Shkurtimet e vendeve të punës godasin në masë sektorët në Europë
2023-05-26 11:44:05

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shumë kompani në Europë janë detyruar të shkarkojnë punonjësit, të ndikuara nga inflacioni, rritja e normave të interesit dhe perspektiva e paparashikueshme ekonomike.

Shkurtimet e vendeve të punës kanë shënuar rritje në kontinentin europian, veçanërisht me vendimet e fundit të kompanive të telekomunikacionit.

Këto vendime po prekin pothuajse çdo sektor në Europë, veçanërisht teknologjinë, prodhimin dhe automobilat, citon “ATSH”.

Javën e kaluar, “Vodafone” njoftoi se gjatë tre viteve të ardhshme do të heqë nga puna 11 mijë punonjës, për të ulur kostot dhe për të përshpejtuar rritjen. Kompania, e cila ka 104 mijë punonjës në mbarë botën, njoftoi se në muajin mars planifikon të shkarkojë 1 mijë punonjës në Itali dhe 1300 të tjerë në Gjermani.

Kompania “BT”, e cila gjithashtu dëshiron të ulë kostot e saj, po planifikon që deri në vitin 2030 të shkarkojë nga puna 40 mijë deri në 55 mijë punonjës.

Numri i përgjithshëm i punonjësve të saj do të ulet nga 130 mijë në 75-90 mijë deri në vitin 2030.

Prodhuesi suedez i pajisjeve të telekomit “Ericsson” gjithashtu do të shkurtojë numrin e punonjësve në mbarë botën me 8500, ndërsa prodhuesi zviceran i aksesorëve kompjuterik “Logitech” njoftoi se do të shkarkojë nga puna 300 persona.

Edhe “Nokia” planifikon të pushojë nga puna 208 punonjës.

Lista e shkurtimeve do të prekë edhe kompanitë më të njohura të automobilave, si “Volvo”, “Peugeot”, “Citroen”, “Fiat”, “Jeep”, “Alfa Romeo” dhe “Maserati”.

Kompania suedeze “Volvo” planifikon të riorganizojë operacionet e prodhimit të autobusëve dhe të shkarkojë nga puna 1600 punonjës. (Irma)