocion mjaft i veçantë dhe shpresoj që kjo premierë botërore, t’i mbetet Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të vendoset edhe në teatrot më prestigjoze evropiane.

CMG: Si ndjeheshe në rolin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut?

Gerald Murrja: Për mua që të bëja rolin e Skënderbeut ishte një sfidë shumë e madhe, duke qenë se ai është një figurë historike, ndër figurat më të larta që ka kombi ynë shqiptar dhe doja që ta përcillja sa më mirë këtë emocion tek publiku dhe të jepja energjinë dhe potencën që ka ky portret. Pata fatin që të bashkëpunoja edhe me profesorin Vasil Tole, i cili njëkohësisht është edhe kompozitori i kësaj opere të mrekullueshme. Ai ka folur gjatë rreth këtj projekti, madje më ka dërguar edhe tek Akademia e Shkencave, ku kam parë edhe bustin origjinal të Skënderbeut, në mënyrë që të përthitja sa më shumë emocione dhe gjithë energjinë e tij ta demonstroj në skenë dhe ta jap sa më mirë figurën e tij.

Foto  nga instagrami i  TKOB

Foto  nga instagrami i  TKOB

CMG: Si ishte impakti mes artistëve dhe publikut për  këtë vepër?

Gerald Murrja: Më në fund gjithë ai mund na u shpërblye më së miri, duke marrë duartrokitjet e publikut, brohorimat për këtë vepër kaq madhështore. Eshtë bërë një punë kolosale nga drejtoria e Teatrit të Operas dhe Baletit, nga artistët e Filarmonisë së Kosovës dhe ishte një bashkëpunim mjaft i frytshëm, por edhe nga artistët e tjerë si sopranoja Eva Golemi, bariton Artur Vera ndër më të talentuarit e Teatrit të  Operas dhe Baletit, por edhe mezzo sopranoja Amelda Papa. Ishte një kënaqësi mjaft e madhe. Po ashtu vlen të përmendim edhe shfaqjen që u bë edhe në Kosovë, ku Skërnderbeu aty ishte Klodian Kaçani  një ndër tenorët më të mirë që ka nxjerrë shkolla  shqiptare. Ishte një nder dhe privilegj mjaft i madh që të luanim këtë rol dhe këtë opera të mrekullueshme.

CMG: Kjo vepër erdhi me kompozicionin e Vasil S. Tole. Si u përcoll kjo?

Gerald Murrja: Sapo u shpall fituesi në Teatrin e Operas, profesori Vasil Tole u tregua mjaft i gatshëm që të na ndihmojë për çdo zbërthim fraze, në çdo masë ai është kujdesur që ta zbërthejmë rolin sa më mirë dhe për mua ka qenë mjaft e lehtë që të përfshiheshim në këtë rol dhe të jepnim më të mirën.

Foto  nga instagrami i  TKOB

Foto  nga instagrami i  TKOB

CMG: Më përgjegjësi për ty ka një vepër shqiptare apo e huaj?

Gerald Murrja: Për mua ishte hera e parë që të këndoja një opera shqiptare. Më përpara kam kënduar arie shqiptare, por një opera të tërë nuk më kishte ndodhur kurrë dhe ku ka më bukur sesa ta nis me një premierë ndërkombëtare. Sigurisht që kishte vështirësitë e veta, sepse edhe gjuha shqipe nuk të ndihmon shumë në të kënduar, por është më e lehtë të këndosh një opera italiane sesa një opera shqiptare për nga ana e vështirësisë. Operat shqiptare duke qenë është gjuha jonë, i ndjejmë ato fjalë,  është historia e kombit tonë dhe në opera shqiptare ne përfshihemi më shumë,  pavarësisht disa pengesave.

Opera “Gjergj Kastrioi Skënderbeu, Kryezot i Arbërit” edhe në Prishtinë

Opera solemne “Gjergj Kastrioi Skënderbeu, Kryezot i Arbërit” u jetësua edhe në Prishtinë, pas suksesit në Tiranë. Kjo shfaqje shënoi një bashkëpunim ndërinstitucional kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili këtë sezon koncertal ka zhvilluar shumë projekte të përbashkëta që lartësojnë vlerat kombëtare. Kjo shfaqje erdhi e interpretuar në Kosovë nga sopranoja Kaltrina Miftari, mezzo-sopranoja Dea Xhemaili, tenorët Klodian Kaçani, Rizah Jahaj, si dhe baritoni Artur Vera. Me pjesëmarrjen e Korit të Filharmonisë në bashkëpunim me Korin e Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e Maestros Sieva Borzak, Dritan Lumshi dhe Harullah Sylaj, artistët dhuruan emocione të forta për publikun duke interpretuar historinë shqiptare përmes kësaj forme të bukur arti.

Intervistoi: Sava Lena