Pamje nga Ksamili (Foto Albinfo)
Viti 2022 ishte viti më i mirë historik i turizmit në Shqipëri, ku numri i hyrjeve të vizitorëve arriti rekordin e 7.5 milionë vizitorëve të huaj deri më 31 dhjetor 2022, duke tejkaluar periudhën e para pandemisë nga Covid-19. Në nivel të të ardhurave, turizmi, së bashku me transportin turistik dhe me sektorin e pijeve dhe ushqimit(bar-restorante), paraqitet industria e parë e vendit, duke ia kaluar sektorit të ndërtimit.
Sipas ekspertit të turizmit, Besnik Vathi, turizmi për këtë vit do të vijojë rritjen dhe do të ketë shifra më të mira se sa turizmi i vitit të kaluar.
CMG: Sipas disa operatorëve turistikë, për muajin prill, prenotimet e turizmit të organizuar për sezonin veror të këtij viti ishin 35 përqind më të larta se gjatë vitit 2022. Për turizmin individual 15 përqind më të larta. Ka vijuar kjo situatë edhe gjatë këtij muaji? Do të presim më shumë se 7 milionë vizitorë të huaj këtë vit, sa ishte shifra rekord e vitit të kaluar?
Besnik Vathi në intervistë për CMG
Besnik Vathi: Viti 2023 është viti i parë pas pandemisë, që është vit i plotë, pa shtrëngime. Kjo, pasi gjatë vitit të kaluar, viti 2022 vërtet mund të quhet viti i parë pas pandemisë, por shtrëngimet dhe kufizimet ishin deri nga fundi i majit 2022. Kështu që çdo rritje që ne shohim këtë vit, në raport me vitin e kaluar, natyrshëm që nuk është i krahasueshëm me një situate hapjeje të plotë.
Prandaj, edhe shifrat 35 përqind më të larta apo 20 dhe 15 përqind, nuk mund t’i konsiderojmë rritje reale, në kushtet kur krahasohen me një periudhë që kishte shtrëngime.
Kjo është e para. E dyta, ka vërtet një tendencë rritjeje të shifrave të rezervimeve, jo vetëm për pushimet verore, pra për turizmin e plazheve, por edhe për llojet e tjera të turizmit.
Edhe turizmi historik dhe kulturor, këtë vit kishte pranverë, ndryshe nga viti i kaluar i shtrëngimeve. Vjet nuk kishte pranverë turistike. Këtë vit, turizmi historik dhe kulturor do t’i ketë sezonet e plota, pra pranverën dhe vjeshtën. Do të ketë fluks edhe gjatë verës, por më të ulët, siç e ka gjithmonë.
Viti 2023 është vit më i plotë, dhe të gjithë ata faktorë që kanë ndikuar gjatë vitit të kaluar, vazhdojnë të jenë në rritje të pritshme edhe për këtë vit.
CMG: Çfarë ka ndryshuar, në gjykimin tuaj për mirë, në ofertën e turizmit të sezonit të verës, për këtë vit?
Besnik Vathi: Nuk ka ndonjë ndryshim oferta jonë e verës, në krahasim me vitin e kaluar. Ka shtesa të disa hoteleve. Natyrshëm, në raport me vitin e kaluar, problemi i fuqisë punëtore nuk vazhdon të jetë aq i theksuar dhe i mprehtë, sa ishte gjatë vitit të kaluar. Pra, ka një përmirësim.
Fuqia punëtore mbetet sërish problem në shumë sektorë të hotelerisë. Megjithatë, besoj se ky vit do të jetë vit më i lirë edhe për çmimet, në kushtet kur çmimet e karburantit kanë pësuar ulje. Pra, mund të themi se ka një lehtësim të situatës së çmimeve, në raport me vitin e kaluar, i cili ishte një vit me çmime me tendencë në rritje.
CMG: Përmendët çmimin e karburantit, që është një nga zërat kryesorë të shpenzimeve të industrisë turistike. Shifrat nga INSTAT flasin për dyfishim të numrit të turistëve nga Azia për tremujorin e parë të këtij viti, në krahasim me janar-mars të vitit 2022. Ju ishin përpara pak kohësh në Mumbai, Indi. Keni qenë dhe në një panair në Pekin. A janë shanse të mira për ne këto tregje, sidomos për turizmin historik dhe kulturor, që ju e thatë se do të ketë një vit të plotë këtë vit?
Besnik Vathi: Ne e theksuam që vitin e kaluar kishte shtrëngime. Kur vjen puna për turizmin aziatik, vitin e kaluar ky treg ishte komplet i mbyllur. Vitin e kaluar Kina ishte treg i mbyllur gjatë gjithë vitit. Vendet e Azisë janë në turizmin tonë të pranishme me hapjen e parë, pra që nga janari i këtij viti dhe në vazhdim.
Shpresojmë që edhe për Shqipërinë, prania e tyre të jetë një burim i madh rritjesh të shifrave të turizmit në vend. Kjo, pasi turizmi aziatik u rikthye në situatën e para pandemisë, Natyrshëm që do ta ketë shumë më të rritur interesin, duke qenë se është viti i parë pas pandemisë për ta, dhe do të ketë një rritje të interesit për të udhëtuar jashtë vendit.
