Udhëtimi i kantautorit Shpat Deda, në fjalë e tinguj
2023-05-25 10:17:30

Në koncerte Shpat Deda  erdhi bashkë me  mjeshtrin instrumentist Visar Kuçi, me producentin Tomor Kuçi dhe me të ftuar speciale këngëtaren Edona Vatoci. Koncerti recital erdhi në një format ndryshe, duke sjellë për herë të parë për publikun e gjerë të Tiranës poezinë e tij të gërshetuar me një përvojë bashkëkohore. Pas kërkesave të shumta, ai solli  dy koncerte për dy netë me rradhë, për adhuruesit e muzikës së tij. Shpati në rrjetet sociale i premtoi publikut se do të sillte pa doreza përjetimet e tij të mëdha, dashuritë e jetuara e të humbura, lotët dhe ëndrrat. Kjo gjë e bënte edhe më të veçantë përçimin e emocionit në publik.

Në program ndërthureshin disa elemente, fizarmonika, violina, kitara e zëri, duke sjellë një spektakël të vërtetë muzikor.

5 vite më parë, kantautori realizoi  në Tiranë turneun koncertor “Ambël e thartë”, me rastin e dhjetë vjetorit të karrierës së tij muzikore. Tejet unik në stilin e tij muzikor, ai u rikthye  në Tiranë me “Udhëtim në fjalë e tinguj”.

Partneri mediatik i koncertit ishte “Top Channel” të cilët realizuan xhirimet e recitalit të kantautorit Shpat Deda.

Për media tai është shprehur:

“Ndjej një përgjegjësi shumë të madhe përpara publikut, për të dhënë mbrëmje të paharrueshme dhe mora një përgjigje fantastike nga publiku i Tiranës pasi u shitën të gjitha biletat e të dy netëve. Është një mbrëmje me muzikë, me poezi, me të ftuar speciale Edona Vatocin, një trup baleti përgatitur nga koreografi  Gentian Doda. Për këtë koncert është një program muzikor, të cilin e kam krijuar unë bashkë me vëllezërit artistë Visar dhe Tomor Kuçi bazuar në këngët e mia, kryesisht të albumit të tretë, por edhe këngë të cilat publiku i do shumë. Është një formacion i cili nuk është luajtur në Tiranë më herët, por është luajtur në dhjetor me këtë formacion. Është një program që e kemi testuar dhe e dimë sesi e pret publiku, jo më kot e kam quajtur “Udhëtim në fjalë e tinguj”, sepse është një udhëtim në muzikë, një udhëtim në poezi, në këngët e mia dhe një udhëtim që të bën të thellohesh. Është një ëndërr shumë e bukur, një udhëtim që po vazhdon e po më jep emocione të paharrueshme në jetë. Është një rikthim i veçantë për mua në Top Channel, në një moment shumë të rëndësishëm për mua si këngëtar dhe si kantautor, i pari ai që jam paraqit për herë të parë për publikun, ku kam qenë shumë i ri e nuk kam ditur se çfarë po bëja. E tani pas 15 vjetëve e di pak më mirë se çfarë jam duke bërë,  e po vij me diçka shumë ambicioze, me partner mediatik sërish Top-Channel që do bëjnë edhe xhirimin e koncertit dhe është një falenderim për gjithë grupin dhe në veçanti edhe për mikun tim Ledion Liçon, për gjithë këtë gadishmëri dhe bashkëpunim,” ka përfunduar kantautori Shpat Deda.

Biografi

Shpat Deda është këngëtar dhe autor këngësh mjaft i suksesshëm. Në moshën 18 vjeçare, ndërsa ndiqte studimet për biznes në Bullgari, u bë pjesë e grupit “Quiet Hours”. Gjatë universitetit, ai pati mundësi të realizonte krijimet e tij të para. Prezantimi si këngëtar për publikun e gjerë, ishte në emisionin “Unplugged” në Top Channel, e më pas në prezantimin e tij në festivalin muzikor “Top- Fest 5”, ku triumfoi me çmimin  “Best New Artist”. Kënga e tij “Ëndërroj” u kthye në një ‘hit’. Shpat Deda, një artist që të gjithë e njohin për stilin e tij të veçantë në interpretim,  përcjell  mjaft emocion nëpërmjet tingujve të muzikës që krijon. Ai është një artist që e njeh shumë mirë skenën, e zotëron atë, e ndjen këngën duke kultivuar një shije të re tek audienca.  Shpati jeton në Kosovë, por lidhja me Tiranën  për të është mjaft e hershme, pasi gjyshja e tij është nga Tirana. Kjo e ka bërë artistin që të vijë shpesh dhe të jetë i dashuruar me Tiranën. Sipas artistit në planet më të afërta është ripërpunimi i një kënge, të cilën pret ta sjellë së shpejti.

Sava Lena