Ekspertët: Sektori i transportit global do të humbasë objektivat klimaterike të Parisit
2023-05-26 11:33:03

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sektori i transportit global pritet mos të përmbushë objektivat për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe zbutjen e ndryshimeve klimaterike, paralajmëroi Forumi Ndërkombëtar i Transportit (ITF).

Në hapjen e samitit vjetor në Leipzig, Gjermani, ITF-ja bëri të ditur se sektori i transportit do të humbasë me një diferencë të gjerë reduktimin e nevojshëm për të mbajtur nën kontroll ndryshimet klimaterike, citon “Xinhua”.

Masat e dekarbonizimit që po zhvillohen aktualisht do të reduktojnë vetëm emetimet globale të CO2-shit të lidhura me transportin me 3 për qind deri në vitin 2050, thuhet në raportin vjetor të ITF-së.

Për të përmbushur objektivin neto të Marrëveshjes së Parisit deri në vitin 2050, emetimet e CO2 të lidhura me transportin do të duhet të bien me të paktën 3 për qind në vit deri në vitin 2030, ka paralajmëruar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

“Do të jetë absolutisht thelbësore rritja e shpejtë e teknologjive dhe karburantet me kosto konkurruese për të lëvizur njerëzit dhe mallrat me shumë më pak emetime”,- tha shefi i ITF-së, Young Tae Kim.

Sipas ITF-së, edhe pse sektori i transportit nuk është në rrugën e duhur për të arritur objektivin neto zero, transporti global mund të ulë ende emetimet e tij të CO2-shit me rreth 80 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2019 gjatë 25 viteve të ardhshme, nëse përshpejtohet dekarbonizimi.

Kim theksoi se arritja e këtij qëllimi ambicioz do të kërkonte një kombinim të politikave plotësuese për të shmangur aktivitetin e panevojshëm të transportit, një zhvendosje në mënyrat e transportit pa CO2 dhe përmirësimin e efikasitetit të transportit. “Mund t'i bëjmë të gjitha këto nëse marrim veprime më vendimtare tani”, theksoi Kim.

Samiti i ITF 2023, i cili është pjesë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), mblodhi ministrat e Transportit, drejtorët ekzekutivë dhe ekspertë në këtë sektor për tre ditë bisedimesh të nivelit të lartë me temën “Transporti që mundëson qëndrueshmërinë e ekonomive”.

Samiti, nën presidencën e Mbretërisë së Bashkuar, mblodhi më shumë se 1400 pjesëmarrës nga 80 vende. (Irma)