Danimarka planifikon të bëhet fuqia e energjisë së gjelbër të Evropës
2023-05-25 14:48:31

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Parlamenti danez ra dakord të martën mbi kushtet e pronësisë dhe funksionimit të tubacioneve të përdorura për transportimin e hidrogjenit nga termocentralet PtX (Power-to-X) te konsumatorët si brenda dhe jashtë vendit, njoftoi Ministria e Klimës, Energjisë dhe Shërbimeve Komunale.

Kompanitë shtetërore të vendit: “Energinet”, kontrollues i infrastrukturës energjetike, dhe “Evida”, një kompani furnizimi me energji, do të zotërojnë tubacionet dhe të dy kompanitë do të përdorin ekspertizën e tyre në infrastrukturën ekzistuese të gazit.

Sipas ministrisë, marrëveshja është një moment historik i rëndësishëm në përpjekjet e Danimarkës për të pozicionuar vendin si qendrën e energjisë së gjelbër të Evropës, citon “Xinhua”. Marrëveshja u jep gjithashtu të drejtë subjekteve private që të zotërojnë dhe operojnë tubacione hidrogjeni të përcaktuara.

Ministri i Klimës, Energjisë dhe Shërbimeve, Lars Aagaard, tha se Danimarka ka plane ambicioze për zgjerimin e energjisë së erës në det të hapur, e cila mund të gjenerojë sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike të gjelbër. “Këto alternativa të rinovueshme kanë potencialin për të zëvendësuar lëndët djegëse fosile në Danimarkë dhe për t'u eksportuar në industrinë gjermane”,- tha Aagaard në deklaratën për shtyp.

Marrëveshja vjen pas nismave të tjera të qeverisë daneze, e cila tashmë ka ndarë 1.25 miliardë korona daneze (181 milionë dollarë amerikanë) për të nisur prodhimin e hidrogjenit të gjelbër në vend. (Elona)