Kina i kërkon Izraelit të ndalojë përvetësimin e tokës dhe burimeve palestineze
2023-05-25 21:15:24

CFP

CFP

Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, i bëri thirrje Izraelit të ndalojë përvetësimin e tokës dhe burimeve palestineze.

"Ne i kërkojmë Izraelit të ndërpresë menjëherë këto veprime dhe të ndalojë përvetësimin e tokës e të burimeve të popullit palestinez," tha Geng në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit për gjendjen në Lindjen e Mesme, duke përfshirë çështjen palestineze.

Ambasadori theksoi se zgjerimi i paligjshëm i vendbanimeve në territoret e pushtuara "duhet të ndalet".

"Ngritja e vendbanimeve shkel ligjin ndërkombëtar dhe rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit. Që nga fillimi i këtij viti, Izraeli ka vazhduar veprimet e njëanshme të miratimit të kthimeve, ndërtimit të vendbanimeve të reja dhe legalizimit të vendbanimeve," tha ai.

Më tej Geng u shpreh se statukuoja historike e vendeve të shenjta fetare në Jerusalem duhet të respektohet dhe të mbahet.

CFP

CFP

Më 21 maj, një zyrtar i lartë izraelit i sigurisë hyri në kompleksin e xhamisë "Al-Aqsa" për herë të dytë sivjet, duke sjellë rikthimin e tensioneve.

Që nga fillimi i këtij viti, mbi 100 palestinezë, duke përfshirë fëmijë, kanë humbur jetën në konflikt, ndërkohë që ka pasur edhe viktima civile izraelite. Geng u shpreh se "të gjitha palët duhet të ndalojnë dhunën ndaj civilëve dhe shënjestrimin e shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës të tjera publike."

"Gjendja e vështirë e refugjatëve palestinezë duhet të lehtësohet dhe duhen përmbushur nevojat ekonomike e të jetesës të Palestinës. Izraeli duhet të heqë bllokadën ndaj Gazës sa më shpejt të jetë e mundur. Qarkullimi i njerëzve dhe furnizimet e rindërtimit brenda e jashtë Gazës duhet të mos pengohen," shtoi ai.

Geng ritheksoi se Kina "do të vazhdojë ta mbështesë fuqimisht popullin palestinez dhe kauzën e tij të drejtë për të rikthyer të drejtat e veta të ligjshme kombëtare, dhe mbështet krijimin e një shteti plotësisht sovran dhe të pavarur të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet."