“Greenpeace”: Plastika e ricikluar mund të jetë më toksike dhe nuk është zgjidhje për ndotjen
2023-05-26 10:28:15

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Riciklimi i plastikës mund ta bëjë atë më toksike dhe nuk duhet të konsiderohet një zgjidhje për krizën e ndotjes, ka paralajmëruar organizata “Greenpeace” përpara raundit të fundit të negociatave për një traktat ndërkombëtar të plastikës.

“Plastikat janë në thelb të papajtueshme me një ekonomi ricikluese”, thuhet në një raport të organizatës globale mjedisore.

Raporti vjen pasi një studim i veçantë ka gjetur se shpërbërja e plastikës për riciklim shpërndan ndotjen mikroplastike në mjedis, përcjell “RTSH”.

Përfaqësuesit nga 173 vende vitin e kaluar ranë dakord të zhvillojnë një traktat ligjërisht të detyrueshëm që mbulon ciklin e plotë të jetës të plastikës, nga prodhimi deri në asgjësimin, që do të negociohet gjatë dy viteve të ardhshme. Javën e ardhshme ata do të takohen në Paris, për bisedimet që tashmë janë kritikuar për përjashtimin e komuniteteve në vendet në zhvillim të dëmtuara nga hedhja dhe djegia e mbetjeve plastike, si dhe mbledhësit e margjinalizuar të mbetjeve, të cilët janë thelbësorë për riciklimin. Pa këto zëra, frika është se negociatat do të ndikohen nga interesat e korporatave, shkruan “The Guardian”.

“Industria e plastikës, duke përfshirë kompanitë e karburanteve fosile, petrokimike dhe të mallrave të konsumit, vazhdon të paraqesë riciklimin e plastikës si zgjidhje për krizën e ndotjes plastike. Toksiciteti i plastikës në fakt rritet me riciklimin. Plastika nuk ka vend në një ekonomi ricikluese dhe është e qartë se e vetmja zgjidhje reale për t'i dhënë fund ndotjes plastike është reduktimi masiv i prodhimit të plastikës”, tha Graham Forbes, i cili drejton fushatën globale të plastikës së “Greenpeace” në SHBA.

Që nga vitet 1950 janë prodhuar rreth 8 miliardë tonë plastikë. Raporti i “Greenpeace” tregon kërkime të rishikuara dhe studime ndërkombëtare që tregojnë se jo vetëm një pjesë e vogël (9%) e plastikës riciklohet, por edhe se ato përfundojnë me përqendrime më të larta të kimikateve toksike, duke shumëfishuar dëmin e tyre të mundshëm për njerëzit, shëndetin e kafshëve dhe mjedisin.

Prodhimi i plastikës parashikohet të trefishohet deri në vitin 2060. Sipas “Greenpeace”, çdo traktat global i plastikës duhet të arrijë reduktime të menjëhershme domethënëse në prodhimin e plastikës, si hapi i parë në një rrugë drejt eliminimit total të prodhimit të plastikës.

“Ajo plastikë që mbetet duhet të ripërdoret sa më shumë që të jetë e mundur”,- bëri të ditur “Greenpeace”. (Irma)