Një rrugë me emrin "Ismail Qemali" në New York
2023-05-25 10:26:06

Sipërmarrësi i sukseshëm Naser Nika është  pranë realizimit të një ndër arritjet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në SHBA. Emërtimi i rrugës në Staten Island, New York, për nder të Ismail Qemalit do të jetë një moment i paharrueshëm për komunitetin shqiptar.

Kjo ceremoni do të bëjë bashkë qindra shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora.
Nika është duke punuar me përfaqësuesit e Staten Island që gjuha shqipe të mësohet si gjuhë e dytë në ato shkolla ku ka një numër të konsiderueshëm të nxënësve shqiptarë. Këto janë vetëm disa nga angazhimet e veprimtarit njohur Naser Nika, i cili punon fort për tejçimin e vlerave kombëtare.
Në një ceremoni emocionuese që do të zhvillohet më 3 qershor, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York  do të festojë momentin historik emërimin e rrugës “Ismail Qemalin”. Në një intervistë për Radio Ejani veprimtari Nika flet për këtë veprimtari

CMG: Si lindi ideja për të ndërmarrë një hap të tillë?

Naser Nika:  Çdo vit e më tepër që në momentin kur ne jemi bërë bashkë si diasporë shqiptare, kemi arritur të njohim pikat e forta dhe pikat e dobta të diasporës shqiptare dhe një ndër pikat e dobta është edhe historia. Ne e duam dhe e vlerësojmë këtë të fundit si gjënë më të shtrenjtë që Shqipëria ka. Të gjitha vlerat dhe kulturat tejçohen përmes  historisë, ajo është urë lidhëse ndërmjet historisë dhe traditës së kaluar, e cila në një formë apo në një tjetër na afrohet më tepër përmes historisë.

CMG:Si e zgjodhët figurën e Ismail Qemalit?

Naser Nika: Ismail Qemali është një figurë e cila nuk ka shumë nevojë të mendohesh, është figurë emblemë për shtetin tonë duke kontribuar në historinë dhe kulturën shqipe. Të zgjedhësh këtë figurë për mua është nder dhe është krenari e madhe që të jem një ndër këta nismëtarë.

CMG: Ju keni bërë edhe tentativa të tjera për gjuhën shqipe, apo jo?

Naser Nika: Gjuha shqipe është e bekuar dhe ka nevojë të mësohet dhe mos të harrohet nga brezat. Jemi në kushtet kur të rinjtë po rriten të paedukuar me gjuhën e tyre të lindjes, ndaj edhe unë e kam iniciativë personale këtë gjë. Të ngrej struktura që të bëjnë të mundur se të paktën aty në zonat dhe shkollat më të frekuentuara të New Yorkut, të futet lëndë e dytë gjuha shqipe. Fëmijëve nuk u duhet hequr mundësia për të bërë gjëra të bukura dhe një ndër to është të mësohet gjuha shqipe.

CMG: A e patët mbeshtetjen e duhur për ta bërë këtë gjë të mundur ?

Naser Nika: Mbështetja është gjithçka që i duhet gjithkujt kur i duhet të marrë përsipër angazhime të tilla me ndikim të lartë historik dhe emocional.

Për fatin e mire të komunitetit shqiptar këtu, të gjithë ne jemi ndjerë të mbështetur dhe tepër komodë në këtë hap. Ndërsa edhe institucionet e kanë pritur mirë pasi ne këtu jemi një komunitet shumë i madh dhe tepër i bashkuar. Nuk është nisma e parë që bëjmë dhe absolutisht e fundit, pasi qëllimi ynë është të mbrojmë dhe garantojmë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

CMG: Si keni menduar ta organizoni të gjithë aktivitetin?

Naser Nika: I gjithë eventi do të mirëpresë shqiptarë  nga vende të ndryshme ku ata punojnë dhe veprojnë dhe në këtë formë të gjithë do të festojnë emrin e një rruge të re, e cila do të shkruhet "Ismail Qemali". Kemi biseduar edhe me Shqipërinë për të pasur përfaqësi të ndryshme, të cilët do të jenë krah komunitetit te madh të shqiptarëve në Diasporë.

CMG: Çfarë kanë thënë fëmijët apo familjarët tuaj për këtë nismë kaq të rëndësishme?

Naser Nika: Familjarët e mi ende edhe sot nuk kanë arritur që të besojnë këtë hap sepse të gjithë janë të emocionuar që do të ndodhë diçka e tillë. Por, janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj pasi do të jetë një hap që do të ndikojë edhe tek ata.

CMG: A keni një mesazh për të gjithë ata që na ndjekin?

Naser Nika: Po! Ta duan vendin dhe ta respektojnë kulturën e tyre. Babai im ma ka trashëguar denjësisht dashurinë e kulturën për vendin dhe kjo gjë duhet të ndodhë tek të gjithë. Fëmijët duhet të edukohen me vendin e tyre.

Intervistoi: Megi Latifi