Kur vjen puna për turizmin e Indisë, shumë gjëra ne nuk i kontrollojmë dhe nuk i besojmë. Ndërkohë, turizmi i Indisë është turizmi me rritjen më të madhe në Azi, për vitet e fundit. Shpresojmë që edhe Shqipëria të përfitojë nga kjo rritje e madhe që ka turizmi indian drejt vendeve të tjera.
Shpresojmë gjithashtu që edhe Kina, në kushtet kur u lehtësuan procedurat dhe u hoqën vizat për tregun kinez.
Bregdeti shqiptar (Foto A2CNN)
CMG: Ky është një lajm shumë i mirë, pse është një treg me një potencial të jashtëzakonshëm.
Besnik Vathi: Po, është një lajm shumë i mirë. Pavarësisht se u hoqën për tregun kinez, ato u kufizuan për tregun indian. Nëse gjatë vitit të kaluar, kishte një hapje gjatë verës, këtë vit procedurat u kufizuan.
Ka ngandonjëherë veprime, ndoshta edhe të detyruara nga kushtet e Bashkimit Evropian, por që shpesh shkojnë në kundërshtim me tendecat e rritjes që kanë turizmet e vendeve të ndryshme.
CMG: Sipas operatorëve turistikë, ka për këtë vit më pak pronotime nga vendet skandinave. Ka të vërtetë në një pretendim të tillë? Në rast se po, a përbën kjo një këmbanë alarmi, pasi aksesi me katër destinacione fluturimi për këto vende është i konsiderueshëm?
Besnik Vathi: Unë nuk besoj se është një shenjë masive. Vërtet një, dy apo tre operatorë turistikë mund të kenë rënie të interesimit të turistëve skandinavë, por, nga ana tjetër, këtë duhet ta shohim në shifrat totale që fiton vendi, dhe jo në thjesht humbjet e një apo dy operatorëve turistikë. Kjo, pasi në kushtet që jemi, janë katër qytete të vendeve skandinave, që kanë fluturime direkte për në Shqipëri, në një kohë kur në vitin 2019 nuk ka qenë asnjë vend skandinav që të kishte fluturim direkt për tek ne. Pa përmendur këtu edhe fluturimet çartër që ka nga vendet skandinave.
Nëse ata kanë filluar të udhëtojnë në mënyrë individuale, apo të organizuar, me grupe, apo të organizuar me agjensi udhëtimi, ky është problem jo shumë i ndjeshëm për vendin. Vërtet humbasin një ose dy operatorë, por fiton hoteli, fiton muzeu, fitojnë ato vende që Shqipëria i ka me shumicë tërheqëse edhe për turizmin individual, i cili zgjedh të rezervojë edhe online, edhe nëpërmjet platformave të shumta që ka sot në botë.
CMG: Ju keni qenë në një panair turistik në Pekin. Ndërkohë kanë qenë edhe dy panaire të mëparshme, me prani të operatorëve turistikë, ai i Kantonit dhe së fundmi i Ningbo-së në Kinën Lindore. A mos ka ardhur koha që shoqatat tona të industrisë turistike, së bashku me qeverinë, ta mendojnë seriozisht që për disa tregje shumë premtuese, siç është ai aziatik, kinez apo indian, të mund të realizohet një pjesëmarrje e organizuar e operatorëve tanë turistikë, ndoshta dhe e mbështetur nga shteti?
Besnik Vathi: Tek ne duhet të përfundojë drejtimi empirik i administratës shtetërore për turizmin. Them empirik, pasi nuk mund të merren më vendime, bazuar në konceptet apo ndjesitë personale që ke për menaxhimin, pa pyetur dhe pa parë eksperiencat e shumta që janë të pranishme.
Nëse ne flasim për panairet, unë mund të marr dy shembuj të dy vendeve në rajon. Është Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Madje, duke shtuar edhe Malin e Zi. Janë vendet me pjesëmarrjen më të gjerë, në shumicën e panaireve që organizohen në botë. Për shembull, në Mumbai të Indisë, stenda e Bosnje-Hercegovinës nuk mungonte. Jo një stendë e vogël, por një stendë ku kishte 10 apo 15 operatorë që merrnin pjesë. Bosnje-Hercegovina nuk mungonte as edhe në Panairin e Dubait. Aty Shqipëria mungonte si vend pjesëmarrës. Mund të kishte operatorë privatë individualë, por Shqipëria si institucion, me një strukturë që të niset të bëjë promovimin e vendit, kjo strukturë mungonte. Nuk ishte e pranishme.
Prandaj theksoj se duhet të merren vendime të bazuara në profesionalizëm, në analiza, në shembuj konkretë që kanë vendet e tjera, duke kaluar nga ai stadi empirik në stadin profesional, për të menaxhuar një industri të tillë, të cilën aktualisht pretendon ta kesh vend kampion në Ballkan dhe pretendon po ashtu, që të kesh shifra të larta në të ardhura dhe në numër vizitoresh. Po nuk mund të arrihen këto shifra, në një kohë kur mungon drejtimi profesional i strukturave përgjegjëse për nxitjen e rritjes së turizmit në vend.
