Numri i popullsisë nuk e ndryshon statusin e Fuqive të Mëdha!
2023-05-25 23:22:57

Bota ka shkuar në tetë miliardë banorë. Njerëzimi nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh! Por një në tre prej këtyre banorëve jetojnë në dy shtete, në Republikën Popullore të Kinës dhe në Indi. Prej vitesh këto dy vende kanë qenë afër njëra-tjetrës për numrin e popullsisë. Por u bë me dije se India për herë të parë kapërceu në vendin e parë me 1,4286 miliard, ndërkohë që Kina arrin në 1,4257 miliard banorë. Diferenca është diku te 29 milion banorë, ose afërsisht aq sa popullsia e rajonit Tajvan të Kinës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shkaqet e rritjes së popullsisë dhe kapërcimit të numrit të banorëve të Kinës nga ana e Indisë duhen kërkuar në politikat e kufizimit të lindjeve që qeveria e Pekinit prej shumë dekadash ka vendosur për qytetarët e saj. Për këtë arsye Republika Popullore e Kinës në fund të vitit të kaluar kishte 850.000 banorë më pak se një vit më parë. Edhe pse autoritetet kineze kanë rekomanduar shtimin e numrit të lindjeve nga një çift deri në tre fëmijë, kjo nuk ka ndikuar në rritjen e popullsisë. Mesa duket qytetarët kinezë kanë krijuar një traditë familjare të një ose dy fëmijëve, sipas rregullave të vendosura që në periudhën e qeverisjes së Mao Ce Dunit e më vonë dhe e kanë të vështirë të heqin dorë nga ajo traditë.

India nga ana e saj që prej vitit 1952 kishte kërkuar që shoqëria indiane të emancipohet përmes krijimit të familjeve të vogla, por pa përcaktuar asnjëherë numrin e fëmijëve për çiftet e martuara. Përkundrazi, në Kinë politika “Një çift – një fëmijë” e kufizoi shumë rritjen e popullsisë. Në vitin 2016 presidenti Xi Jinping dhe qeveria kineze ndryshuan ligjin për numrin e fëmijëve, megjithatë kjo masë pati sukses vetëm në vitet e para. Vitet e fundit sërishmi kinezët nuk u ndikuan nga e drejta për të patur tre fëmijë në familje.

Por a do të thotë kjo se India me numrin më të lartë të popullsisë në botë tashmë është një vend më i zhvilluar dhe më i fuqishëm sesa Kina. Ata që besojnë këtë ose janë naivë, ose bëjnë lojën e luftës psikologjike me synim që të dy vendet t’i fusin në konflikt me njëra-tjetrën. Është absurd të besosh se kapërcimi i numrit të popullsisë me 0.2 për qind, por edhe më shumë, të bën automatikisht një vend më të fuqishëm e të përparuar sesa vendi tjetër. Në rastin konkret është iluzion të mendosh se India me kapërcimin e popullsisë së Kinës automatikisht ndryshon statusin e saj politik, ekonomik, ushtarak e strategjik në kontinentin aziatik e aq më pak në botë.

Foto:VCG

Banorë në kryeqytetin e Indisë, New Delhi(Foto:VCG)

Republika Popullore e Kinës ze vendin e tretë në botë për nga sipërfaqja me 9.596.960 km2. Ndërkohë India ka një sipërfaqe sa një e treta e Kinës, me 3.166.000 km2. Në këtë pikëpamje ajo zë vendin e shtatë në botë. Kjo bën që ndërsa Kina të ketë 148 banorë për km2, India arrin në 345 banorë për km2. Kjo do të thotë se resurset e Indisë për të zhvilluar jetën materiale e shpirtërore të qytetarëve të saj janë gati tri herë më të kufizuara se sa ato të Kinës, llogaritur thjesht nga raporti I sipërfaqes së tokës me numrin e banorëve.

Por fuqia ekonomike nuk bazohet te sipërfaqja dhe numri i popullsisë. Kriteri i vetëm i saj është vendi që zë secili vend në prodhimin e përgjithshëm shoqëror. GDP e Republikës Popullore të Kinës arrin në 17.7 trilion dollar amerikanë, ndërsa ajo e Indisë vetëm 3.2 miliard.  Që do të thotë se diferenca midis dy vendeve shkon në mbi 5 herë, gjë që ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në nivelin e mirëqenies materiale të qytetarëve, por edhe me ndikimin që këto vende kanë në ekonominë botërore. Kina zë vendin e dytë në botë, ndërsa India të gjashtin sa i përket produktit të përgjithshëm shoqëror. Një popullsi më e madhja në botë nuk mund të jetë konkurruese në tregun global dhe të shënojë domosdoshmërisht rritjen e fuqisë globale ose rajonale të një vendi. Ndërkohë që niveli i produktit të përgjithshëm shoqëror dhe i të ardhurave për frymë e bëjnë çdo vend në botë konkurrues në ekonominë botërore. Kësisoj nuk mundet të mendohet se një e dhënë sasiore e numerike e popullsisë përbën arsye për të hamendësuar ndryshimin e ndonjë ekuilibri në kontentin aziatik apo ndërkombëtar!

Foto:VCG

Foto:VCG

Megjithatë duhet thënë se problem social në pikëpamje të raportit midis të punësuarve dhe pensionistëve sipas statistikave është më i përkeqësuar në Kinë sesa në Indi. Politikat demografike të Pekinit kanë çuar në plakjen e popullsisë dhe raporte problematike midis moshës së tretë dhe forcave të afta për punë. Ndërsa politikat indiane kanë favorizuar ruajtjen e një mesatare optimale të moshës së popullsisë. Në Indi mosha mesatare është 30 vjeç, ndërkohë që në Kinë numri i pensionistëve shtohet në raport të zhdrejtë me shtimin e numrit të fuqisë së punës. Kjo mund të krijojë probleme sociale në të ardhmen, gjithësesi nuk është me ndikim në ekuilibrin e Fuqive të Mëdha.