KE thirrje shteteve anëtare: Reduktoni shpenzimet publike
2023-05-26 11:30:51

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Europian u ka kërkuar vendeve të BE-së të reduktojnë shpenzimet publike për të shmangur nxitjen e mëtejshme të inflacionit, veçanërisht duke hequr gradualisht ndihmën e energjisë që u jepet familjeve.

Ndërsa çmimet e energjisë në tregjet me shumicë janë rikthyer në nivelet e para vitit 2022, pas rritjes spirale nga konflikti Rusi-Ukrainë, inflacioni bazë për rritjen e çmimeve në sektorin energjetik dhe produkteve ushqimore ka qenë më i lartë sesa pritej, raporton “Euractiv”, citon “RTSH”.

“Ndërsa inflacioni total vazhdon të bjerë, inflacioni bazë po rezulton më i qëndrueshëm”,- tha Valdis Dombrovskis, nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Europian.

Në mars 2023 inflacioni bazë arriti një nivel rekord prej 7.6%, ndërsa KE-ja shprehet se për të trajtuar rritjen e përgjithshme të çmimeve nuk është e mjaftueshme të mbështetet vetëm te Banka Qendrore Evropiane, e cila ka reaguar duke rritur normat e interesit për të ulur aktivitetin e investimeve.

“Politika fiskale nuk duhet të kundërshtojë politikën monetare. Prandaj, ne po bëjmë thirrje për një qëndrim më të kujdesshëm fiskal të shteteve anëtare”,- theksoi Dombrovskis.

Reduktimi i shpenzimeve publike duhet të ndodhë kryesisht duke hequr gradualisht masat e ndihmës energjetike të marra nga vendet e BE-së për të mbrojtur qytetarët e tyre nga rritja e çmimeve të energjisë pas nisjes së konfliktit në Ukrainë.

“Si hap i parë, kjo do të thotë që shtetet anëtare duhet të mbyllin masat mbështetëse në lidhje me goditjen e çmimit të energjisë dhe këto kursime duhet të përdoren për reduktimin e deficiteve, jo për më shumë shpenzime”, tha Dombrovskis.

Ajo që nuk duhet të shkurtohet, sipas Komisionit Europian, janë investimet publike, të cilat KE-ja i sheh si të nevojshme, pasi Europa dëshiron të arrijë neutralitetin klimaterik dhe të përmirësojë konkurrencën e saj. (Irma)