INSTAT: Shporta ushqimore më e shtrenjtë, eksportet ulen 20% në prill
2023-05-25 11:03:51

Fruta-perime(Foto Monitor)

Fruta-perime(Foto Monitor)

Sipas raportit të publikuar nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) në muajin prill të këtij viti rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,4%, ndërkohë që kjo rritje në prillin e vitit të shkuar ishte 10%. “Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit  në muajin Prill 2023 është 5,0 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 9,4 % vërehet në grupin “Ushqime  dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,7 %, “Veshje  dhe këpucë”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0 % secili, “Pije  alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,9 % secili, “Shëndeti” me 2,5 %, “Shërbimi arsimor” me 2,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7 % dhe “Komunikimi” me  1,1 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3,9 %. “- thuhet ne publikimin nga INSTAT.

INSTAT(Foto Business Magazine Albania )

INSTAT(Foto Business Magazine Albania )

Ndërkohë në muajin prill 2023, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,2 %.

“Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe  mirëmbajtje” me 0,9 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 %,  “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,3 % secili, “Komunikimi” dhe “Hotele,  kafene dhe restorante” me 0,2 % secili, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,6 %.”- bën më dije raporti i INSTAT.

Në publikimet e fundit të Institutit të Statistikave jepen shifra edhe për tregtinë e jashtme. Rënia e euros ka ndikuar negativisht mbi treguesit e tregtisë së jashtme gjatë muajit prill. Sipas INSTAT eksportet janë ulur gati 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, ndërsa importet 3.9%. Fasoneria, dhe ndërtimi janë sektorët kryesorë më të goditur nga rënia e eskporteve. Në raportin e publikuar nga INSTAT mbi tregtinë me jashtë gjatë prillit rezulton se eksportet e mallrave arritën vlerën 34 miliardë lekë, duke pësuar ulje me 19.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me 19.3 %, në krahasim me marsin e 2023-shit.

“Importet e mallrave arritën vlerën 75 mld lekë, duke u ulur me -3,9 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -7,1 %, në krahasim me mars 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 41 mld lekë, duke u rritur me 14,1 %,krahasuar me prill 2022 dhe me 6,4 %, në krahasim me mars 2023. Duke qenë se Shqipëria, kryen pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare me vendet e Eurozonës, zhvlerësimi i Euros ka ndikuar në volumin tregtar, krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu, rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve, që kanë impakt në volumin tregtar, ka ndikuar në treguesit e eksport/importit për muajin prill 2023 krahasuar me një vit më parë.”- thuhet në raport.

Rritja e inflacionit (Foto Dosja.al)

Rritja e inflacionit (Foto Dosja.al)

Në këtë katërmujor të parë të vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 156 mld lekë, duke u ulur me -3,4 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 283 mld lekë, duke u ulur me -0,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti  vlerën 127 mld lekë, duke u rritur me 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

“Gjatë muajit prill 2023, në uljen e eksporteve prej -19,2 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale”me -10,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,6 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +0,2 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,2 pikë përqindje.”- thotë INSTAT.

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,9 pikë përqindje,“Produkte kimike dhe plastike” me -0,5 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -0,3 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,1 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje.

“Gjatë muajit prill 2023, në uljen e importeve prej -3,9 %, krahasuar me prill 2022, negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,9 pikë përqindje dhe “Prodhime druri dhe letre” me -0,9 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,8 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale ” me +1,0 pikë përqindje.”- behet më dije nga INSTAT.

Shporta e ushqimeve (Foto Politiko.al)

Shporta e ushqimeve (Foto Politiko.al)

Si katërmujor, importet janë ulur me 0,8 %, krahasuar me katërmujorin e parë 2022. Në muajin prill 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me prill 2022 janë: Italia (16,7 %), Gjermania (48.2 %) dhe Kina (59.9 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritje më të madhe, është: Greqi (5,9 %), Kosova (6,1 %) dhe Spanja (285,2 %).Ndërsa vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve. Në muajin prill 2023  janë: Itali (0,2 %),Turqi (42,4 %) dhe Greqi (14,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me prill 2022 janë: Kina (44,0 %), Gjermani (8,8 %) dhe SHBA (161,5 %).

Në prill 2023 inflacioni në rang europian pësoi rritjen më të lartë në Hungari me mbi 24%, Letoni me 15% dhe në Çeki me rreth 14%. Në krahun tjetër çmimet u rritën me ritme më të ulëta në Zvicër me pak mbi 2%, Luksemburg, Spanjë, ku çmimet janë rritur me pak se 4%. ndërsa mesatarja e BE është 8.1%. Shqipëria renditet ndër 7 vendet e Bashkimit Europian me inflacionim më të ulët në prill.