
Foto nga VCG
Qeveria italiane do të japë 2 miliardë euro për dëmet që shkaktuan përmbytjet në zonën e Emilia-Romagna. Këshilli i Ministrave miratoi të martën dekretin për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq, bën të ditur “RTSH”.
“Dëshiroj të flas për masat e miratuara, të cilat ofrojnë përgjigjet e para të rëndësishme për zonat e prekura nga përmbytjet në Emilia Romagna. Ky dekret përfshin ndërhyrjet e para urgjente dhe shumë thelbësore për zonën. Dekreti parashikon pezullimin e afateve në lidhje me pagesat e taksave dhe sigurimeve shoqërore deri më 31 gusht.
Në përgjithësi, kjo dispozitë e parë parashikon një ndarje prej mbi 2 miliardë eurosh për zonat e prekura nga përmbytjet. Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Italia, të gjesh 2 miliardë euro brenda pak ditësh nuk është një gjë e lehtë”,- tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Meloni saktësoi se do të ketë një fazë rindërtimi.
Nga përmbytjet në Itali humbën jetën të paktën 15 persona dhe mbi 26 mijë të tjerë u detyruan të evakuoheshin. (Elona)