Pamje nga Saranda (Foto TiranaNews)
CMG: Ju e thatë me të drejtë, nuk është një betejë shifrash e numrit të vizitorëve të huaj që vijnë në vendin tonë, por është sfida jonë e përbashkët që të zgjatet periudha e qëndrimit të një vizitori në Shqipëri. Si e shihni këtë sfidë të përbashkët jo vetëm për këtë sezon veror, për këtë vit, por edhe për vitet e ardhshme?
Besnik Vathi: Po e nis nga shifrat. Ne të gjitha analizat i marrim nga Instituti i Statistikave. Ngulmoj në qasjen empirike të strukturave përgjegjëse. Këto shifra duhet të analizohen nga Ministria e Turizmit dhe ne çdo muaj duhet të marrim buletinin, jo nga Instituti i Statistikave, por nga analizat profesionale, që duhet jo thjesht Ministria t’i bëjë. Nëse vetë nuk do të jetë në gjendje, duhet të ngarkojë specialistë dhe ekspertë të fushës, të organizojë vrojtime me zgjedhje dhe të bëjë sondazhe. Sikurse bëhen 15-20 sondazhe për zgjedhjet, mund të bëhet një sondazh në kufi, për të përcaktuar saktë dhe për të pastruar ato shifra që ne i kemi me bollëk e të mëdha në numër, por që përmbajnë parregullsi dhe gabime. Këto na bëjnë shpesh herë të ndihemi të dyzuar se sa reale është një shifër, apo një shifër tjetër.
Nisur nga totali i shifrës 7 milionë e gjysëm vizitorë të huaj për vitin e kaluar, për shembull, në një kohë kur nga Kosova, përmes Shqipërisë kanë shkuar në Malin e Zi 200 mijë turistë. Këta vizitore të huaj kalojnë dy herë përmes Shqipërisë, kur shkojnë dhe kur kthehen nga pushimet në Mal të Zi. Ne rregjistrojmë 400 mijë vizitorë të huaj në Shqipëri, në një kohë kur këta shpenzimet kryesore i kanë bërë në Malin e Zi.
Pa u pastruar shifrat tona nga vizitorët që vijnë tranzit, nuk do të kemi një situatë të qartë. Po ashtu, kemi rastin e shqiptarëve që banojnë jashtë dhe vijnë për pushime në Shqipëri. Ata nuk harxhojnë shumë, por sjellin remitanca, dërgesa parash për familjet e tyre këtu. Ata nuk sjellin të ardhura me shumicë në industrinë tonë të turizmit. Sjellin natyrshëm remitanca për të afërmit e tyre. Pra këto të ardhura duhet të kanalizohen dhe rregjistrohen si remitanca, dhe jo si të ardhura nga turizmi.
Një shqiptar që banon emigrant jashtë, kur kthehet në Shqipëri, kthehet tek shtëpia që ka këtu, apo tek prindërit dhe të afërmit. Nuk banon në hotel. Ai nuk angazhon asnjë të punësuar në industrinë hoteliere.
Në këto kushte, do të duhet që, edhe kur të themi se polakët përbëjnë numrin më të madh të ardhjeve në Shqipëri, të shohim krahasimin. Në 7.5 milionë vizitorë të huaj, 200 mijë polakë që vijnë çdo vit janë asgjë. Atëhere sa turistë të huaj të mirëfilltë kemi ne?
Po të mos bëhen analiza nga Ministria e Turizmit, të të dhënave ekzakte, duke pastruar shifrat dhe duke dhënë konkluzione të qarta mbi tendencat dhe origjinën nga vijnë turistet, nuk do të arrijmë as në shtimin e kohës së qëndrimit të turistëve në Shqipëri dhe as në zgjerimin dhe shtrirjen më të madhe në kohë të sezonit turistik veror. Ne na duhet të zhvillojmë llojet e ndryshme të turizmit, për ta kthyer Shqipërinë në një turizëm gjithëvjetor. Do na duhet së pari të zhvillojmë analiza të sakta të asaj që kemi. Të dhënat nga Instituti i Statistikave duhen analizuar në thellësi.
Turistë britanikë në Portin e Sarandës (Foto Shqiptarja.com)
CMG: Ju e thatë dhe në fillim të bisedës sonë se ky vit do të jetë një vit i mirë turistik. Por realisht, sa më i mirë nga viti 2022?
Besnik Vathi: Unë shpresoj që ky vit të jetë edhe 10-15 përqind më mirë se sa viti i kaluar. Kjo, pasi, siç thashë, ka një pranverë të plotë, të pandikuar nga efektet e mbylljes, që ishin gjatë vitit të kaluar. Për pjesën tjetër të vitit, është një situatë premtuese, pasi të njëjtët faktorë që na rritën gjatë vitit 2022, vijojnë të jenë të pranishëm edhe këtë vit.
Intervistoi Fatos Çoçoli