Sipërmarrësit afrikanë, partnerë me Kinën për sukses dhe rritje
2023-05-25 15:56:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Silas Musyoka ka punuar për pesë vjet si menaxher i rritjes së shitjeve në firmën kineze të tregtisë elektronike “Kilimall”, në Kenia.

“Ende po mësoj për sektorin gjithnjë në rritje të tregtisë elektronike në Kinë. Besoj se “Kilimall” do të ketë një ndikim të madh në formësimin e shumë ekonomive në Afrikë”,- tha 32-vjeçari Musyoka, i cili mori diplomën master në shkencat politike nga Universiteti Jinan në Guangzhou.

 

“Kilimall” është qendra kryesore tregtare në internet në Kenia. Ajo u krijua në vitin 2014 me moton “Burimi i jetëve për Afrikën” dhe ka më shumë se 10 milionë përdorues të regjistruar.

Kompania është ndër firmat e tregtisë elektronike që mbështet mundësitë premtuese të tregtisë midis Kinës dhe vendeve afrikane.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Musyoka tha se “Kilimall” e ka ndihmuar atë të kuptojë më mirë dinamikën e tregut dhe zinxhirit të furnizimit në vendin e tij dhe atë që duhet për të pasur sukses në industrinë e teknologjisë, e cila është ende në fillimet e saj në Kenia. Ai tha se ka dëshmuar se si tregtia elektronike i ka dhënë formë bizneseve lokale.

 

“Mendoj se kam ndikuar te shumica e bashkëmoshatarëve të mi që kërkojnë të fillojnë, krijojnë dhe rritin bizneset e tyre në Kenia. Jam munduar t’i trajnoj dhe udhëhequr ata në bizneset e tyre falë njohurive që kam fituar ndërsa punoja në Kilimall”, tha ai.

 

Musyoka fillimisht vizitoi Kinën si biznesmen dhe më vonë si student, duke bërë përparime në shkollë dhe në punë.

 

“Jeta në Kinë është me ritme të shpejta, ku duhet të përshtateni shumë shpejt me situatat në ndryshim. Përveçse asaj që mësohet në klasë, përvojat në tregje, fabrika, vendet historike dhe turistike dhe ndërveprimet me njerëzit kontribuojnë po aq shumë në përvojat mësimore”, tha ai.

 

Musyoka tha se Kina ka shumë për të ofruar për sa i përket njohurive, aftësive dhe teknologjisë.

 

“Ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë për të fituar aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të ndërtuar platforma të qëndrueshme të tregtisë elektronike në rajon”,- tha Musyoka.

 

Sipas tij, “Kilimall” ka qenë i dobishëm për përvojën e tij dhe shtoi se partneriteti Kinë-Afrikë ka shumë për të ofruar.

Ai tha se Kina është një partner i mirë për Afrikën për sa i përket plotësimit të boshllëqeve në zinxhirin e furnizimit dhe teknologjisë që është e nevojshme për të ndihmuar në rritjen e bizneseve të vogla në Kenia. Sipas tij, duke ndërtuar gjigantë të tregtisë elektronike, Kina ka njohuritë për të ndihmuar Afrikën të ketë të njëjtën përvojë.

 

“Kilimall”, e cila e konsideron veten një kompani keniane, u themelua nga Yang Tao, një ish-ekzekutiv marketingu për degën e një firme teknologjike kineze në Kenia.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompania ka zhvilluar tani qendrat e saj të marketingut, pagesave, shpërndarjes dhe shërbimet e klientit në Kenia, me ekipe operacionale dhe teknologjike të bazuara në Changsha, kryeqendra e provincës Hunan.

 

“Ne shpresojmë të shikohemi si përgjigjja e Afrikës për “Taobao” ose “JD.com”. Njohuritë e thella nga ekipet tona ekzekutive, të përbërë nga profesionistë veteranë kinezë të stacionuar në Afrikë, e kanë fuqizuar firmën tonë të kuptojë nuancat si në Afrikë ashtu edhe në Kinë, për të ndërthurur burimet nga të dy palët”, - tha Guan Jian, zv.president i “Kilimall”.

 

Sipas tij, “Kilimall” dyfishoi të ardhurat vitin e kaluar dhe është bërë një nga tre aplikacionet celulare më të shkarkuara të tregtisë elektronike në Kenia. Kompania po kërkon të nxisë tregtinë dypalëshe midis Kinës dhe vendeve afrikane, veçanërisht përmes eksportimit të më shumë mallrave afrikane, si kafeja, arrat, vera e kuqe dhe aloe vera në Kinë, për të përmbushur kërkesën për mallra konsumi me cilësi më të lartë.

 

Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, të ardhurat nga tregtia midis Kinës dhe Afrikës arritën në 137.4 miliardë dollarë, 16.6 për qind më shumë në bazë vjetore, sipas të dhënave nga Ministria kineze e Tregtisë. Importet nga Afrika në Kinë ishin 60.6 miliardë dollarë, një rritje prej 19.1 për qind në bazë vjetore. Eksportet nga Kina drejt vendeve afrikane ishin 76.8 miliardë dollarë, duke u rritur me 14.7 për qind në bazë vjetore.

 

Prania e “Kilimall” në Kenia ka ndihmuar në rritjen e tregtisë. Punonjësit lokalë të kompanisë dhe rrjetet e shpërndarjes në Kenia i shtojnë vlerën burimit të produkteve cilësore në Afrikë, tha Guan.

 

“Duhet ende kohë dhe përpjekje që konsumatorët kinezë të bëhen më të vetëdijshëm për vlerën e produkteve afrikane”,- shtoi ai.

 

Sipërmarrësit afrikanë kanë qenë entuziastë për dërgimin e më shumë mallrave në Kinë. Njagi Kevin Murimi, 30 vjeç, i cili startoi “Changsha Connect Trade Co Ltd” katër vjet më parë, tha se vizitoi Kinën për të studiuar tregun e madh të saj.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Murimi tha se popullsia e Kenias është pothuajse e njëjtë me atë të Hunanit. “Kina ka ofruar një treg të madh për mua”,- tha ai.

 

Pasi studioi dhe punoi në Changsha për vite me radhë, Murimi kombinoi atë që kishte mësuar atje me teknologjinë dhe politikat e avancuara të Kinës, vlerën e monedhës së saj dhe disponueshmërinë e produkteve në Kinë.

 

Vitin e kaluar, vëllimi tregtar i firmës së Murimit ishte rreth 400.000 juanë (56,903 dollarë). Kompania e tij eksporton kryesisht manikyrin, paruke dhe pajisje elektronike në Afrikë. Bestsellerin e tij, manikyrin, ai e eksporton në Kenia, Etiopi dhe Ugandë.

 

Biznesi familjar i Murimit në Kenia, me fabrika të përpunimit të kafesë, ka eksportuar kafe në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 10 vjet. Ai tha se planifikon të përshpejtojë zhvillimin e biznesit të kompanisë në Kinë, ku sektori i kafesë ka ende një potencial të madh.

 

Kompania ka qenë në kontakt me zinxhirët e shitjes me pakicë të kafesë dhe dyqanet e tjera kineze të shitjes me pakicë, si supermarketet, dhe po ashtu pret të shesë online.

 

“Ne po punojmë për më shumë produkte për eksport dhe import, duke përfshirë produkte si avokado. Kenia është bërë një nga vendet në Afrikë që është autorizuar të punojë me qeverinë kineze për të eksportuar avokado të freskëta në Kinë”,- tha ai.