Asambleja e 76-të e OBSH-së, Manastirliu: Bashkëpunim për fuqizimin e burimeve njerëzore
2023-05-25 11:05:21

Pjesëmarrëse në punimet e Asamblesë së 76-të të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se po ndërveprojnë në nivel rajonal dhe më gjerë për të adresuar fuqizimin e ekipeve mjekësore brenda vendit.

Duke folur për sfidat shëndetësore të pas pandemisë, Manastirliu u shpreh se në Shqipëri janë bërë hapa përpara për sa i përket mbështetjes të sistemit shëndetësor, fuqizimit të tij, aspekteve që lidhen me kujdesin shëndetësor për sa u përket kategorive të cenueshme dhe gjithashtu adresimit të çështjeve që vijnë nga pandemia Covid-19, sikurse janë problematikat e shëndetit mendor, bën të ditur “ATSH”.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e 76-të të OBSH-së, ministrja Manastirliu tha se fokusi tashmë është drejtuar te sfida e mobilitetit të profesionistëve të shëndetësisë, ku së bashku me vendet anëtare të OBSH-së, vendet e rajonit dhe vendet evropiane, do të vijojnë bashkëpunimin për të adresuar këtë sfidë, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Në Asamblenë e 76-të të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, politikëbërës, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore, diskutuan mbi sfidat e sistemeve shëndetësore, impaktin e pandemisë në shëndetin e popullatës dhe nevojën për të bashkuar forcat për të garantuar përgatitje dhe përgjigje të shpejtë ndaj emergjencave shëndetësore si dhe rolin e teknologjisë dhe inovacionit në aksesin e shërbimeve shëndetësore. (Elona)